S’i lëshojnë komandantët

Rreth 300 serbë bllokuan rrugën Mitrovicë-Zveçan, duke kundërshtuar rotacionin e paralajmëruar të komandantëve të stacioneve policore në veri të Kosovës. Ata u mblodhën me të marrë vesh lajmin se njëri nga ta e kishte marrë detyrën e re. Protesta mbaroi pa incidente. Kundërshtimit të komandantëve iu bashkuan edhe qytetarët. Rreth 300 serbë bllokuan të martën magjistralen Mitrovicë-Zveçan, përpara hyrjes në stacionin policor. Ata u mblodhën në shenjë revolte kundër vendimit të drejtorit të Policisë, Reshat Maliqi, i cili në maj të këtij viti kishte vendosur për transferim të komandantëve të stacioneve policore në veri të Kosovës.

Për të bllokuar rrugën, serbët i nxiti lajmi se Dragan Stefanovic nga Leposaviqi, njëri ndër komandantët e suspenduar, ka marrë detyrën e re në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, ka konfirmuar se rreth orës 11.30, afro 300 qytetarë serbë kanë protestuar kundër rotacionit në strukturën komanduese të Policisë në veri. “Protesta e banorëve ka zgjatur deri në orën 13:00. Më pas ata janë shpërndarë të qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident”, tha Hoti për Express.

Krstimir Pantic, kryetar i komunës paralele serbe të Mitrovicës, ka thënë se rreth rotacionit eventual të komandantëve policorë në veri, duhet të arrihet marrëveshje me vetëqeverisjen lokale dhe se qytetarët në këtë mënyrë kanë treguar se nuk i pranojnë veprimet e njëanshme të Prishtinës. “Për fat të keq, ky është edhe një tentim nga ana e Prishtinës që të destabilizojë situatën në veri”, ka theksuar ai.

Sipas tij, te ura lindore e Ibrit kanë qenë rreth 15 automjete të Policisë së Kosovës, përkatësisht të njësisë speciale ROSU, të gatshme për të intervenuar.

Serbët kanë kërkuar nga përfaqësuesit e EULEX-it që të mos lejojnë hyrjen në veri të njësisë ROSU, sepse kjo do të shkaktonte përleshje serioze.

“Kemi marrë premtime se pjesëtarët e ROSU-së nuk do të hyjnë në veri, ndërkohë që me kërkesën tonë, nga stacioni policor në veri të Mitrovicës është tërhequr komandanti i sapoemëruar, Dragan Stefanovic, i cili ka premtuar se nuk do të kthehet më”, ka treguar Pantic.

Ai ka paralajmëruar se nëse përsëritet një skenar i tillë i rotacionit të komandantëve, do të ketë bllokadë 24 orëshe të rrugëve nga qytetarët serbë.

Pas një orë bllokade, magjistralja është liruar, ndërsa Stefanovic ka kaluar në stacionin policor në jug të Mitrovicës.

Sipas vendimit të drejtorit të Policisë, komandanti i stacionit policor në Mitrovicë, Bratislav Kragovic është caktuar në pikën kufitare në Jarinje, Nenad Djuriq nga Zveçani në stacionin policor në Leposaviq, Dragan Stefanovic nga Leposaviqi në stacionin policor në veri të Mitrovicës, ndërsa Drazo Bozovic nga Zubin Potoku në shtabin rajonal të policisë në pjesën veriore të Mitrovicës. Pasi ata kishin refuzuar urdhrat, ishin supsenduar nga Drejtoria në Prishtinë.
(gazetaexpress.com)

 
 

No comments:

Post a Comment