Kërcim me yjet... jo vetëm një garë

Ajo kishte ftuar në çdo fillim e fund jave të gjithë të kërcenin, të dëfrenin me “Dancing with the stars”. Kishte ftuar në 11 javë me radhë kaq e kaq personazhe për “Dance në një natë”. Por vetë, duke përjashtuar këtu ato mini kërcimet “me sikur” me Ermalin për ta hapur gëzueshëm çdo mbrëmje, nuk kishte kërcyer asnjëherë. Sepse surpriza e Amit ishte lënë për në fund, për natën e 12-të, për ballon e madhe me maska, me të cilën trupa profesioniste e baletit e hapi këtë natë të 12-të... jo të Shekspirit por të Dancing with the stars... ama me një tjetër vepër të Shekspirit, që vazhdon frymëzon çdo herë e në çdo kohë artistët ta sjellin në performanca nga më të ndryshmet. E në garën e kërcimit Romeo e Zhulieta nuk kishte si të vinte ndryshe veçse me ballon me maska.

Ishte një hapje e gjetur për këtë finale të madhe, ku pas 11 javësh gare të fortë, pas eliminimit të nëntë konkurrentëve, pas qindra kërcimesh, miliona votimesh... mbetën në sfidë të hapur përballë njëri- tjetrit vetëm tre finalistë. Një treshe e ngjizur si me dorë, që dolli në këtë finale Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Sepse vendet zgjodhën me votë përfaqësuesit më të mirë të tyre.

Fati e desh, ose më mirë të themi që juria e sidomos publiku e deshi, që çmimin e madh mes tre finalistëve ta fitonte Enver Petrovci. E nuk e pati aspak të lehtë. Gara në këtë finale ka qenë më e fortë se kurrë. Pasi kanë kërcyer së pari një nga kërcimet e tyre më të mira, të përzgjedhur nga repertori i 11 javëve (Çiljeta cha cha cha, Shpati vals e Enveri charleston) kanë kërcyer dhe Jive në koreografi të re. E pas eliminimit të Shpatit, që duke marrë më pak vota se dy të parët, është shpallur kështu fitues i vendit të tretë, dy kampionët e mbetur në garë kanë kërcyer sërish një nga kërcimet e tyre më pikante (Çiljeta charleston, ndërsa Enveri vals), kanë kërcyer të fundit vallëzim të tyre për këtë garë, që s’mund të ishte veçse kërcimi më pasionant, më i fortë, paso doble. E në këtë kërcim të fundit dallimi mes dy kampionëve u bë edhe më i vështirë. Juria, Iva Tiço, Arian Çani e Ilir Shaqiri diferencuan me pikë në performancën e parë Enverin, ndërsa në të fundit u dhanë njësoj pikët maksimale, pra 30 pikë. Ndërsa publiku zgjodhi fitues Enver Petrovcin, regjisorin dhe aktorin e njohur në Kosovë, Shqipëri e në mbarë trevat Shqiptare.

Ka qenë një natë vërtet spektakolare nata e 12 e ‘Dancing with the stars’, me kampionët e saj të kërcimit, me të ftuarit e mbrëmjes, Jose Peres që premtoi në herën e parë që do të kthehej sërish në këtë produksion kaq të madh shqiptar, dhe e mbajti fjalën. Me Juliana Pashën e Flaka Krelanin, që e ndezën flakë skenën me këngën dhe performancën e tyre, me Zig Zag Orkestra, grupin e suksesshëm kosovar, me numrat e jashtëzakonshëm të baletit, realizuar nga trupa profesioniste nën drejtimit e Enada Hoxhës e Gerdi Vasos, me prezantimin krejt origjinal e plot batuta të Amarda Toskës dhe Ermal Mamaqit, e me idetë e regjisores Vera Grabocka. Producentja Holta Dulaku duket se ka qëlluar në shenjë edhe këtë herë. Nuhatja e saj nuk ka gabuar as atëherë kur nisi për herë të parë historinë e musicaleve në Tiranë, e nuk kishte si gabonte edhe kur solli për herë të parë ‘Dancing with the stars’ me patentë origjinale të BBC. E si mund të gabonte këtë herë, kur BBC e vlerësoi këtë produksion si një ndër më të mirët në Europë! Pas të cilit do të ketë të tjerë. Surprizat e Dulakut nuk kanë të sosur.



(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment