Thaçi të hënën në interpelancë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar kohë që të përgatitet për interpelancë, të cilën e ka kërkuar Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kryesia e Kuvendit e ka marrë parasysh kërkesën e kryeministrit që të shtyhet interpelanca dhe ka vendosur që kjo seancë të mbahet javën e ardhshme.

Kështu ka bërë të ditur kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se një seancë plenare do të mbahet këtë të enjte dhe pritet të jenë disa ligje në lexim të parë dhe një projektligj në lexim të dytë.

“Morëm vendim që të enjten më 16 qershor të kemi seancën e miratimit të ligjeve edhe në lexim të parë. Kemi edhe një ligj në lexim të dytë, por nëse vijnë disa raporte nga disa komisione, sidomos ai për legjislacion dhe për buxhet, mund të kemi edhe ligje të tjera në lexim të dytë. Sa i përket interpelancës, kryeministri ka kërkuar që shtyhet interpelanca dhe Kryesia mori vendim që interpelanca të mbahet të hënën në orën 10.00”, ka thënë Krasniqi.

Interpelanca për kryeministrin Thaçi e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ka të bëjë me autostradën Vërmicë-Merdare. Në seancën e së enjtes në rend dite mes tjerash do të jetë edhe Projektligji për personat e zhdukur, Projektligji për ndihmën shtetërore dhe Projektligji për nismat legjislative.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment