Ballack hidhërohet me Gjermaninë

Michael Ballack ka reaguar me hidhërim ndaj ofertës së selektorit të Gjermanisë, Joachim Low, për përfundimin e karrierës ndërkombëtare të tij në miqësoren kundër Brazilit në gusht. Ideja ishte propozuar nga Low, i cili bëri të ditur se nuk llogarit më në 34 vjeçarin, pasi u përqendrua të rinjtë para Euro 2012.

Mesfushori i Bayer Leverkusenit, Ballack tha: “Të quani një miqësore të caktuar shumë kohë më parë si ndeshje përshëndetëse është një farsë. E di se i kam borxh tifozëve të mi këtë ndeshje, por nuk mund të pranoj ofertën”.

Ballack, i cili iu bashkua Leverkusenit verën e kaluar pasi ishte liruar nga Chelsea, ka shënuar 42 gola në 98 paraqitje për Gjermaninë prej debutimit të tij më 1999. Por, ai nuk ka luajtur për ekipin kombëtar nga marsi 2010, kur pësoi një lëndim në nyje që i pamundësoi të paraqitet në Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut, nga ku Gjermania përfundoi e treta.

Prej asaj kohe, Ballack është rikuperuar nga lëndimi për të luajtur me Leverkusenin, por Low nuk e ka ftuar më në ekip.

Në një komunikatë Ballack shtoi: “Kam mësuar dje (të enjten), në pushim, nëpërmjet një njoftimi se selektori i Kombëtares nuk llogarit më në mua. Stili dhe përmbajtja e komunikatës nga Low janë fatkeqësisht të njëjta me mënyrën si më ka trajtuar prej lëndimit tim serioz në verën e vitit të kaluar”.



(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment