Salihi mision i pamundur me Bosnjen, rrezikon edhe Kapllani

 
Shkodrani ndien dhimbje dhe nuk ka vrapuar me shokët. Riaftësimi deri më 7 qershor duket si ëndërr

Hamdi Salihi me shumë mundësi do të të jetë mungesa e madhe e kombëtares në ndeshjen me Bosnjën në “Zenica”. Dëmtimi në pulpë është serioz, aq sa shkodrani çalon kur ecën. Për fat të keq, kjo u dallua qartë në momentin kur zbriti nga makina e Gjergji Muzakës dhe u nis drejt hyrjes së hotelit ku është grumbulluar kombëtarja.

Të gjithë duken të shqetësuar, sidomos stafi teknik dhe ai mjekësor, që nuk e ka kohën e mjaftueshme për ta riaftësuar në kohë. “Ndiej shumë dhembje,” – shprehet më gjysmë zëri Salihi, duke pranuar në mënyrë të heshtur “humbjen” për ndeshjen e radhës.

Ekzaminimi: Cila është shkalla e dëmtimit të Salihit: tërheqje, kontaktim apo këputje e muskulit? Stafi mjekësor nuk di ta thotë saktësisht, ose më mirë nuk dëshiron ta thotë. “Do të shikojmë sesi do të jetë gjendja e tij në ditët në vazhdim, por nuk mund të themi me siguri nëse do të mungojë me Bosnjën,” – shprehen burime pranë stafit mjekësor.

Prania e Hamdi Salihit në fushë më 7 qershor duket mision i pamundur. Më shumë mundësi ai nuk do të udhëtojë fare me skuadrën, për t’i lënë vendin një sulmuesi tjetër. Por kujt?


Rrezikon edhe Kapllani: Fatkeqësisht, Hamdi Salihi nuk është “viktima” e vetme e ndeshjes së kontrollit me Olimpikun. Dje paradite u mësua se edhe Edmond Kapllani ka probleme fizike. “Kam kontraktim në kofshë, por shpresoj të më kaloi,” – shprehet Kapllani.

Sikurse Salihi, edhe Edmond Kapllani ka kontraktim, por jo në pulpë. Ai ndien dhembje në kofshë, që do të thotë se është në rrezik për ndeshjen me Bosnjën.

Mbingarkesa: Nuk mund të jetë e rastësishme që dy futbollistë të kombëtares pësojnë kontraktim muskular në të njëjtën kohë, gjatë një ndeshjeje kontrolli. Madje burime pranë kombëtares thonë se ka futbollistë të tjerë kuqezi që ndiejnë shqetësimë të tilla, ndonëse jo në në atë shkallë sa Salihi dhe Kapllani.

Arsyeja më sa duket është ngarkesa e lartë fizike që futbollistët kanë marrë gjatë dy ditëve të para të grumbullimit zyrtar (31 maj dhe 1 qershor). Kuqezinjtë janë stërvitur dy herë në ditë, duke zhvilluar më së shumti ushtrime fizike, por edhe me topin, mirëpo fiziku e disa futbollistëve duket se nuk e ka përballuar ngarkesën e lartë.

Stërvitje në plazh: Trajneri Kuzhe është ndikuar direkt nga situata e krijuar dhe ka ndërruar kurs. Seanca e djeshme stërvitore ishte parashikuar të zhvillohet në stadiumin “Besa” të Kavajës, por nuk ndodhi kështu.

Kuqezinjtë kanë bërë shëtitje në breg të detit, duke vijuar me vrapime të lehta dhe ushtrime shkrydhëse. Hamdi Salihi nuk është stërvitur me grupin, por ka qëndruar me fizioterapistin Bulinger, ndërsa Kapllani, gjendja e të cilit është më e mirë, ka qëndruar me futbollistët e tjerë.


Dëmtimet pështjellojnë idetë e Kuzhes

Mungesa e mundshme e një lojtari shumë të rëndësishëm, siç është Hamdi Salihi, sigurisht që ia prish planet kroatit Kuzhe për formacionin që do të hedhë në fushë dhe mënyrën lojës që duhet të zhvillojë kombëtarja jonë. Deri dy ditë më parë, Kuzhe kishte planifikuar një skuadër të vendosur mirë prapa, por të gatshme për të kundërsulmuar rrezikshëm.

Mbrojtja do të jetë aj klasike, me Dallkun në të djathtë, Cana-Teli (Curri) në qendër dhe Vangjeli në të majtë. Sa i përket mesfushës, Altin Lala do të vendoset para mbrojtjes, ndërsa Bulku dhe Lila të spostuar më përpara dhe në ansësore (për t’u ardhur menjëherë në ndihmë mbrojtësve anësorë).

Skela (i majtë) dhe Salihi (i djathtë) do të ishin më të avancuar në mesfushë, për të mbështetur sulmuesin e avancuar Bogdani. Me dëmtimin e Salihit, Kuzhe mund të aktivizojë titullar (ndërrim kokë më kokë) Elis Bakajn, për të ruajtur skemën. “E kam në kokë formacionin, por do të shikoj ditët në vazhdim nëse do të ndryshojmë diçka,” – do të shprehej Kuzhe pas ndeshjes së kontrollit.

Pa Salihin në sulm, Skela mund të rreshtohet pas Bogdanit, por kjo lëvizje do të sjellë ndryshime nga krahët (Lila mund të mbetet jashtë, ndërsa Agolli mund të aktivizohet si zakonisht në krahun e majtë të mesfushës). Gjithsesi, vendimin përfundimtar Kuzhe do ta marrë një ditë para ndeshjes.

(sportishqiptar.com)

No comments:

Post a Comment