Sigurimi i makinave, çmimin do e vendosin vetë kompanitë

Qeveria ka liberalizuar çmimet për sigurimin e detyrueshëm të makinave.Bëhet fjalë për sigurimin që janë të detyruar ta paguajnë një herë në vit, ata që lëvizin me makina në të gjithë vendin. Ligji aktual parashikon që kjo tarifë për autoveturat të mos jetë nën 11 mijë lekë në vit. Por, vendimi i djeshëm i qeverisë heq pikërisht këtë minimum. Ndryshimi i ligjit parashikon që do të jenë vetë kompanitë e sigurimit ato që do të përcaktojnë, në bazë të tregut, se sa do të jetë çmimi i siguracionit të detyrueshëm. Me fjalë më të thjeshta, pas miratimit nga Kuvendi të ndryshimit ligjor, pagesa e sigurimit të detyrueshëm për 427 mijë makinat do të kushtojë më lirë dhe qytetarët do të shohin një konkurrencë më direkte në treg.

Ndryshimi ligjor
Qeveria ka ndryshuar nenin 10 të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e Transportit. Në ligjin që është sot në fuqi, përcaktohet se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, miraton
rregullat për përcaktimin e nivelit të primeve dhe të provigjoneve teknike, bazës teknike dhe metodikave për përllogaritjen e primeve të sigurimeve të detyrueshme. “Rregullat e miratuara nga autoriteti, sipas kësaj pike, duhet të parashikojnë një trajtim të barabartë dhe konkurrues të shoqërive, duke përdorur baza të njëjta për përllogaritjen e primit.” Në nenin e ndryshuar nga qeveria dje, thuhet se AMF miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelit të provigjoneve teknike. “Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi njofton zyrtarisht autoritetin”. Pra, liberalizohet mënyra se si do të përcaktohen tarifat që aplikohen nga çdo kompani. Sidoqoftë, për të shmangur konkurrencën jashtë fuqive të kompanive, qeveria ka vendosur një mbrojtje. Në nenin e ndryshuar parashikohet që “Pavarësisht tarifave të liberalizuara të primit të sigurimit të detyrueshëm, shoqëritë e sigurimit krijojnë rezervat teknike (provigjonet), jo më pak se niveli i provigjoneve të përcaktuara nga autoriteti”.
Ndikimi te qytetarët
Në Shqipëri, ka të regjistruara rreth 427 mijë makina. Sipas ligjit, të gjitha këto makina, që të qarkullojnë duhet të pajisen me siguracion. Ky sigurim është i detyrueshëm dhe ka afat 1- vjeçar. Sipas statistikave në AMF, nga maji i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti, pra për 12 muaj, rreth 267 mijë qytetarë kanë paguar për sigurimin e detyrueshëm të makinës së tyre. Sipas formulës së AMF, vlera minimale e sigurimit të detyr-ueshëm është 11 mijë lekë në vit. Pra, kjo është tarifa, të cilën kompanitë duhet ta aplikojnë. Konkurrenca deri tani ka qenë në shërbimin dhe emrin e mirë të kompanive në treg. Në fakt, të “detyruar” për të konkurruar me çmim, kompanitë kanë filluar “fshehtas” të aplikojnë çmime më të ulëta. Të gjithë ata që kanë makinë, kanë prerë siguracione me vlera dukshëm nën 11 mijë lekë. Ekspertët sqarojnë se kompanitë, pavarësisht se marrin më pak se 11 mijë lekë nga qytetari për siguracionin e makinës, në tatime deklarojnë fatura prej 11 mijë lekësh dhe paguajnë TVSH për një faturë prej 11 mijë lekësh. Kuptohet që ulja e çmimit, në këtë rast dhe pagimi i taksave me cmim më të lartë, ndikon direkt në cilësinë e shërbimit. Pra, në rast karamboli, riparimi i makinës nga kompania nuk do ketë të njëjtën cilësi. Ndryshimi i ri ligjor vendos që të jenë vetë kompanitë, në bazë të kapacitetit të tyre, ato që do të vendosin çmimet. Ka një formulë që rakordon raportin prime, pra të ardhura dhe dëme të paguara. Sa më i mirë të jetë ky raport, aq më konkurrues do të jetë çmimi i kompanive në treg dhe aq më i saktë shërbimi. Me miratimin e ligjit, të 427 mijë qytetarët që kanë makina ose, më saktë të 267 mijë qytetarët që paguajnë siguracion vjetor të dety-rueshëm për makinën, do të paguajnë më pak.

Ndryshimi në ligj

Neni 10
Kushtet dhe tarifat e sigurimit të detyrueshëm

ISHTE
1. Autoriteti miraton rregullat për përcaktimin e nivelit të primeve dhe të provigjoneve teknike, bazës teknike dhe metodikave për përllogaritjen e primeve të sigurimeve të detyrueshme, të parashikuara në nenin 2 të këtij ligji. Rregullat e miratuara nga autoriteti, sipas kësaj pike, duhet të parashikojnë një trajtim të barabartë dhe konkurrues të shoqërive, duke përdorur baza të njëjta për përllogaritjen e primit.
2. Shoqëria e sigurimit, sipas afateve të përcaktuara nga autoriteti, depoziton në autoritet për miratim kushtet e përgjithshme dhe tabelat e primeve të sigurimit të detyrueshëm, të shoqëruara me bazën teknike të përdorur për llogaritjen e primit. Autoriteti verifikon nëse kushtet dhe tabelat e primeve të sigurimit të detyrueshëm janë në përputhje me ligjin e aktet nënligjore dhe, brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës, njofton shoqërinë e sigurimit për miratimin ose jo të tyre.
BËHET
1. Autoriteti miraton rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin të provigjoneve teknike.
2. Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi njofton zyrtarisht autoritetin. Pavarësisht tarifave të liberalizuara të primit të sigurimit të detyrueshëm, shoqëritë e sigurimit krijojnë rezervat teknike (provigjonet), jo më pak se niveli i provigjoneve të përcaktuara nga autoriteti, si në pikën 1 të këtij neni.

Fondi i ekselencës, bursa dhe për artin e muzikën

Zgjerohen fushat që mbulon fondi i ekselencës. Me anë të tij financohet arsimi i lartë dhe pasuniversitar i studentëve më të mirë shqiptarë. Vendimi është marrë dje nga qeveria. Kreu i saj, Sali Berisha, tha se për herë të parë që prej tre vjetësh, qëkur u krijua fondi i ekselencës, tani do të mbulohen me bursë edhe studimet në art dhe muzikë, përveç shkencave natyrore dhe atyre shoqërore. Por, përveç mbështetjes me bursa të atyre që shkëlqejnë në studime, Kryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së ekspertëve më të mirë shqiptarë për t’u kthyer dhe për të punuar në vend. “Është e domosdoshme që kuadri ynë ligjor të parashikojë detyrimin e sektorit publik për punësimin imediat të tyre, për bonuset respektive ndaj tyre. Është e domosdoshme që të ftohen ekspertë shqiptarë të shquar të të gjitha fushave të rikthehen për të punuar në Shqipëri edhe duke krijuar kushte analoge kur është e mundshme me ato në të cilat punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre”, tha Kryeministri. Sipas tij, qeveria të bëjë çdo gjë që të mbështesë çdo ekselencë shqiptare, në mënyrë që vendi të ketë softin e merituar. “Ne do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë kthimin dhe sistemimin në vend të ekspertëve dhe specialistëve më të mirë shqiptarë, kudo ku ndodhen”, tha Berisha. Sipas tij, aktualisht 20% e atyre që punojnë në administratë dhe në shërbimin civil janë shkolluar në universitetet më të mira perëndimore dhe qeveria do të vazhdojë të mbështesë pa kufizim studimin e më të mirëve në universitetet më prestigjioze të botës.



(NERTILA MAHO/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment