Dua Ligën e Kampionëve

Sulmuesi i Santosit, Neymar është njëri prej futbollistëve më të kërkuar gjatë afatit kalimtar të verës. Super-talenti brazilian kërkohet nga klube të mëdha evropiane, përfshirë Real Madridin dhe Chelsean, dhe ka insistuar se është i lumtur në Santos. Por, ai ka bërë të ditur se ëndërron të luajë në Ligën e Kampionëve.

Neymar gjatë javës së kaluar spekulohej se kishte arritur marrëveshje për transferim në Santiago Bernabeu, por ai aktualisht është duke u përgatitur për ndeshjen e kthimit që Santos e zhvillon kundër Penarolit në finale të Copa Libertadores të mërkurën. Santos nuk e ka fituar kurorën kontinentale të klubit nga 1963.

“Për momentin jam i përqendruar të fitoj trofeun në Copa Libertadores”, tha Neymar në një intervistë me të përditshmen sportive spanjolle AS. “Mendimi im i parë është të mbetem këtu në Santos për shkak se lumturia është gjithçka, për klubin, për familjen time, për tifozët, gjëja më e rëndësishme është të jesh i lumtur”, shtoi ai.

Mirëpo, 19 vjeçari ka pranuar se një ditë dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve. “Sigurisht, është ëndërr e imja, sikurse e të gjithë futbollistëve në botë. Të luash në atë garë është një privilegj dhe shpresoj ta realizoj një ditë. Dua të luaj edhe në kampionate botërore dhe në ligat më të mira”, u shpreh ai.

Neymar depërtoi nga rangjet e ulëta të Santosit, duke e pasur për idhull Robinhon, i cili i ndihmoi klubit të arrijë në finale të Copa Libertadores 2003 para transferimit në Real Madrid më 2005.

Ata përveç se janë bashkëlojtarë në Kombëtaren e Brazilit, janë edhe miq të ngushtë. Tinejxheri ka thënë se sulmuesi i Milanit, Robinho – i cili luajti edhe në Manchester City – ka vetëm fjalë të mira për aventurën e tij në Evropë.

“Ai më ka thënë gjëra të mira për karrierën e tij në Evropë dhe paraqitjen në Spanjë”, tha Neymar. Por, i riu ka mohuar se transferimi i tij është i pashmangshëm. “Kam kontratë me Santosin dhe jam shumë i lumtur këtu. Besoj se e ardhmja ime i takon Zotit. Transferimi në Evropë mund të ndodhë nesër ose pas dy ose pesë viteve, nuk e di. Më duhet ta shqyrtoj këtë mundësi me babain tim, me nënën time, me të gjithë”, përfundoi ai.
(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment