Turizmi, dyndje drejt Valbonës dhe Thethit

Pushuesit, të cilët preferojnë më shumë klimën malore, tanimë nuk do të kenë problem se si do të organizojnë pushimet e tyre. Agjencitë turistike në kryeqytet kanë menduar dhe për ata që duan fort malin për pushimet e verës. Ato kanë nisur të përgatisin paketa turistike për në fundjavë në zonat malore. Destinacionet e preferuara janë Valbona dhe Thethi. Në këtë mënyrë, pushuesit nuk preokupohen të organizojnë detajet e udhëtimit dhe pushimit në destinacion. Për të gjitha mendon agjencia turistike që përzgjedh pushuesi. Vetëm me 60 euro për person mund të kalosh një fundjavë në të dyja zonat e mrekullueshme malore të Shqipërisë. Në paketën që kushton 60 euro drejt Valbonës përfshihen; udhëtimi me autobus, trageti për të përshkuar liqenin e Fierzës, hoteli për dy net me vaktin e mëngjesit. Gjithashtu edhe për udhëtimin drejt Thethit në paketën 60 euro për person përfshihen udhëtimi, fjetja në shtëpizat e bujtjes dhe ngrënia. 

Drejt Valbonës për këtë fundjavë është nisur tashmë një autobus me 50 turistë shqiptarë. Sipas agjentëve turistikë, që organizojnë paketa drejt zonave malore të Shqipërisë, dy javët e fundit ka pasur shumë kërkesa për të kaluar fundjavat e nxehta në zonat malore të vendit. “Ne po punojmë me destinacionin e Valbonës, por do nisim edhe atë të Thethit. Këtë fundjavë është nisur një autobus drejt Valbonës me 50 turistë vendas. Çmimi 60 euro për person, për një qëndrim dhe argëtim dy net dhe tre ditë është konkurues. Ne jemi të kënaqur se vetë shqiptarët kërkojnë të eksplorojnë dhe të preferojnë vendin e tyre për pushim. 

Pavarësisht infrastrukturës jo të favorshme, ne po përpiqemi të promovojmë turizmin lokal dhe ta nxisim atë më tej. Mendoj që hapat e parë janë të suksesshëm” – u shpreh Anila, agjente turistike në një agjenci në kryeqytet. Ndërsa, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) ka organizuar këtë fundjavë një udhëtim turistik drejt Thethit, me përfaqësues të operatorëve turistikë që lëvrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet, me qëllim eksplorimin e zonës dhe krijimin e kontakteve për të zhvilluar një turizëm të organizuar në këtë zonë. Përveç punës që po bëjnë agjencitë turistike për të nxitur, zhvilluar dhe promovuar turizmin malor, edhe qeveria shqiptare, ka ndërmarrë nismën e taksës zero për tetë vjet për investimet me fokus turizmin malor. 

Kryeministri Berisha është shprehur shpesh se të gjithë sipërmarrësit që do të investojnë në turizmin malor, nuk do të paguajnë taksa për tetë vjet me radhë. Me qëllimin e vetëm, zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor, si në nivel lokal dhe ndërkombëtar.



(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment