Violina e Stradivarit shitet afro 16 milionë dollarë

Një violinë e ruajtur mirë e Stradivarit është shitur në një ankand online për 15.9 milionë dollarë për të ngritur fonde për të lehtësuar fatkeqësinë që ka ndodhur muaj më parë në Japoni.

Violina është bërë në vitin 1721 dhe është e njohur si Lady Blunt, emërtim ky që i është bërë sipas mbesës së poetit Lord Byron, Lady Anne Blunt, e cila e ka pasur në pronësi violinën për tridhjetë vite.

Violina është shitur nga fondacioni muzikor në Japoni për viktimat e tërmetit dhe cunamit, që ndodhen në mars.

Çmimi është katër herë më i madh se rekordi i mëparshëm për një violinë të Stradivarit.
Të ardhurat do të shkojnë për Nippon Foundation’s Northeastern Japan Earthquake and Tsunami Relief Fund.

Violina ishte ofruar për shitje nga Nippon Music Foundation, pronar i disa prej instrumenteve më të mira në botë Stradivari dhe Guarneri.

Presidenti i fondacionit Kazuko Shiomi tha: “Derisa kjo violinë ka qenë shumë e rëndësishme për koleksionin tonë, nevojat e njerëzve tanë japonezë pas tragjedisë së 11 marsit kanë dëshmuar se ne të gjithë duhet të ndihmojmë, në cilëndo mënyrë që të mundemi. Donacioni do të vihet në përdorim të menjëhershëm në Japoni”.

Shtëpia e ankandeve në Londër Tarisio, e cila e ka organizuar shitjen, e ka përshkruar vendimin e fondacionit për shitjen e ‘asaj që konsiderohet violina më e mirë e koleksionit të tyre’ si ‘gjest të zemërgjerësisë së thellë’.

Violina është një prej 600 instrumenteve të bëra nga italiani Antonio Stradivari që ende ekzistojnë, raporton Express.

Gjithashtu ka qenë në pronësi të disa koleksionistëve të njohur dhe ekspertëve përfshirë WE Hill & Son, Jean Baptiste Vuillaume, baroni Johann Knoop dhe Sam Bloomfield.
Identiteti i pronarit të ri nuk është bërë i ditur.

Violina ‘The Lady Blunt’ kishte arritur rekordin prej 84 mijë funta kur ishte vënë në ankand për herë të fundit në Sotheby’s në vitin 1971.

(noa.al)

No comments:

Post a Comment