Ruçi: PE ofroi dy ekspertë nga Venecia

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, tha dje se padisë së fundit të PS në Kolegj do t’i shtohen dhe kërkesa të reja.Këtë deklaratë Ruçi e bëri gjatë emisionit “Top Story” në “Top Channel”. Ruçi e cilësoi të qëllimshëm vonesën e zbardhjes së vendimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor. “Vonesa e dhënies së vendimit nga Kolegji ishte e qëllimshme vetëm e vetëm që të pritej kërkesa jonë, mbi bazën e së cilës do të adoptohej dhe vendimi i Kolegjit. Mos mendoni se në këtë kërkesë të re që kemi çuar, është e tëra, sepse ne e dimë se me kë kemi të bëjmë dhe me ç’pushtet dhe ç’drejtësi kemi të bëjmë. Ne do të çojmë kërkesë shtesë pikërisht që të mos përfshihej në arsyetimin e vendimit të Kolegjit”, u shpreh Ruçi. Duke folur për domosdoshmërinë e ekspertëve të Komisionit të Venecias, Ruçi tha se ambasadorët e huaj ia kërkuan këtë Ramës dhe Berishës. “Ne kemi kërkuar që në fillim një arbitër ndërkombëtar. Madje ky arbitër u ofrua nga Bashkimi Europian, nga Parlamenti Europian nga një i djathtë, që është kryetari i Komitetit të përbashkët BE-Shqipëri, zoti Kukan, që tha se është e domosdoshme. Në rrugë diplomatike i është kërkuar dhe zotit Rama, se s’ka ndonjë sekret këtu, dhe zotit Berisha, duke u thënë se këtë ekspertizë ne e duam për llogari tonën dhe jo tuajën, për të shuar këtë shenjë dyshimi se si është zhvilluar procesi nga KQZ. Si një vend që aplikon për në BE, ata mund të sjellin dy ekspertë dhe një komisioni, siç është Komisioni i Venecias, për të dhënë një konkluzion për llogari të tyre. Atëherë, pse nuk pranon Sali Berisha?”, u shpreh Ruçi. Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist akuzoi Partinë Demokratike se mbushi kutitë e votimit në Tiranë me vota pro Lulzim Bashës, duke hequr votat e zgjedhësve për Edi Ramën. “Operacioni për të hetuar 117 kutitë nuk filloi kur vendosi Ristani, por kur doli në konferencë për shtyp Sali Berisha. Nga ai moment të gjithë ministrat dhe zv.ministrat u turrën për të gjetur vota në KZAZ. Edhe kur u mbyll procesi në Njësinë Nr.5 dhe kishin dërguar të gjitha materialet zgjedhore në KQZ, pastruesja gjeti nën mbulesën e tavolinës së numërimit të votave fletë votimi për Edi Ramën, që komisioneri i PD i kishte hequr nga kutia. Numëruesve të PD iu dhanë fletë votimi të tjera për Bashën dhe, në kohën që hapet kutia dhe zbrazen fletët e votimit, aty hidhen dhe fletët që ai i mbante fshehur. Ka faj komisioneri i PS që nuk ruajti atë të PD, se nga dhe kur i nxori 2-3 fletët e votimit, nga xhepi, nga gjoksi etj”, u shpreh Ruçi.

Numri dy në Partinë Socialiste akuzoi anëtarët e Kolegjit Zgjedhor për mungesë integriteti profesional. “Po të kishte integritet profesional, relatori i Kolegjit Zgjedhor do të jepte vendimin brenda afatit të Kodit Zgjedhor, po të kishte integritet, nuk do të bënte komente në televizionet shqiptare dhe të huaja. Nëse do të kishte integritet ky Kolegj, duhet të thoshte se nuk mundet KQZ të bëjë hetim në përfundim të procesit apo nëse duhet ta bënte, ta bënte në të katër kutitë e çdo qendre votimi në të gjithë Tiranën”, u shpreh Ruçi.

Ankimimi

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist këmbënguli në ndjekjen e rrugës ligjore të PS, duke u shprehur se po bën atë që i kanë kërkuar gjithnjë rrugët institucionale. “Zbatuam dhe do të zbatojmë të gjitha rregullat institucionale. Vonesa e vendimit ka qenë e qëllimshme deri në depozitimin e kërkesës së re të PS-së, e cila, pasi u mor, u konsultua nga juristët e PD-së, bënë atë konsultim dhe dhanë vendimin pas 2 ditësh. Ky është realiteti”, tha Ruçi.

Kolegji Zgjedhor vendos rinumërim në 2 komuna

Kolegji Zgjedhor e detyron Komisionin Qendror të Zgje-dhjeve të bëjë rinumërimin e votave në disa qendra votimi për dy komuna ku u votua në zgjedhjet lokale të 8 majit. Në seancat e djeshme të shqyrtimit të padive, trupa e gjyqtarëve pranoi pjesërisht dy kërkesa të Partisë Socialiste për komunat Maqellarë në Dibër dhe Karbunarë në Lushnjë. Në të dyja këto njësi vendore kanë dalë fitues kandidatët e mbështetur nga koalicioni i djathtë. Sipas pretendimeve të paraqitura nga PS-ja, në Maqellarë, në disa qendra votimi nuk korrespondon numri i votave të formatuara në procesverbalet e numërimit me numrin e votave të konstatuara dhe të fiksuara në monitorët e vëzhgimit. “Rezulton se numri i votave të kandidatit kundërshtar, i fiksuar në procesverbalet e të gjitha QV-ve, është më i madh se ai i fiksuar gjatë procesit të monitorimit dhe vëzhgimit, ndërsa numri i votave të ankuesit është më i vogël se ai që është konstatuar në monitorim”, thuhet në padinë e Partisë Socialiste. Gjithashtu, PS-ja pretendoi se nuk korrespondon numri i votave të pavlefshme të konstatuara me ato të fiksuara në procesverbalet e grupeve të numërimit. Kolegji pranoi në të njëjtën situatë pjesërisht një kërkesë të PS-së për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në dy qendra votimi në komunën Karbunarë të rrethit të Lushnjës. Sipas përfaqësuesve të PS-së, në dy qendra votimi, konkretisht QV 2840 dhe 2844, votat e pavlefshme u numëruan si vota të kandidatit të Partisë Demokratike.

Gjiknuri: Kolegji, vendim politik

Partia Socialiste i ka vlerësuar si të papranueshme argumentet ligjore që Kolegji Zgjedhor dha në lidhje me rrëzimin e kërkesë padisë. Deputeti socialist Damian Gjiknuri paraqiti dje faktet, që sipas tij tregojnë qartazi se nuk kemi të bëjmë me një vendim të bazuar në ligj, Në lidhje me fletët e hedhura në kutitë e gabuara dhe për vlerësimin e votave nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Gjiknuri vlerësoi se Kolegji ka bërë një lajthitje. Sipas tij, asnjë nga nenet e cituara nga Kolegji nuk arsyetojnë këto pretendime në Kushtetutë, duke bërë që Kolegji të shtrembërojë realitetin. “Neni 45 i Kushtetutws, tw cilit i referohet vendimi i kolegjit nuk përcakton asnjw detyrim ndaj KQZ-së në Kushtetutë për të numëruar cdo votë. Kjo është shumë shqetësuese, se si një arsyetim politik, që e ka përmendur PD kudo gjen vend në arsyetimin e Kolegjit”, u shpreh Gjiknuri.

Tabaku: Vlerësojmë vendimin e Kolegjit

Partia Demokratike shprehu dje vlerësime për zbardhjen dhe publikimin e vendimit brenda afatit ligjor nga Kolegji Zgjedhor, dhe për argumentet e arsyetimin ligjor dhe kushtetues që ka parashtruar. Në një prononcim për mediat, këshilltarja e PD-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, tha se arsyetimi ligjor që Kolegji Zgjedhor ka parashtruar dëshmon qartë se ky vendim është marrë mbi baza ligjore, dhe jo nën ndikimin e presionit politik. Duke falenderuar kryeqytetasit për durimin dhe qetësinë që kanë treguar gjatë gjithë procesit, Tabaku theksoi se “ndërkohë që pala tjetër ka ndërmarre një fushatë presionesh politike në përpjekje për të influencuar Kolegjin Zgjedhor, ne shprehemi të bindur se vendimet duhet të merren bazuar ne ligj, dhe të pandikuara nga presioni politik”.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment