Strategjia, taksë e re ndaj pronave

Shqiptarët shumë shpejt do të paguajnë një taksë të posaçme për pronën, e cila është parashikuar të aplikohet në strategjinë e re të kthimit të pronave, që qeveria ka miratuar pak ditë më parë. Dokumenti i ri strategjik i qeverisë për kthimin e pronave, që duhet të plotësojë të gjitha kushtet që ka vënë Bashkimi Europian për kthimin e pronave, parashikon si pikë kyçe të procesit vendosjen e një taksë për pronën, e cila aktualisht nuk ekziston. Aplikimi i saj do të nisë sapo të jetë ngritur njësia e re që do të merret me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe është një nga kushtet e Bashkimit Europian. Në draftin e hartuar deri tani është propozuar ngritja e njësisë së koordinimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, që do të sigurojë bashkëpunimin mes institucioneve. Gjithashtu, do të ngrihet një strukturë që do të jetë përgjegjëse për krijimin e hartave unike dhe të standardizuara me të cilat do të punojnë të gjitha institucionet, si dhe do të reformohet shërbimi përmbarimor. Sistemi i taksave në sektorin e pasurive të paluajtshme në vendin tonë është në fazën fillestare në krahasim me vende të tjera të zhvilluara.

 Për këtë qëllim në strategjinë fiskale të qeverisë është programuar rregullimi i taksave ne sektorin "Real Estate". Sipas projektit, taksat e pasurive të paluajtshme në tërësi do të rriten dhe do të ketë edhe taksa të reja. Një ndër arsyet pse vëmendja e tregut ndërkombëtar të pasurive është kthyer nga Shqipëria është për shkak të mungesës së disa taksave në këtë sektor, ose nivelit të ulët të tyre. Skema e re e qeverisë, e cila hyn në fuqi në janar të vitit 2013, ka në themel të saj 14 masa të reja, që do të realizojnë definitivisht kompensimin financiar dhe fizik të pronave. 

Deri në këtë moment besohet se shteti shqiptar do të ketë informacion për numrin e subjekteve që kërkojnë kompensim dhe një faturë totale financiare për këtë proces. Më tej, sipas planit të qeverisë, kjo skemë do të operojë bazuar në një bazë të dhënash të dixhitalizuar, sipas të cilave AKKP-ja në kohë reale është në gjendje të kontrollojë situatën hartografike dhe juridike të dosjes, mbi bazën e së cilës janë dhënë vendimet e kompensimit. Mbivendosjet e mundshme hartografike të vendimeve për kompensim do të dalin të qarta nga baza e të dhënave. 

Ndërtimi i kësaj baze të dhënash parashikohet të jetë në shumën 900 000 euro. Burimi i fondeve pritet të përcaktohet së shpejti. Nga ana e saj, baza e dixhitalizuar e të dhënave e AKKP-së, në aspekt hartografik, do të ndërtohet (programohet) mbi hartat e standardizuara të prodhuara nga Agjencia Kombëtare për Prodhimin e Hartave të Standardizuara. Duke qenë se të gjitha institucionet do të punojnë me të njëjtin model të standardizuar harte, informacioni hartografik dhe ligjor që ato prodhojnë do të jetë plotësisht i shkëmbyeshëm mes tyre. 

Masa e kompensimit do të jetë 100% dhe do të shpërndahet me këste të barabarta. Pagesa e kompensimit do të jetë me këste, derisa të arrihet kompensimi 100% për çdo pronar. Parashikohet që subjektet që kanë vendime për kompensim përfundimtar dhe të ekzekutueshme duhet të paraqesin një kërkesë sipas një formulari tip që gjendet tek AKKP-ja apo mund të shkarkohet nga interneti.




(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment