UNMIK-u shpenzon 40 milionë dollarë në vit

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, është devalvuar deri në atë masë, sa që thuajse është harruar. Ekzistimin e tij kosovarëve ua kujton vetëm shefi Lamberto Zannier, kur raporton çdo tre muaj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, krahas ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Por, edhe në këtë rast, roli i këtij misioni, e në mënyrë të veçantë i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, që për nëntë vjet ishte gjithçka, tashmë është pa ndikim.

Kjo vërehet edhe nga pjesëtarët e UNMIK-ut që kanë mbetur, e të cilët nëse mblidhen bashkë, nuk janë më shumë sesa nëpunësit e dy ministrive të Qeverisë së Kosovës.

Nga mijëra pjesëtarë që ky mision numëronte që nga vendosja e tij në qershor 1999, tashmë kanë mbetur vetëm disa veta. Madje, shifra është shumë simbolike, kur kuptohet se në të bën pjesë edhe stafi i zyrave ndërlidhëse të UNIMK-ut në Shkup e Beograd.

Kështu, sipas të dhënave zyrtare të UNMIK-ut, aktualisht ky mision ka vetëm tetë ushtarë dhe tetë policë. Kaq sa për pjesën ushtarake e policore. Këtyre 16 personave u shtohen edhe 147 zyrtarë që bëjnë pjesë në staf ndërkombëtar, 236 të tjerë vendorë, që bashkë edhe me 28 vullnetarë bëjnë 418 veta. Por ky mision brenda vitit shpenzon më shumë se 40 milionë dollarë. 
(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment