Serbia hamendësohet, shtyhen bisedimet

Në kohën kur pritej nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, tërhiqet Serbia! Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri ka deklaruar se takimi i radhës i cili parashikohej në mes të këtij muaji në Bruksel është anuluar me kërkesë të Serbisë.

Në një intervistë për Top Channel, Tahiri shprehet se pala serbe duket se po i frikësohet nënshkrimit të një marrëveshjeje në të cilën përfshihen çështja e lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, çështja e energjisë, telekomunikacionit, çështjet për kthimin e dokumenteve kadastrale, regjistrave civil, njohja reciproke e diplomave, problemi i personave të pagjeturve, si dhe demet e luftës ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës.

“Sa herë i ofrohemi nënshkrimit të marrëveshjeve konkrete, Serbia tërhiqet. Është paralajmëruar raundi i 5-të i bisedimeve, por pala serbe ka kërkuar kohë për të marrë vendim dhe për këtë arsye data është shtyrë”, ka thënë Tahiri.

Kryenegocitorja kosovare duket se nuk e ka ndër mend t’ia dorëzoj platformën e bisedimeve Kuvendit apo Presidencës. Tahiri thotë se, për çdo detaj të bisedimeve ajo, por edhe kryeministri Thaçi informon Parlamentin dhe Presidencën. Ajo këmbëngul se në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht pala kosovare nuk do të pranojë që në bisedime të diskutohet çështja e statusit apo çështja e veriut të vendit. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment