Stresi, rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj arrestit për Bombajn

Arkimed Lushaj, reperi i njohur me emrin Stresi, i dyshuari i Prokurorisë si një nga autorët e gjobëvënies ndaj regjisorit Leonard Bombaj, kërkon nga Gjykata e Lartë anulimin e urdhër-arrestit.Me anë të një rekursi në Gjykatën e Lartë, avokati i Stresit ka kërkuar rrëzimin e vendimit të Krimeve të Rënda për shpalljen në kërkim të këngëtarit. Në një kohë kur urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ndaj tij ende nuk është ekzekutuar, Stresi e ka kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Në të njëjtën formë kanë vepruar edhe tre të dyshuarit e tjerë si bashkëpunëtorë të tij në gjobëvënien ndaj Bombajt, të pandehurit Elis Basha, Rolado Kurti dhe Sebastian Ukcamaj. Ata i kërkojnë Gjykatës së Lartë ndryshimin e masës “arrest me burg”, caktuar ndaj tyre nga Apeli i Krimeve të Rënda. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë. Burimet në fjalë konfirmuan depozitimin e rekurseve të Arkimed Lushës, Rolado Kurtit dhe Elis Bashës pak ditë më parë në kryesekretarinë e kësaj gjykate. Në lidhje me rekursin e Ukcamajt mësohet se ka mbërritur pak më vonë në Gjykatë. Rekurset janë depozituar nga avokatët mbrojtës të të rinjve, asnjëri prej të cilëve nuk është i arrestuar. Objekti i rekurseve është “prishja e vendimit të Apelit dhe shuarja e masës së sigurisë”. Bëhet e ditur se kërkesat ende nuk janë hedhur në short për të përcaktuar kolegjet penale që do t’i shqyrtojnë.

URDHËR-ARRESTI
Më 26 maj të këtij viti, Apeli i Krimeve të Rënda miratoi katër fletë-arreste në ngarkim të Arkimed Lushës (Stresit), Elis Bashës, Rolado Kurtit dhe Sebastian Ukcamajt. Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit pranoi kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj të sipërpërmendurve. Hetimet, rrjedha e të cilave i vuri ata nën akuzë, u nis nga Prokuroria e Tiranës në shtator të vitit 2010. Në atë kohë, Prokuroria ka marrë dy padi të regjistruara në Komisariatin Nr.1. Padia e parë ishte bërë nga shtetasi Leonard Bombaj, ku pretendohej se ishte kanosur. Padia e dytë ishte bërë nga një vajzë e mitur, padi në të cilën Bombaj akuzohej prej saj për “marrëdhënie seksuale me dhunë”. Për shkak të klasifikimit të mëvonshëm të veprës penale, hetimi i rastit i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Më 6 maj, Prokuroria paraqiti para Gjykatës për Krimet e Rënda kërkesën për caktimin e masës “arrest me burg” për katër të dyshuarit si “gjobëvënës” ndaj regjisorit. Kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata, e cila caktoi ndaj tyre vetëm masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, për akuzën e “vjedhjes”. Ankimi i këtij vendimi në Gjykatën e Apelit ndryshoi masën e sigurisë ndaj tyre. Gjykata e Apelit ndryshoi klasifikimin e akuzës së “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim dhe caktoi ndaj katër të rinjve masën e sigurisë “arrest me burg”.

Vajza 15 vjeçe e akuzoi Bombajn për përdhunim

TIRANE – Një histori e komplikuar mund të quhet ajo që vuri në qendër të vëmendjes pak ditë më parë reperin Stresi dhe regjisorin Leonard Bombaj. Zanafilla e ngjarjes ishte mbajtur në sekret nga shtatori i vitit 2010, kohë kur në Komisariatin Nr. 1 të Policisë së Tiranës u regjistruan dy kallëzime të ndërsjella. Regjisori Leonard Bombaj kallëzoi babanë e një ish-nxënëseje të tij për “kanosje”. Një ditë më pas, ish-nxënësja e mitur, në prani të një psikologeje, kallëzoi regjisorin Bombaj për dhunë seksuale. Detajet u zbuluan kur Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i përcolli Policisë së kryeqytetit katër urdhër-arreste me emrat e Arkimed Lushës, Elis Bashës, Relado Kurtit dhe Sebastian Ukcamajt. Apeli caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”, për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur se procedimi ndaj regjisorit për “dhunë seksuale” është pushuar. Referuar dosjes së prokurorisë, historia e gjobëvënies ka për zanafillë pretendimet e të rinjve se regjisori Bombaj kishte dhunuar seksualisht një mikeshën e tyre të mitur, B. D. (red.). Në aktet e prokurorisë, referuar thënieve të Leonard Bombajt, pohohej se pas këtyre kallëzimeve Bombaj ishte vënë në “shënjestër” kërcënimesh. Sipas thënieve të tij, disa ditë pas kallëzimit, disa persona kanë mbërritur në banesën e tij. Po sipas thënieve të regjisorit, ata i kanë kërkuar atij 20 mijë euro në formë dëmshpërblimi për dhunën seksuale të ushtruar ndaj mikeshës së tyre. I detyruar prej tyre, Bombaj pretendon se pak më vonë ka tërhequr në një bankomat nga llogaria e tij një shumë prej 50 mijë lekësh. Pasi janë ndarë nga ky takim, këta persona janë larguar bashkë me automjetin personal të regjisorit Bombaj. Sipas rrëfimit të regjisorit, më 23 shtator 2010, Arkimed Lusha dhe Elis Basha e kanë ritakuar atë. Pasi kanë siguruar certifikatën e pronësisë së automjetit, regjisori pretendon se ata kanë tjetërsuar pronësinë e automjetit para një noteri në favor të tyre. Sipas deklarimeve të Bombajt, si kusht për kthimin e automjetit ishte një “gjobë” prej 5 mijë eurosh. Automjeti në fjalë i është kthyer Bombajt dy ditë më pas. Një tjetër “gjobë” e pretenduar nga Bombaj është ajo e pak ditëve më pas. Sipas tij, i akuzuari Elis Basha i ka kërkuar një shumë prej 3 mijë eurosh në këmbim të mbylljes të problemeve me drejtësinë.



(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment