SHBA, BE, OSBE: Prisni çertifikimin e rezultatit, do e monitorojmë

Dy ditë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delagacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi dalin me një deklaratë të përbashkët ku bëjnë thirrje palëve për qetësi, pjekuri "duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak".

Në deklaratën e mbërritur sot paradite në redakisitë mediatike nënvizohet se "Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultetet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar."

Tre ambasadorët vazhdojmë më tej duke shtuar se "më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre dhe ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike.” Ata shtojnë gjithashtu se “do të ndjekin nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme. “

DEKLARATA E PLOTE
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delagacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi, deklaruan sot së bashku: "U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak. Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultetet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar. Ne besojmë se më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike. Ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme.

Kolegji Zgjedhor rrëzoi të premten kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për rrëzimin e vendimit 709. Vendimi shërbeu si bazë për vlerësimin e votave të kontestuara, të hedhura në kutinë e gabuar, nga numërimi i të cilave Basha doli fitues me 81 vota.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment