Shpërthimet në Fushë-Krujë, dhjetëra shtëpi e biznese të dëmtuara.

Ka shpëtuar dy herë nga uji dhe njëherë nga zjarri. Ka frikë nga bubullimat e vetëtimat që paralajmërojnë shiun, ka frikë nga nata, ka frikë nga çdo lloj zhurme, por më shumë ka frikë se çfarë i sjell momenti. Kjo është Sara Xhixha, vogëlushja 12-vjeçare që për t’i shpëtuar ujit që iu fut në shtrat teksa po flinte, së bashku me familjen e papunë, braktisi shtëpinë e rrënuar nga përmbytjet e dimrit në Fushë-Krujë, për t’u zhvendosur disa kilometra më larg te tezja në fshatin Luz, për pak siguri dhe qetësi. Që në fakt, nuk i gjeti asnjërën prej tyre. Në vend të ujit, në shtratin e saj u futën copa xhami dhe suvaje, të shoqëruar me erë baruti. Për fat të keq, banesa ku u transferua Sara ndodhej ngjitur me Urën e Bardharit, që u hodh në erë pas mesnatës së 19 majit. Ndërsa për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz, por shtëpitë dhe bizneset rreth e rrotull u dëmtuan rëndë. Një dëm i cili dita-ditës shtohet me miliona lekë nga shpërthimet seriale gjatë natës me tritol, ndërsa gjithçka po paguhet nga vetë të zotët, pa arritur të marrin kompensim. Dhe nuk janë të vetmit. Rreth e rrotull kanë shumë shokë, që tashmë pasjen e një shtëpie pranë urave e konsiderojnë fatkeqësi. Rreth e rrotull kanë shumë biznese që po ndërpriten, sa herë dikujt i teket të vërë tritol poshtë shtyllave të tensionit të lartë. Rreth e rrotull është edhe fabrika gjigande e çimentos, për të cilën thuhen shumë histori… Disa janë të dëgjuara, disa të imagjinuara, ndërsa diçka do të mësoni sot për herë të parë. Në disa fshatra në Veri të Fushë-Krujës sinjali “SOS” po pëlcet; njerëz që në dimër ikën nga uji dhe shkojnë te… tritoli! Ashtu si Sara…


FËMIJË PA FËMIJËRI
Duke kaluar atë çfarë ka mbetur nga Ura e Bardharit

Shpërthimet me tritol të ndodhura dy muajt e fundit në Fushë-Krujë kanë ndodhur të gjitha pranë fabrikës së çimentos “Seament Holding Group”, që pozicionohet në Veri të këtij qyteti. Janë katër rrugë që të çojnë drejt këtij biznesi gjigand, tre prej tyre janë të pakalueshme nga automjetet e rënda. Ka mbetur ende një rrugë që të çon drejt kësaj fabrike, por edhe kjo disa herë e sabotuar nga tritoli, edhe pse nuk është dëmtuar tërësisht. Banorët e zonës i lidhin këto shpërthime me konkurrencën e biznesit të çimentos, ndërsa policia jep një tjetër pistë; atë të konfliktit të pronësisë së banorëve me administratorët e fabrikës, për shkak të marrjes së pronës me koncesion 99 vjet si tokë shtetërore. Për këtë akuzë, para dy ditësh u arrestuan 5 veta, por çështja është ende në hetim. Sido që të jetë e vërteta, ajo po zbardhet nga policia. Ne po zbardhim atë çfarë nuk do ta gjeni në asnjë raport zyrtar; fëmijë pa fëmijëri, gra shtatzënë të terrorizuara dhe pleq supersticiozë, që besojnë që fatkeqësitë po vijnë ngaqë banorët nuk besojnë më… Tashmë jemi prezantuar me Sarën, rrëfimin e së cilës e lamë në mes, për të bërë një përmbledhje të të gjithë historisë, për ata që nuk e dinin se ç’po ndodh. Është pikërisht momenti për ta vijuar. “Kam frikë të vijë nata. Te shtëpia që kishim në Fushë-Krujë uji më erdhi natën dhe u fut në krevatin tim, kur ndodhi përmbytja e parë. Më pas u mësuam dhe, sa herë kishte shi, babi, mami ose 2 vëllezërit bënin roje me radhë. Një natë, kur shiu nuk kishte pushuar për disa ditë me radhë, u detyruam të zgjoheshim të gjithë nga gjumi dhe të braktisnim njëherë e mirë shtëpinë, pasi po mbyteshim aty brenda”, rrëfen 12-vjeçarja. Teksa flet, bën gjeste me duar sipas tregimit. Kur përmend ujin, bën sikur po noton. Kur përmend natën dhe frikën e gjumit, mbledh supet dhe shtrëngon krahët e vet. Kur përmend braktisjen nga shtëpia, vetëm ul sytë… “Tani kemi ardhur të banojmë këtu te tezja (fshati Luz, pak km larg Fushë-Krujës) derisa të bëjmë një tjetër shtëpi, por edhe këtu, sa bie nata trembem. Para 3 javësh desh më ra të fikët dhe jam rrëzuar nëpër shkallë duke vrapuar dhe bërtitur. Dëgjova një zhurmë të fortë që më tronditi fort dhe më hodhi nga krevati, ndërsa sipër më ranë disa copa muri dhe xhamash. Fillimisht, kujtova se ishte tërmet, ndaj vrapova për të dalë jashtë duke thërritur mamin e babin. Edhe ata më thërrisnin mua dhe vëllezërit. Asnjë nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte dhe pas pak çastesh u gjendëm të gjithë në oborr, së bashku me familjen e tezes. Ishte natë dhe nuk shihnim, ende vijonim të besonim se ishte tërmet, derisa filluam të ndjenim erën e barutit dhe pamë disa flakë të vogla te Ura e Bardharit. Atëherë, më të mëdhenjtë e kuptuan që diçka kishte ndodhur dhe shkuan te ura. U përpoqa të afrohesha edhe unë, se ja, shihe, e kemi ngjitur, por babi më tha që të futesha brenda në shtëpi dhe të flija sërish”, thotë Sara. Të flejë sërish është porosia e çdo nate, por ajo nuk mund të flejë. Sa herë vjen nata, ka frikë të mbyllë sytë. Në ëndërr i del uji që po i merr shtëpinë, bubullima, vetëtima, flakë, zhurma. “Nuk arrij dot të fle”, flet nën zë vogëlushja, e cila, përveç shtëpisë, ka braktisur edhe shkollën. “Kam shkuar ditë-ditë, por është shumë larg shkolla që kisha. Tani përfundoi dhe shpresoj që vitin tjetër të kthehem sërish në shtëpinë time dhe të vijoj shkollën rregullisht”, thotë Sara, edhe pse kthimin e dyshon paksa: “Nuk e di se si do ta ndërtojmë shtëpinë e re, pasi mami e babi nuk punojnë, vetëm njëri nga vëllezërit gjen ndonjëherë punë ditë-ditë. I kam dëgjuar në biseda dhe di që po na ndihmojnë të afërmit, por nuk di të them, nuk di të them, vetëm se…”, lë fjalinë në mes Sara. “Vetëm se…, fol Sara, çfarë ka më tepër”, e pyesim ngadalë dhe po kaq ngadalë marrim edhe një gjysmë përgjigje: “Vetëm se… më ka humbur besimi se do të kthehem sërish një ditë”.

“TRITOLI NA TRIMËRON FËMIJËT NË BARK”

Pas kësaj fraze, është vështirë të kuptosh se kush ta jep më shumë goditjen në kokë: përgjigjja e Sarës në lot, pamundësia për ta ndihmuar këtë vajzë apo dielli që ka rastisur krejt i zjarrtë në këtë bisedë. Çuditërisht, dielli u fsheh shpejt pas reve si për të thënë që nuk ka faj, ndërsa goditja vijoi. Madje edhe më e fortë, ashtu si edhe takimi i radhës me një tjetër fëmijë, Genin. Thotë që është 8 vjeç, por shoku i tij që vetëquhet “Spiderman” bën shaka me të, duke i rënë krahëve: “Ai është bebe, se qan natën dhe urinon në krevat”. Geni i kthehet me grushta, por edhe “Spiderman- i nuk ia përton. Zënka ashpërsohet dhe “Spiderman” kërcënon: “Do të të hedh në erë”, ndërsa Geni ia kthen duke tundur majtas- djathtas gishtin e madh: “Naaaaaa, tritolin e kam unë”. Në moment, pas murit shfaqet një grua shtatzënë, që ecjen e kishte të ngadaltë, por dorën shumë të shpejtë. Me nga një dackë të vogël në kokat e të dyve, ajo i ndan fëmijët, duke i sharë dhe urdhëruar që të kthehen nëpër shtëpi. Është nëna e Genit dhe siç duket, i zë vend si fjala, si dacka, por edhe kurioziteti. Kthehet menjëherë nga ne dhe do të dijë gjithçka, edhe pse u mjaftua me diçka për të folur menjëherë. “Pse, për shpërthimet keni ardhur ju deri këtu? Qyqja, po ato na janë bërë të zakonshme”, thotë gruaja nga fshati Tal dhe që prezantohet me emrin Mira, ndërsa shton duke qeshur: “Mua më kanë forcuar zemrën, më ka trimëruar edhe djalin në bark, jam mësuar, nuk e kam problem. Por një shoqja ime që është edhe ajo shtatzënë, desh ka abortuar nga frika kur shpërtheu ura”. Ajo jep edhe shembuj të tjerë frikësimi të mikeshave të saj, që nga derdhja e gjellëve e deri te derdhja e filxhanëve të kafesë në prehër të vjehrrës, ndërsa ndihet krenare për veten. “Njeriu duhet të mësohet me të mirat dhe të këqijat. Të pranojë vullnetin e Zotit. Unë nuk i besoj as historisë se shpërthimet që po bëhen për shkak të fabrikës së çimentos dhe as për pronësinë. Unë mendoj që përgjithësisht shqiptarët po humbasin besimin në Zot dhe Zoti po i kthen ata që të vrasin njëri-tjetrin”, thotë Mira, kjo grua që justifikon çdo gjë në emër të Zotit, por që nuk e ka për gjë të mallkojë edhe në emër të Tij: “I vraftë Zoti”, ngre zërin ajo instiktivisht, edhe pse në çdo libër të shenjtë thuhet se Zoti nuk vret…

TË GJITHA RRUGËT (S’)TË ÇOJNË TE FABRIKA

Të gjitha rrugët të çojnë te fabrika e çimentos. Më saktë, të çonin. Tani mund të shkosh deri te dyqani i Ismet Hysenajt. I ndodhur në një pikë strategjike, në kryqëzimin e fshatit Luz dhe rrugës që të çon për nga fabrika, ky është dyqani ku ndalojnë më së shumti shoferët e kamionëve që ngarkojnë çimento nga fabrika. Dashur pa dashur, aty ngecemi edhe ne, pasi makina nuk shkon më lart. Tritoli i fundit ka qenë pak metra nga ky dyqan dhe ura ka dalë jashtë funksionit. Se mos vetëm ura… “Ja, ec e shihe vetë. Na janë prishur muret, njëra anë ka rënë komplet në tokë, janë thyer xhamat, dyert dhe dritaret na kanë dalë nga shinat”, thotë bashkëshortja e Ismetit, ndërsa kërkon ta presim pak, sepse një shofer kërkon të blejë diçka. Në kthim, duket se ajo i ka menduar mirë fjalët: “Fëmijët po na qajnë. Ne jemi të trembur, pa gjumë, pa siguri, shpërthimet janë bërë si të zakonshme, edhe pse trembemi shumë. Fajtorët nuk dalin. Policia nuk ndihet. Bashkia jo e jo që të na japë shpërblim për dëmet e shkaktuara. Çfarë të bëjmë ne, më thuaj”. E ç’ti thuash në fakt… Si ajo, duket se janë të gjithë banorët e fshatrave përreth, si Gjole, Tal, Zallë. Këto dy të fundit sapo kanë përjetuar humbjen e pjesshme të urës lidhëse dy net më parë. Do të kishte qenë e plotë, sikur të kishte shpërthyer e gjithë sasia e vënë poshtë saj, por fatmirësisht diçka nuk funksionoi. Vetëm 10 metra larg saj ndodhet shkolla e fshatit Tal, xhamat e së cilës janë bërë copash, ashtu si edhe në disa shtëpi përreth. Rrëfimi është i njëjtë, ankesat të njëjta, ndaj na duhet të ecim… Më këmbë, për më shumë se gjysmë ore, vijojmë rrugën deri te fabrika e çimentos. Dielli, si për inat, ndriçoi edhe më shumë se sa dy orë më parë kur po fliste Sara. Por më inat të vjen për rrugën dhe kohën e shkuar dëm… Te fabrika e çimentos është e pamundur të hysh dhe gjysmë e mundur të bisedosh. Kamera, rojet te dera e jashtme dhe policët privatë në ambientet e brendshme, të paralajmërojnë “STOP”. Askush nuk do të flasë. Me mirësjellje të kërkojnë të largohesh dhe pas pak sekondash jo edhe aq; tashmë largimi është urdhër… dhe “urdhrat nuk diskutohen, por vetëm zbatohen”, është batuta që e përdorim shpesh të gjithë, por që në këtë rast duhej marrë seriozisht. Largohemi nga fabrika, duke vëzhguar anët e jashtme të saj. Në murin rrethues duken ende blloqet e rëna nga shpërthimi i para një muaji, ndërsa rreth 500 metra më tutje, dy net më parë u hodh në erë një shtyllë e tensionit të lartë. Pas një përpjekjeje të dytë për t’u futur në ambientet e fabrikës, por krejt të dështuar, kthehemi mbrapsht, nëpërmjet rrugës së fundit që i ka shpëtuar tritolit, asaj të fshatit Borizan. Fundja, kjo ka mbetur. Të gjitha rrugët s’të çojnë më tek fabrika…

Në Ditën kundër punës së fëmijëve, 30 nën hekurishte

Të shtunën, kudo nëpër ekrane po shfaqeshin shifra që tregonin se si ka rënë punësimi i fëmijëve. Shifra të cilat paraqiten me krenari dhe pompozitet një herë në vit, sa herë është Dita kundër punës së fëmijëve. Ishte një numër
i raportuar prej rreth 70 fëmijësh, të cilët ishin gjetur të punësuar, por gati gjysmën e tyre që nuk janë në raportin zyrtar, po ua tregojmë ne se ku janë… Thjesht, me një “xhiro” të rastësishme. Duke mbledhur hekurishte, ngjitur me fabrikën e çimentos së Fushë-Krujës. Më i vogli duket se ishte 4-5 vjeç dhe po mësohej nga “më të mëdhenjtë 8-9-10 vjeç”, se si të gërmonin tokën dhe të nxirrnin metalet. Rreth 30 të tillë ishin në një pirg, së bashku me të afërmit e tyre, por disa vogëlushë na treguan që, në krahun tjetër ka plot të tjerë. A kishte? Plot, plot, plot, njësoj siç thanë ata vogëlushë

Të arrestuar

Bashkim Zalla, 54 vjeç, nga
fshatin Zallë, Fushë-Krujë, i
dënuar më parë për “vrasje”.
- Edvin Zalla, 31 vjeç, banues
në fshatin Zallë.
- Fredjon Zalla, 26 vjeç, banues
në Zallë, i akuzuar më
parë për “mbajtje pa leje të
armëve e municioneve luftarake”.
- Afrim Xhixha, 35 vjeç, banues
në fshatin Nikël, Fushë-
Krujë.
- Xhabir Vellku, 37 vjeç, banues
në fshatin Budull, Krujë
“Jetojmë një Gërdec të përditshëm”


Xhemal Bardhi, të cilit i është dëmtuar komplet shtëpia nga shpërthimet me tritol

Po bashkëjetojnë me shpërthimet e tritolit, zhurmat, pluhurat. Ankohen, por duket se edhe i pranojnë Të dëmtuar në shtëpi, biznese, por edhe psikologjikisht, banorët e fshatrave përreth fabrikës së çimentos nuk kërkojnë ligjërisht zgjidhje, por vetëm i presin ato. Askush prej tyre nuk ka bërë denoncim për çfarë po ndodh apo të kërkojë shpërblim për dëmet në shtëpi. Plot 1 milion lekë i ka shkruar restaurimi Xhemal Bardhit pas shpërthimit të tritolit në urën ngjitur me shtëpinë e tij dhe pa bërë asnjë ankesë në institucionet zyrtare. “Çfarë ankese? Çfarë

Fabrika e Çimentos në Fushë-Krujë

denoncimi? Këtu ka thuajse çdo natë shpërthime, nuk i ditka policia. Nuk e ditka Bashkia që jemi dëmtuar? Lëre pastaj, se nuk e mendoj fare që do të vijë njeri dhe do të më rregullojë shtëpinë, t’i dalim zot vetes dhe të kemi me shëndet fëmijët, u pa kjo punë”, thotë Xhemal Bardhi, shtëpia e të cilit ndodhet pikërisht ngjitur me urën që ka marrë mbiemrin e tij; Ura e Bardharit. Në oborrin e shtëpisë së tij ndodhen 4 ustallarë që po riparojnë, ndërsa thasët me çimento tregojnë vetvetiu se ka shumë punë për t’u bërë. Nga shpërthimi i tritolit Xhemalit i ka rënë përtokë e gjithë fasada e shtëpisë, xhamat, dyert dhe dritaret kanë lëvizur nga vendi, si dhe i janë dëmtuar shumë objekte brenda.
Shkolla e fshatit Tal që ndodhet pranë urës që e lidh me fshatin Zallë. I është dëmtuar fasada dhe i janë thyer xhamat nga shpërthimi i urës tri ditë më parë

Ashtu si edhe banorët e tjerë, ai thotë se tronditjet janë të zakonshme, por krahasimi që bën për shpërthimin e Urës së Bardharit, është jo i zakonshëm. “Fushë-Kruja është Gërdeci i përditshëm. Të betohem që, kur ka plasur tritoli këtu te Ura, ka qenë fiks si shpërthimi i parë i Gërdecit, se e kam përjetuar edhe atë”, tregon Xhemali, ndërsa këmbëngul: “Jo si i dyti, shpërthimi i parë thashë. Ashtu ka qenë fiks. Jam terrorizuar komplet, mendova se më kanë vënë një makinë me tritol poshtë shtëpisë dhe s’po kuptoja se si isha gjallë akoma”. Teksa rrëfen, humbet paksa mendjen, por kthjellohet shpejt nga zëri i punëtorëve që e pyesin për një vegël pune. Merr leje për të vijuar, ashtu si edhe ne… Megjithatë, kemi një problem. Ura është e rrezikshme për t’u kaluar edhe në këmbë. Ka mbetur vetëm një tra që të çon në anën tjetër. Poshtë saj po punon ekskavatori dhe nuk dihet për sa kohë. Hedhim sytë edhe njëherë nga trari. Dorë për dorë, aty po kalon me hapa të vegjël, të kujdesshëm një grua me një fëmijë. E me këtë pamje, guximi të vjen vetëm, edhe nëse të ka humbur…

LAJMI I VONË / Hidhet në erë linja e hekurudhës së fabrikës

FUSHE-KRUJE – U mendua se do të merrnin fund atentatet me lëndë plasëse në Fushë-Krujë, pas arrestimit të 5 personave ditën e shtunë. Por, rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, një tjetër shpërthim është dëgjuar pranë fabrikës së çimentos, pasi një sasi eksplozivi hodhi në erë një tjetër objekt. Pikërisht linja hekurudhore që kalon nga fabrika për në Vorë ka pësuar dëmtim në një pjesë të saj, në afërsi të fshatit Zallë. Kjo pjesë e hekurudhës u dëmtua
dhe 2 muaj më parë, në një tjetër distancë dhe pas riparimit u vu në funksion. Forca të shumta policie mbërritën mbrëmë në qytezë, për rastin e radhës, i cili shënon ngjarjen e tetë brenda 4 muajve të atentateve me lëndë plasëse. Mes tyre dhe forca speciale kanë zbarkuar në lagjet e qytetit, duke shoqëruar disa persona për ngjarjen. Duket se tmerri
për banorët do të vazhdojë, me përsëritjen pa mbarim të rasteve të shpërthimeve. Të shtunën, policia e Durrësit bëri të ditur arrestimin e 5 personave, tre prej të cilëve banorë të fshatit Zallë, duke u akuzuar për 7 shpërthime, më të fundit hedhjen në erë të dy shtyllave të tensionit të lartë më 8 qershor dhe dëmtimi i urës së fshatit Zallë më 10 qershor, duke
bllokuar rrugën për lëvizjen e makinave të punëtorëve të Fushë-Krujës.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment