Sahin synon një vend në mesin e yjeve

Nuri Sahin synon një vend në formacionin bazë të Real Madridit, pas rikthimit nga lëndimi për sezonin 2011-12. Ish mesfushori i Borussia Dortmundit është i vetëdijshëm për konkurrencën e fortë në ekipin titullar të gjigantit madrilen, por është i gatshëm për sfida të reja në La Liga.

22 vjeçari shkëlqeu duke i ndihmuar Dortmundit të fitojë titullin në Bundesligë sezonin e fundit, por e di se ekipi në Bernabeu përbëhet nga yje.

“E di se gara është e fortë në një ekip të madh si Real Madridi, por jam i sigurt se do të siguroj një vend në formacionin bazë”, tha Sahin për AS. Reprezentuesi turk ka pranuar se është i lumtur që u transferua në ekipin e Jose Mourinhos.

“Po, është klubi më i rëndësishëm dhe më i madh në botë, të gjithë futbollistët duan që në një fazë të karrierës së tyre të luajnë këtu dhe jam shumë i lumtur që më është ofruar një mundësi e tillë. Kam punuar shumë për të ardhur deri këtu”, shtoi ai.

Sahin mungoi në fazën përfundimtare të sezonit të kaluar për shkak të një lëndimi, por tani thotë se është rikuperuar dhe i gatshëm për ekipin e tij të ri. “Jam rikuperuar plotësisht dhe jam i gatshëm të punoj me bashkëlojtarët e ri. Mes tyre kam edhe shokë të mirë, Altintop dhe Ozil”, përfundoi ai.



(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment