Rrënjët gjermane të Britanisë

Frika nga pushtimi i dhunshëm i vendit të tyre, është e ngulitur thellë në kokat e anglezëve. Një nga arsyet e mundshme të kësaj frike është se edhe vetë paraardhësit e tyre kanë bërë një gjë të tillë.


Sipas Anglo-Saxon Chronicle, dy udhëheqës fisnor gjermanë, Hengist dhe Horsa, zbarkuan në brigjet e Kentit, në Anglinë Juglindore, në vitin 449. Ata kishin lundruar 600 kilometra poshtë brigjeve, nga vendlindja e tyre Frizia Veriore, duke e bërë kalimin në Britaninë e gjelbër dhe të këndshme.
Vendi në të cilin arritën ishte i kultivuar. Perandori Claudius e kishte shpallur ishullin provincë romake në vitin 43 para epokës tonë, kishte ndërtuar teatro dhe kishte shtruar rrugë. Në fazën e vonë të antikës, Londonium kishte rreth 30 mijë banorë.

Sidoqoftë, të gjitha këto gjëra u shkatërruan, kur aventuristët-numri i të cilëve u shtua edhe më shumë, pas ribashkimit të familjeve-arritën nga tokat përtej detit.

Por sa njerëz kanë arritur gjithsej në Britani, pasi që kanë kaluar Detin e Veriut? Një mijë? Dhjetë mijë? Apo ishte ky numër edhe më i madh?

Deri me tani, ishin të ashtuquajturit minimalistët ata, të cilët kanë përcaktuar tonin e arkeologjisë britanike. Ata besojnë se ajo që e cilësojnë si “transfero i elitës”, pra një numër i vogël i luftëtarëve fisnikë gjermanë, ndoshta disa mijë sosh, e kishin vendosur vetën në krye të shoqërisë, duke e zëvendësuar në fund gjuhën kelte me gjuhën e tyre. Shumë britanikëve bashkëkohor, të cilët nuk dëshirojnë të pranojnë se kanë një afërsi kaq të madhe me Kontinentin, iu pëlqen ky skenar.

Thomas Sheppard, një kurator i muzeve, e zbuloi këtë ndjenjë para një shekulli. Në vitin 1919, oficerët e ushtrisë kërkuan asistencën e tij, pasi që zbuluan aksidentalisht varrin e një femre anglo-saksone, të vjetër rreth 1500 vjet.

Sheppard erdhi në përfundim se eshtrat e zbardhur të femrës ishin të “pushtuesve nga Gjermania” dhe deklaroi:”Këta janë paraardhësit tanë”. Ushtarët mbetën gojëhapur.

Fillimisht, ata mallkuan dhe refuzuan të besojnë se janë të afërt me “hunët”. Por më pas, disponimi u bë edhe më i zymtë. “Udhëtimi prapa në barakë ishte si një procesion i varrimit”, ka shkruar Sheppard.

Por nuk ia vlen të mohosh. Tani është e qartë se kombi, i cili ka më së shumti averzion ndaj gjermanëve, ka vetë prejardhje nga fiset gjermane.

Një numër i studimeve vetëm sa e forcon intimitetin në marrëdhëniet gjermano-angleze.
Biologët në Universitetin e Londrës kanë studiuar një segment të kromozomit Y, i cili haset tek pothuajse të gjithë meshkujt danezë dhe gjermanë-e cili haset shumë shpesh edhe në Britaninë e Madhe. Kjo sugjeron se një numër i madh i njerëzve dikur e kanë kaluar Detin e Veriut.

Studimet e reja të izotopeve, të bëra në varrezat anglo-saksone, kanë prodhuar të njëjtin rezultat. Kur kimistët analizuan smaltin e dhëmbëve dhe eshtrat e skeleteve, ata erdhën në përfundim se 20 për qind e të vdekurve kanë prejardhjen nga Kontinenti.

Arkeologu Heinrich Harke, nga Universiteti i Readingut, tani ka dalë me një vlerësim për lëvizjet migratore. Ai beson se rreth 200 mijë emigrantë e kanë kaluar Detin e Veriut.

Kjo lëvizje masive me gjasë filloi në vitin 407, vitin kur Perandoria e lodhur Romake tërhoqi pjesën më të madhe të ushtrisë nga Britania. Pak kohë më vonë, ajo ndërpreu edhe pagesat për ushtarët e vet, duke detyruar legjionarët që të largohen.

Kjo e la ishullin të pambrojtur, një mundësi kjo e cila u shfrytëzua nga njerëzit në Kontinent, të cilët vuanin nga uria.

Varrezat e para të emigrantëve datojnë nga viti 410 dhe u zbuluan në afërsi të Oxfordit.
Arkeologët tani kanë zbuluar një numër të madh të varrezave të këtilla. Bujqit gjermanë në Spong Hill, në lindje të Anglisë, kanë ruajtur kontaktet me atdheun e tyre të vjetër për dy apo tri gjenerata. Harke spekulon se një numër i madh i aventuristëve janë larguar nga Kontinenti ndërmjet viteve 450 deri 550. Sidoqoftë, ende ka paqartësi. Rreth 200 mijë ardhacakët u përballën me rreth 1 milionë britanikë, por ardhacakët në fund triumfuan. Mbretëritë të cilat dolën së shpejti në sipërfaqe, si Anglia Lindore, Wessex (Saksonia Perëndimore) dhe Essex (Saksonia Lindore), u kryesuan nga luftëtarë si Sigeric dhe Cynewulf.

Keltët nuk ishin në gjendje t’iu bënin ballë këtyre luftëtarëve. Romakët i kishin mësuar ata se si të luajnë lirën dhe të pinë sasi të madhe të verës, por atyre nuk ju lejohej bartja e armëve. Si rezultat, banorët lokalë humbën një betejë pas tjetrës dhe u detyruan të vendosen në këndet e ishullit.

Armata e britanikëve në vazhdimësi ishte në tërheqje e sipër. Shumë ushtarë u zunë rob. Sipas Harkes, britanikët e zënë rob kanë jetuar në kushte tejet të vështira dhe kanë punuar si shërbëtorë në fshatrat e anglo-saksonëve.

Eksperti i gjenetikës në Londër, Mark Thomas, është i bindur se pushtuesit nga kontinenti kanë pasur struktura të ngjashme shoqërore me ato të aparthejdit.

Si rezultat i shtypjes, shkalla e natalitetit tek britanikët shënoi rënie, ndërsa fituesit bënin shumë fëmijë. Rezultatet janë edhe sot evidente në basenin gjenetik të Britanisë.

“Njerëzit nga pjesët rurale të Anglisë janë më të afërt me gjermanët nga veriu, se sa me bashkështetasit e tyre në Uells apo Skoci”, shpjegon Harke.
(gazetaexpress.com)


No comments:

Post a Comment