Krasniqi: Kjo qeveri ka shumë ministra

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, konfirmoi se Kuvendi i Kosovës dhe ai personalisht ende nuk kanë marrë nga delegacioni i Kosovës platformën e bisedimeve të deritanishme me Serbinë.


Ndërkaq lidhur me ndërprerjen e marrëveshjes me FMN-së, ai ka thënë kjo çështje kryekëput bie mbi qeverinë, pasi sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë palë e negociatave me FMN-në.

Në një intervistë për RTV21, Krasniqi tha se Kuvendi i Kosovës ka marrë vesh për përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë nga deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të qeverisë.

Ai tha se kopjet e dokumenteve të regjistrit civil dhe të kadastrës për të cilat thuhet se Beogradi do t’i dorëzojë Kosovës si rezultatet i bisedimeve, nuk janë valide. “Kopjet nuk janë dokumente valide, ato janë kopje dhe validiteti i tyre varet nga origjinaliteti”, tha Krasniqi.

Ai tha se temat të cilat mund të bisedohen me Serbinë nuk mund të tejkalojnë kornizat e rezolutës së miratuar në Kuvend dhe Kushtetutës së Kosovës, duke precizuar se veriu i vendit nuk mund të jetë temë e këtyre bisedimeve.
Duke folur për përbërjen e Qeverisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se mendon se numri i ministrive është shumë i madh dhe shtoi se pret që kjo të rregullohet me Kushtetutën e Kosovës, e cila pritet të pësojë ndryshime edhe në këtë çështje.

“Gjithmonë kam thënë se gjithkund ku ka shumë njerëz punohet më pak. Mendoj se qeveria ka shumë ministri”, tha Krasniqi.

Në intervistën e dhënë për emisionin “Argument Plus”, Krasniqi flet edhe për ndërprerjen e marrëveshjes me FMN-së, duke theksuar se kjo çështje kryekëput bie mbi qeverinë, pasi sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë palë e negociatave me FMN-në.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment