Si ndryshova plotësisht jetën time e të qytetit tim

Kur ishte adoleshente, Zhou Xiaoguang tërhiqte një thes të mbushur me rreth 60 kilogram xhingla pas vetes. Ajo udhëtonte në trenat e natës rreth e qark Kinës për të shitur mallrat e saj. Sot kompania e saj Neoglory është një lider në tregun botëror për prodhimin e kostumeve e bizhuterive.

Neoglory dikur ishte një prodhues me kosto të ulët, që merrej me varëse, byzylykë e vëthë.

Sot ka afërsisht 1 mijë dyqane rreth e qark Kinës dhe 300 dizajner prodhojnë 100 dizajne të reja çdo ditë.

E vendosur në Yiwu, në Kinën Lindore, suksesi i zonjës Zhou ka pasur një efekt befasues në qytetin e saj, të cilin e ka shtëpi të dytë.

Kur mbërriti në vitin 1986, Yiwu kishte një nam të madh për varfëri.

Sot atje ka rreth 4 mijë prodhues bizhuterish, që punësojnë rreth 100 mijë njerëz dhe gjenerojnë mbi 3 miliard dollarë shitje në vit.

Zhou u largua nga shkolla kur ishte 16 vjeç, e lodhur nga fakti se e nxirrnin gjithmonë jashtë për shkak se prindërit nuk bënin dot pagesat.

Në moshën 35 vjeçare ajo studioi dhe mori një master.

“Mendoja se ishte një gabim që të punoja si shitëse që në moshë aq të re,” kujton Zhou.

Por sot kompanitë e saj dominojnë industrinë lokale. Përveçse është në biznesin e bizhuterive, ajo ka marrë një pronë prej 5 milion metra katrorë. Ajo i ka hyrë edhe investimeve të tjera, përfshi edhe në fushën e verërave.

Baza e saj janë zyrat qendrore të Neoglory, një godinë gjashtëkatëshe ku jetojnë e punojnë ajo dhe 28 anëtarët e tjerë të familjes.

Biznesi i bizhuterive është në fokusin e saj akoma. Këto ditë ajo shet mallin e saj në panaire e jo në stacione treni, me një forcë shitëse në 70 vende. Ajo ka bërë aleanca me emra të tillë luksi si Swarovski- kristalet e tyre përdoren në produktet e Neoglory- dhe këngëtarja Celine Dion ka vendosur emrin e saj në një linjë bizhuterish të klasit të lartë.

Dikur një kampion i fshehur, tani Neoglory synon të bëhet një markë botërore në vetvete.

Me përgjysmimin e kërkesës në Europë e në SHBA, kompania është zhvendosur në tregjet e reja si në Rusi, Amerikën e Jugut e në Lindjen e Mesme.

“Duhet të shkojmë jashtë për të ruajtur rritjen,” thotë Zhou, që është edhe deputete në Kongresin Kombëtar të Popullit.

Kur shkon në takimet e kësaj trupe legjislative, ajo flet për gjithçka, që nga klima e deri tek siguria në shkollë.

Ajo ka një ekip prej pesë ish- zyrtarësh e akademikësh që e ndihmojnë në këtë drejtim. Ajo shton se gratë tani në Kinë janë komplet të barabarta dhe thekson se ka ndihmë speciale për femrat për të nisur biznese.


(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment