Shtyhet për një muaj procesi ndaj Berlusconit

Është shtyrë me një muaj procesi gjyqësor kundër kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, në akuzat se i ka dhënë ryshfet avokatit britanik, David Mills, në këmbim të dëshmisë së tij të rrejshme, për të mbrojtur interesat e bizneseve të kreut të qeverisë.

Berlusconi evitoi kamerat dhe gazetarët dhe ndryshe nga herët e tjera, hyrja ashtu si dhe dalja nga gjykata u bë nga dera e prapme e ndërtesës dhe pa bujë, për të evituar mediat dhe një grup të vogël protestuesish të mbledhur para gjykatës.

Siç raportojnë mediat italiane, brenda në sallë, sipërmarrësi napolitan, Diego Attanasio, dëshmitar në çështjen Mills, shpjegoi se nuk i ka dhënë kurrë 600 mijë dollarë avokatit anglez.

Ai tha se as nuk i ka dhuruar dhe as dhënë hua një shumë të tillë, duke konfirmuar kështu versionin e dhënë në procesin kundër Mills, por duke hedhur poshtë nga ana tjetër tezën e mbrojtjes së avokatit anglez që pretendonte se këto 600 mijë dollarë që janë në qendër të procesit, iu dhanë Mills që ai ti investonte.

Por sipas akuzës, këto 600 mijë dollarë i janë dhënë avokatit nga Berlusconi si shpërblim për korruptimin e tij.

Procesi do të rinisë më 18 korrik, me të tjera dëshmi në një video-konferencë nga Zvicra.


(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment