A mund ta shpëtojë Kolegji Zgjedhor Saliun?

Të gjithë e ndiejnë dhe e shohin përditë se gjendja në Shqipëri sot është shumë e rëndë. Kudo ku nuk funksionon sistemi demokratik, gjendja është e rëndë. Diktaturat ose autoritarizmat që krijojnë tiranitë, historikisht kanë qenë dhe janë gjendje tensioni në çdo shtet të kohëve moderne. Sot popujt kanë filluar që të mos e pranojnë tiraninë edhe jashtë Europës: shembullin më konkret për këtë e dha Bota Arabe në këtë pranverë. Kryengritjet e saj, treguan se koha kërkon liri individuale, dhe vota e lirë është i vetmja zgjidhje për lirinë individual.

Por, fatkeqësi për shqiptarët, që, edhe ata po gjenden ende në këtë vorbull arabe, ku arabët po kërkojnë të votojnë të lirë. Ka dy vjet që populli opozitar shqiptar po përplaset me uzurpatorët e votës së lirë të shqiptarëve; dhe muaji maj e solli që kjo përplasje të jetë vendimtare, e ashpër, e nxehtë derisa të fitohet pa mëdyshje liria që vjen nga vota e lirë.

Le ta analizojmë këtë gjendje të re, që ka ardhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 8 majit.

Ishte e ditur për këdo që, Sali Berisha, nuk mund të jetonte dot asnjë orë me votë të lirë në Shqipëri. Ai është një person që jo vetëm që nuk pranohet nga më se 70 për qind të shqiptarëve, por edhe urrehet prej tyre. Por gjendja keqësohet sepse ai, duke pasur pushtetin, ka bërë çmos që të vijojë të sundojë dukë manipuluar zgjedhjet. Dhe, koha e tregoi që ai i manipuloi hapur në Tiranë, edhe zgjedhjet e 8 majit. Dhe e dini pse?

Shumë e thjeshtë: ai duhej të jepte dorëheqjen se humbi tre të katërtat e Shqipërisë. Shqiptarët, si një trup i vetëm, dolën masivisht në votime dhe ia shkallmuan atij një makineri gjigante manipulimi. Forca më e madhe e kësaj makinerie u përdor në Tiranë. Grupi i tij, një bandë hajdutësh, ka shpenzuar në Tiranë mbi 50 milionë uro. Vetëm familja e tij grabitqare ka shpenzuar mbi 15 milionë Euro. Ata bënë gjithçka: sollën e nga nuk sollën njerëz që të votonin në Tiranë, mbi 25 mijë persona, pasi për dy vjet rresht i kishin regjistruar si banues të Tiranës.

Blenë vota më 250 Euro votën. Kërcënuan të gjithë administratën shtetërore, mësuesit, mjekët dhe infermierët. Të gjithë të punësuarit në shtet, u gjenden të kërcënuar për votën; i prodhuan vetë fletët e votimit me një kompani private shqiptare. Kompania shqiptare quhet: “Media Print”. Kjo kompani realisht drejtohet nga Partia Demokratike, dhe, që nga viti 2000, shtyp posterat e PD-së, sponsorizon PD, nga tenderët që i jep administrata shqiptare, të gjitha në mbikëqyrjen e një injoranti qesharak si Flamur Noka.

Saliu, i ndërgjegjshëm për urrejtjen e shqiptarëve kundrejt tij, kërcënoi, bleu, falsifikoi me kartat e identitetit që i prodhon vetë; i bëri presion të gjithë botës mediatike shqiptare; hodhi fletë nëpër kuti me ndihmën e “Media Prin”-it dhe, sërish, nuk ia doli. Shqiptarët ia shkallmuan të gjithë atë makineri gjigante manipulimi, dhe, njëherësh e detyruan që kutia e fundit, nga ku dilte fituesi për Tiranën, të numërohej botërisht në syrin e të gjithë shqiptarëve.

Saliu, si kapacitet mediokër që është në çdo gjë, pat menduar se i kishte marrë masat. Ai me presione dhe bllokime të minibashkisë nr. 5 në Kryeqytet, e solli gjendjen që, kandidati i tij Basha, duke qenë para Ramës, kutia e fundit të paraqitej si gara e fituesit. Në fund, Basha humbi me dhjetë vota; ndonëse ndoca mediokër e torollakë që kishte Saliu në sallën e numërimit, u ngritën e brohoritën për fitoren e Bashës, dhe mobilizuan të gjitha hordhitë barbare në Tiranë për të kremtuar një fitore të paqenë.

Pas një orë, lajmi u dha se Rama kishte fituar me dhjetë vota. Një humnerë i doli përpara Saliut: ai duhej të jepte dorëheqjen se kishte humbur të gjithë Shqipërinë qytetare, të gjitha akset: Aksin – Tiranë, Durrës, Elbasan Korçë; gjithsej rreth dy milionë shqiptarë. Aksin: Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Berat – gjithsej rreth tetëqind mijë shqiptarë. Pastaj mori tre qytete veriorë: Has, Burrel, Laç dhe Fushë-Krujë; dhe katër ose pesë komuna të mëdha të zonave veriore, duke përfshirë edhe Shëngjinin e Velipojën.

Opozita i mori të gjithë bregdetin; shenjë kjo që askush në këtë vijë bregdetare nuk mund ta pranonte babëzinë grabitëse që kishte bërë familja dhe klani Berisha në bregdetin shqiptar. Urrejtjen për vjedhjen, njerëzit e bregdetit shqiptar e goditën me votë. Kavaja ishte njëra nga këto, ndonëse Saliu e mbante si bastionin e tij; madje deri duke u tallur me kavajasit që kishin votuar qorrazi për të. Domethënë Saliu ka humbur thellë, dhe nuk mund të qëndroja asnjë ditë në pushtet. Opozita, me këtë fitore drastike, i provoi se ai i ka manipuluar zgjedhjet e qershorit të vitit 2009.

Por Saliu, në fakt, nuk kishte sesi të vepronte me arsyen politike dhe shoqërore të gjërave. Ai kishte humbur, në sytë e shqiptarëve ishte një hiç, por i tillë ishte edhe përpara kukullave që ka në Partinë Demokratike, sepse ata e kuptojnë se nuk mund të fitojnë më në Shqipëri, veçse me rrugë kriminale. Por edhe kjo lloj rruge i ishte zhvleftësuar. Saliu ishte nën presion dyfish: edhe brenda vetes, edhe nga opinioni publik.

Për këtë bëri një parainfarkt; por, teksa u ngrit nga kjo gjendje, pas disa ditësh në shtrat, bëri hapin më aventuresk, më të rrezikshëm për të dhe më të pamoralshëm në aspektin historik: urdhëroi që, pasi të prodhoheshin fletë të tjera votimi nga kompania “Media Print”, të hidheshin ato nëpër kutitë që nuk kishin lidhje me kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë, por me kryetarët për minibashkitë e Tiranës, dhe pastaj t’i numëronte ato me anë të segmentit politik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Urdhëroi katër anëtarët e tij partiakë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të hapnin kutitë dhe ata i hapën e numëruan vota që kurrë nuk dihet se si janë gjendur në kutitë e ashtuquajtura të gabuara; por që, më në fund, u numëruan. Dhe një KQZ gjysmake, vetëm seksioni politik i Partisë Demokratike, domethënë i Saliut, shpalli fitues Lulëzim Bashën. Dhe ky, me një paraqitje qesharake e të shtirë, duke kërcyer nga belaja, doli e tha se kishte fituar; dhe se, me këtë rast, na paskësh qenë respektuar vullneti shqiptarëve për t’u numëruar çdo votë.

Në fakt, kjo ishte ndërmarrja e fundit për të shpëtuar edhe veten edhe Saliun, sepse, pas kësaj humbje, Saliun nuk mund ta pranonte më as partia e tij. Ja kjo është gjendja; e cila tani ndodhet në gjykim në Kolegjin Zgjedhor, i cili duhet të votojë të hënën, më 12 qershor: ose manipulimin e Saliut, ose të respektojë ligjin e t’i japë Ramës mandatin për të qeverisur Bashkinë e Tiranës, sepse ky, duke korrur botërisht një fitore të përmasave të mëdha; njëherësh rrëzoi edhe Saliun, një njeri të urryer të shqiptarëve.

Por, a ka hapësirë juridike, domethënë ligjore, që Kolegji Zgjedhor, të shpëtojë Saliun duke dhënë një vendim të paligjshëm, e të rrëzojë fitoren e Edi Ramës, kur këtë e dinë të gjithë shqiptarët se është fituesi, jo vetëm i Tiranës, por i të gjithë Shqipërisë?





II





Le ta shohim tani çështjen edhe juridikisht.

Që të fitosh një çështje gjyqësore, civile dhe administrative, duhet që të kesh prova për atë që kërkon. Në fakt, kërkesa e opozitës është e thjeshte: Kolegji Zgjedhor duhet të certifikojë fitoren prej dhjetë votash të Edi Ramës, se të gjitha veprimet dhe ndërhyrjet e tjera nëpër tabelat e rezultateve janë joligjore dhe një manipulim i hapur. Ja analiza e kësaj të vërtete; që duhet të rrjedhë në përgjigje të këtyre pyetjeve:

Me çfarë të drejte ligjore KQZ vendosi që, një numër tjetër votash, të pasqyroheshin në tabelat e rezultateve që kishin nxjerrë KZAZ-të e kryeqytetit, gjithsej njëmbëdhjetë; dhe ku i gjeti ato?

Votat që KQZ shtoi nëpër njëmbëdhjetë tabelat e njëmbëdhjetë zona të Tiranës, kishin qenë mangët nëpër tabelat e rezultateve, apo jo? Dhe, cila ka qenë gjendja e tabelave në lidhje me matricën që duhet të ketë domosdoshmërisht një kuti zgjedhore që rezultati të jetë i vlefshëm; kur matrica dihet se është: numri i votuesve që kanë votuar në një qendër votimi, duhet të jetë i barabartë me, fletët e votimit që janë gjetur në kutinë e votimit për një qendër zgjedhore?

Cila ka qenë kërkesa, e cila ka vënë në lëvizje KQZ-në për të hapur kutitë e tjera të votimit për të kërkuar atje vota për kryetarin e bashkisë Tiranë, pasi kishte mbaruar numërimi?

KQZ ka deklaruar botërisht se kutitë e gabuara janë hapur si pasojë e kërkesës që kanë bërë disa numërues të Partisë Demokratike që i kanë parë votat nëpër kuti. Por, a kanë të drejtë numëruesit që, pasi të kenë numëruar dhe të kenë firmosur tabelat e rezultatit për çdo kuti të numëruar, të bëjnë një ankesë individuale për hapjen e kutive që nuk i përkasin kutisë ku është votuar për kryetarin e bashkisë së Tiranës?

A ka ndonjë rast në botën demokratikë kur një gjykatë apo një komision qendror që gjykon një çështje, të vihet në lëvizje nga subjekte që nuk i njeh ligji për të tillë?

Cili ka qenë mendimi i arbitrit ndërkombëtar: OSBE dhe ODIR për këtë çështje.

A kemi një precedent botëror që të ketë zgjedhur një çështje të tillë?





III





Me çfarë të drejte ligjore KQZ vendosi që, një numër tjetër votash që u gjetën në kuti të tjera, duhej të pasqyroheshin në tabelat e rezultateve që kishin nxjerrë KZAZ-të e kryeqytetit, për kryetarin e bashkisë së Tiranës?

Sipas Kodit Zgjedhor aktual, as KZAZ dhe as KQZ, në asnjë rast, nuk mund të kenë të drejtën që, të rendisin në tabelën e numërimit të votave, edhe vota që mund të jenë gjetur në kutitë e tjera, ku votohet për bashkinë e vogël të Tiranës, apo për dy këshillat respektivë të dy bashkive. Kjo nuk është e parashikuar në ligj si kompetencë as dhe një rast në të gjithë territorin; ku rregullisht votohet me dy kuti, për kryetarin e bashkisë apo të komunës, dhe për këshillat respektivë. Përkatësisht, as neni 122.

As neni 123 i Kodit Zgjedhor, që merret specialisht me këtë çështje, as që e ngre fare si problem këtë rast. Kjo, sepse është logjikë, që, për faktin që janë dy, apo katër kuti votimi, me flete përkatëse të dalluara nga njëra-tjetra, dhe jo një e tillë, ku të hidhen në fillim e mandej të ndahen gjatë numërimit sipas karakterit, kuptohet se ligji është strikt dhe pa lëshim: fleta e gjetur në kutinë tjetër është e pavlefshme. Kjo sepse, ajo fletë e gjetur në kutinë e gabuar, kurrë nuk mund të dihet pse është hedhur atje, dhe, si është hedhur atje, gjithmonë duke ruajtur karakterin e fshehtë të votës, dhe sigurinë për t’u ruajtur nga çdo manipulim i mundshëm.

Dy janë çështjet thelbësore në një procedurë votimi: siguria që kërkon individi për fshehtësinë e votës; dhe siguria që garanton garuesin se votimi nuk do të manipulohet. Atëherë, ku e gjeti këtë të drejtë KQZ, që hapi kutitë ku ishte votuar për kryetarin e minibashkisë. Askund. Ajo, mund ta kishte këtë të drejtë, por vetëm nëse ndërmerrte një akt normative.

Madje, po ta shohësh me vëmendje, të gjithë maskaradën e kësaj çështje, të drejtuar nga një injorant, aventurier dhe njeri i shtypur me thundër nga Saliu, një i quajturi Ristani, Ristani; domethënë, po ta shohësh me vëmendje kronologjinë televizive të këtij procesi, sheh se, në fillim të tij, ky biroja Ristani, duke qenë një injorant, mendoi se mund ta kalonte këtë çështje me akt normativ. Por, shpejt u fsheh, dhe nuk ndërmori asnjë akt, sepse dikush ndoshta i ka thënë se ajo është shkelje flagrante dhe krim i hapur, se, sipas nenit 23 të Kodit Zgjedhor, duheshin pesë vota.

Por, sigurisht që, në kokë, i rrinte thundra e Saliut, i cili duhej të rrezohej bashkë më Bashën. Histeri, ka pasur, kërcënim sigurisht, dhe Ristoja i hapi kutitë, pa asnjë vendim ligjor. Por më në fund, pasi i grumbulloi të gjitha votat që kishin hedhur aty në bashkëpunim me “Media Print”; pasi i vendosi nëpër tabelat përkatëse, shpalli edhe rezultatin, që nxirrte fitues Lulëzim Bashën me 81 vota përpara. Një gjë e tillë nuk ishte parë ndonjëherë; dhe nuk mendoj se do të shihet, ashtu sikundër që ka shumë e shumë ndodhi të tilla që lidhen me kryeministrin uzurpator Sali.

Por, për çudi, më në fund, ekipi politik i Partisë Demokratike, katër komisionerë të KQZ, dhanë edhe një vendim të njëanshëm, pa e menduar se, kurrë nuk mund të nxirrnin një fitues më vota të mbledhura andej-këndej, pas procesit të votimit dhe procesit të numërimit.

Veçse, e gjithë kjo, nuk mjaftoi, por me një vendim fare të pakuptimtë, një relator i quajtur Tom Ndreca, na ka dhënë në dorë një vendim të Kolegjit Zgjedhor, ku nuk arsyetohet asgjë, përveç faktit që, ky Kolegj i jep të drejtë KZAZ, përkatësisht KQZ-së, në hapjen e kutive të tjera, sepse me këtë rast, KQZ, si KZAZ, paska ndrequr një aksident në hedhjen e votës. Por pyetja që ngrihet është kjo: ku e gjen këtë të drejtë KQZ? Askund, në asnjë nen të Kodit Zgjedhor, ajo nuk e ka këtë të drejtë.

Dhe Gjykata e Tomit, nuk ka asnjë referencë ligjore në vendimin e saj, ndonëse këtë ndreqje të aksidentit nuk ia ka kërkuar as vetë paditësi. Domethënë është krejt arbitrar. Por, këtu ka përsëri një pyetje: a e di Tom Ndreca se ka shkelur mbi një të drejtë popullore dhe me këtë vendim, dhe, nëse do të qëndrojë kështu, i ka dhënë të drejtën popullit që të ngrihet për të rrëzuar tiraninë? Ky birboja Tom, nuk është në gjendje të kuptojë se, si gjykatë, nuk ka mundësi të shkelë ligjin arbitrarisht, në një çështje të nxehtë ligjore, edhe pse këtë ia kërkon interesi patologjik i kryeministrit Sali?

As e gjithë Gjykata nuk e paska këtë lloj frike nga dhënia e padrejtësisë në një çështje të tillë. Por, këtu përsëri duhet të themi se, kur rrëzohen tiranitë, përgjegjësit e parë janë gjyqtarët që kanë dhënë vendime për të shkelur të drejtat e shoqërisë dhe për të mbajtur në pushtet tiranët.

KQZ ka deklaruar botërisht se kutitë e gabuara janë hapur si pasojë e kërkesës që kanë bërë disa numërues të Partisë Demokratike që i kanë parë votat “aksidentale” nëpër kuti. Por, a kanë të drejtë numëruesit që, pasi të kenë numëruar dhe të kenë firmosur tabelat e rezultatit për çdo kuti të numëruar, të bëjnë një ankesë individuale për hapjen e kutive që nuk i përkasin kutisë ku është votuar për kryetarin e bashkisë së Tiranës?

Askund nuk e gjejmë këtë të drejtë për kërkesë apo për ankim që na i paska një numërues çfarëdo. Vetëm në Shqipëri, mund t’i gjesh këto, por, natyrisht edhe në vendet që kanë të drejtën e Sheriatit. Dhe, me këtë të drejtë ka vepruar edhe Kolegji Zgjedhor i Tom Ndrecës, sepse, shihet aty që, Tomi i shkretë, që ende nuk di shqip, paska vënë edhe disa terma latine, por, po t’i shohësh me vëmendje, ata që ia kanë dhënë, kanë menduar arabisht, dhe kanë dashur që, më anë të së drejtës romake, të aplikojnë të drejtën e Sheriatit. Për të qeshur dhe për të qarë, por edhe për t’u revoltuar.

E pra, ku e ka të drejtën numëruesi që të ankohet apo të kërkojë, dhe, në emër të kujt subjekti ka kërkuar? Askund nuk e gjejmë në kod këtë, atëherë, si e ka pranuar KQZ. Pa dyshim arbitrarisht, por, Kolegji i ngatë, nuk ka mundësi të flasë farë për këtë. Me siguri, duhet të flasë ky tjetri i datës 12 qershor 2011. Sigurisht, nëse nuk është nën trysninë e Sheriatit që dominon mendimin juridik të Partisë Demokratike, sepse vetëm ashtu mund të bashkëjetojnë në çerdhen arabike të kryeministrit Sali.

Pyetja përfundimtare për këtë rast është kjo: A janë numëruesit subjekte që mund të venë në lëvizje KQZ-në? Dhe përgjigja është e prerë: absolutisht jo. Numëruesit kanë të drejtë si çdo këqyrës gjatë numërimit. Madje, një votues që është ndërgjegjësuar që e ka hedhur votën gabim, mund ta këtë të drejtë; dhe i është zbatuar. Në të gjitha qendrat e votimit, ata që kanë votuar gabim me fletën, e kanë denoncuar, dhe iu është dhënë fletë tjetër, natyrisht, sepse të gjithë e kanë ditur, se, vota që individi kishte hedhur gabim, nuk do të numërohej, sepse ishte e parashikuar si e pavlefshme.

Ja pra se ku ndodhemi: në një akt marramendës ajuridik, dhe gjithashtu edhe jashtë nocionit të garës së barabartë që presupozohet se ndodh në një proces votimi.

A ka ndonjë rast në botën demokratike kur një gjykatë apo një komision qendror që gjykon një çështje, të vihet në lëvizje nga subjekte që nuk i njeh ligji për të tillë?

Askund nuk e has një procedurë të tillë kaq të hapur, sepse do të kishte konfuzion në vetë sistemin juridik; duke e konceptuar kërkesën, padinë apo ankimin një element thelbësor për nisjen e një procesi strik juridik. Por, a ka ndoshta ndonjë të drejtë në ndonjë vend sot në botë ku gjithkush ka të drejtë të ankohet apo të kërkojë një të drejtë që i është shkelur dikujt tjetër, nëse nuk ka një prokurë prej tij? Askund. Kjo është një shterpësi juridike, që e gjejmë vetëm në gjyqet inkuzicionale, apo në të drejtën aktuale të Sheriatit, që funksionon në disa vende të Lindjes së Mesme.

Po, si ka mundësi që një gjykatë ta lejojë këtë në Shqipëri; kur shoqëria e saj ka bërë kërkesë dhe pret praj më se pesëmbëdhjetë vjetësh që të anëtarësohet në Europën e Bashkuar? Të shohim Kolegjin Zgjedhor me vendimin e vet të datës 12 qershor.

Votat që KQZ shtoi nëpër njëmbëdhjetë tabelat e njëmbëdhjetë zonave të Tiranës, kishin qenë mangët nëpër tabelat e rezultateve, apo jo?

Dhe, cila ka qenë gjendja e tabelave në lidhje me matricën që duhet të ketë domosdoshmërisht një kuti zgjedhore, që rezultati të jetë i vlefshëm? Kurse matrica dihet se është: numri i votuesve që kanë votuar në një qendër votimi, duhet të jetë i barabartë me fletët e votimit që janë gjetur në kutinë e votimit për një qendër zgjedhore?

Në mbi 100 kutitë ku KQZ ka bërë ndërhyrje në tabelat e rezultatit dhe që kanë qenë votat për kryetarin e bashkisë së Tiranës, konstatohet se, numri i fletëve të gjetura në kuti, është më i madh sesa numri i votuesve. Por pyetja që ngritëm më lart është: a e ka parë KQZ këtë? Sigurisht që e ka parë, madje i është kërkuar nga mbrojtja e PS-së.

Por, Ristani, as ia ka varur fare këtij fakti. Në të vërtetë, tek e ka parë që numri i tabelës është me një diferencë të tillë, ai nuk duhej as t’i kishte prekur kutitë e reja, sepse kështu, në fakt, shtonte në mënyrë arbitrare numrin e votuesve. Kjo është një provë e qartë e manipulimit të zgjedhjeve të 8 majit. Fakti që KQZ ka qenë e detyruar që ta kontrollonte këtë gjë, sepse fakti që, numri i fletëve të votimit të gjetura në kuti, duhet të jetë e barabartë me numrin e votuesve, ka lidhje me vlefshmërinë apo jo të një kutie; vërteton se, vetë Ristani është pjesëmarrës në manipulimin e zgjedhjeve.

Cili ka qenë mendimi i arbitrit ndërkombëtar: OSBE dhe ODIR për këtë çështje?

OSBE dhe ODIR; janë shprehur kategorikisht kundër këtij vendimi të KQZ-së. Po ashtu edhe organizmat e Bashkimit Europian kanë vënë alarmin, duke kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare ekspertësh, sepse e dinë, se, pas një arbitrariteti të tillë, i cili ka lidhje me uzurpimin e pushtetit në mënyrë të paligjshme, populli ka të drejtë të ngrihet në këmbë për të rivendosur me forcë votën e lire dhe të barabartë.

Madje, kryetari i Komisionit Europian, Barozo, e ka marrë në telefon kryeministrin Sali dhe i ka thënë që, ai vetë të kërkojë që “çështja të zgjidhët nga ekspertë të Komisionit të Venecias”. Por Saliu, i lebetitur i ka thënë se “në këto çaste ai kërkon të vërë në provë Gjykatën shqiptare”. Në këtë çast, Barozo i ka mbyllur telefonin, dhe marrëdhëniet janë të ngrira. Por, si mendoni ju, a do të qëndrojnë shqiptarët duarlidhur kundrejt një aventurieri si Saliu, që në fakt është shkaktari kryesor i mospranimit ende të Shqipërisë në Bashkimin Europian? Askush mos ta mendojë këtë.

Në një gjendje të tillë ekonomike, ku gjithçka po shkon drejt shkatërrimit dhe kur një kryeministër abuzues nuk pranon që të largohet as më votë, askush të mos mendojë se ky birbo tiran mund të durohet më. Prandaj, Kolegji Zgjedhor, kurrë mos mendojë se është vënë në provë nga Saliu, por ta dijë mirë se është vënë në provë nga shqiptarët që kërkojnë të vendosin demokracinë në vendin e tyre.

A kemi një precedent botëror që të ketë zgjidhur një çështje të tillë?

Po, kemi një precedent perfekt në një çështje krejt të ngjashme. Kemi Procesin e Bushit kundër Al Gorit në Amerikë. Gjykata e Lartë e Floridës, e kishte pranuar kërkesën e Gorit që të niste numërimi i votave me dorë, fletë për fletë, në disa konte të Floridës, sepse ato që ishin numëruar nga makinat në këto konte, kishin qenë jot të drejta. Gjykata e Lartë e SHBA, që mori në shqyrtim ankimin e Bushit deklaroi: ndërprerjen e rinumërimit më dorë, sepse Gjykata e Lartë e shtetit të Floridës, duke menduar se ka krijuar një të drejtë lokale, për të rikonsideruar vlefshmërinë e votës, në fakt ka krijuar një pabarazi kombëtare, domethënë në të gjithë Amerikën; sepse krijon dy standarde në relacion me shtetet e tjera që përbejnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky është thelbi i vendimit të firmosur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA, C.J. Rehnquist; pa dyshim njëri nga personalitet më të mëdhenj juridikë të shekullit që kaloi, jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë Perëndimin.

Ky në fakt ishte një vendim që e pa këtë çështje në një frymë kushtetuese, sipas së cilës, askush nuk mund të mendojë se mund të rregullojë një pabarazi të vogël, duke krijuar një pabarazi të përgjithshme kushtetuese; ose kudo, në çdo shtet duhej të veprohej si në Florida, ose askund. Ja, ky është koncepti i së drejtës perëndimore që ka dashur të nëpërkëmbë Tom Ndeca, me tautologët e Saliut.

Me tautologji nuk mund të mbrohet e drejta; këtë duhet të këtë parasysh edhe Kolegji Zgjedhor i datës 12 qershor. Pse, a nuk e krijon të njëjtën pabarazi edhe vendimi i Ristanit me katërshen e tij? Domethënë, pse, vetëm 127 kuti që hapi Ristani kanë qenë të përfshira nga një “një të ashtuquajtur aksident”, apo të 480 kutitë e Tiranës, dhe ato shumë herë më shumë të të gjithë Shqipërisë? Si mund të krijosh një diferencim për vlefshmërinë e votës, dhe këtë, edhe më një akt të paligjshëm?

Këtu mbaron edhe artikulli ynë, i cili kërkon t’i kujtoj gjithkujt se: në këtë çështje që është vendosur si fitues Lulëzim Basha, pasi janë numëruar votat “të hedhura aksidentalisht në kuti të tjera”: nuk ka një ligj që t’ia lejojë KQZ-së këtë akt; tabelat e rezultateve që janë korrigjuar me vota të tjera, kanë, në numër, fletëvotimi më shumë sesa votues; arbitri ndërkombëtar, përkatësisht OSBE dhe ODIR, nuk e kanë pranuar si të ligjshëm këtë proces që ka zhvilluar KQZ, kur ndërroi fituesin në tavolinë, dhe jo vetëm këtë, por dhe shumë aspekte të tjera manipulative në këto votime; dhe, së fundi, precedenti amerikan, i Gjykatës së Lartë të SHBA, nuk të lejon fare që të veprosh me një dopio standard në funksion të barazisë kundrejt vlefshmërisë së votës.

(Spartak Ngjela/gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment