Shqiptarët në Mal të Zi kërkojnë “mandatet e garantuara”

Kryetari i Klubit të deputetëve të partive parlamentare opozitare shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Vasel Sinishtaj deklaroi se çështja e Kodit të ri zgjedhor nuk do të zgjidhet para se të shpallen rezultatet e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi është zhvilluar nga data 1 deri më 15 maj të këtij viti, ndërsa rezultatet e tij pritet të shpallen deri më 15 korrik.

“Është diçka e keqe që kushtin e parë ndaj Bashkimit Europian nuk e kemi përmbushur. Shihet qartë se afati i miratimit të Kodit të ri zgjedhor do të shtyhet, derisa të shpallen rezultatet e regjistrimit të popullsisë edhe ka të bëjë me strukturën kombëtare të popullatës”, thotë politikani shqiptar, Vasel Sinishtaj.

Ai pohon se nuk pret që Kuvendi i Malit të Zi të përmbushë obligimin e parë që përcakton datën e negociatave me Bashkimin Europian, duke iu referuar faktit se mund të përsëritet shtyrja e afatit të miratimit të legjislaturës së re zgjedhore.

Data 31 korrik është data e fundit e caktuar nga Kolegjiumi i kryetarit të Parlamentit malazez Ranko Krivokapiq për të miratuar infrastrukturën e re zgjedhore.

Deputeti shqiptar Sinishtaj këmbëngul duke thënë se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga mandatet e garantuara, duke e ditur se pakica shqiptare këtë të drejtë e realizon që nga viti 1992.

Ai mendon se modeli aktual, ku shqiptarët në Malin e Zi kanë njësinë e posaçme zgjedhore dhe 5 mandate të përfaqësimit në Kuvendin e këtij shteti, duhet të vazhdojë, së paku edhe dy harqe zgjedhore.

“Ligji i ri zgjedhor, posaçërisht, duhet të definojë çështjen e pakicave kombëtare, kush gëzon të drejtën e aksionit afirmativ. Serbët e Malit të Zi nuk do të duhej ta kenë të drejtën e aksionit afirmativ”, shpjegon Sinishtaj, njeri ndër njohësit më të mirë nga radhët e ligjvënësve shqiptarë të korpusit juridik të pakicave në Mal të Zi.

Sipas tij, këtu kemi të bëjmë me një lojë të pushtetit, se gjoja, si malazezët edhe serbët mund të shfrytëzojnë të drejtat e jo pakicave kombëtare.

“Kjo nuk është korrekte”, shton ai, sepse ata janë popuj që pretendojnë të jenë shumicë.

Deputeti i Koalicionit shqiptar “Perspektiva”, njëherësh kryetar i partive nacionale parlamentare opozitare në Mal të Zi mendon se mazhoranca do të përkrahë kërkesat që zgjidhja aktuale të mbetet ajo e përfaqësimit autokton të shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi.
(noa.al)

No comments:

Post a Comment