Rosita Ferrato: Shqipëria si mu duk

Rosita Ferrato është gazetare shkrimtare dhe është diplomuar në Gjuhë-Letërsi e huaj. Për vite me radhë ka qenë një nga gazetaret e RAI-t, ku ka realizuar programe të ndryshme si “Planeti i mrekullive”, programin e lajmeve të emërtuar TG Leonrado dhe “Mjedis Italian”. Një gazetare profesioniste, që ka shkruar dhe për shtypin e përditshëm, duke sjellë reportazhe nga vende të ndryshme të botës.
Në vitin 2009 publikoi librin e saj të parë “Le Piere, maddame e signorine di Torino” (Le Piere- zonjat e Torinos), një portret ky i grave torineze, elegante por pa shije, kampione të sjelljeve të hijshme, por në të njëjtën kohë konformiste. Ndërsa anti-Piere-ve i dedikoi librin e vitit 2010 “Le Divine” (Hyjneshat), ose dashnoret, femrat joshëse, piratet e zemrave që u marrin mend burrave, duke përfituar jo pak nga ata. Tashmë pas Piere dhe Divine, ajo shkon në Shqipëri. Ose më saktë, autorja e tyre shkon në Shqipëri duke sjellë për lexuesin përshtypjet e saj mbi vendin e shqiponjave me titull “Shqipëria- në vështrimin e një reportereje”. Vendi fqinj por misterioz, gati- gati i panjohur për italianët, që e kanë njohur atë për vite me radhë vetëm përmes medieve, si nëntokën e krimit dhe emigracionit. Vendi i shqiponjave herët apo vonë nuk mund të mos ngjallte kuriozitetin e një reportereje të veçantë, siç është Rosita Ferrato. Në intervistën e saj, ajo rrëfen Shqipërinë e saj përmes skicave, tregimeve, shënimeve gjatë udhëtimit, jetën sociale dhe mënyrën sesi jetojnë shqiptarët.

Si kaloi Rosita nga shkrimtare me Piere dhe Divine, në vështrimin e një reportereje mbi Shqipërinë?

Në librin mbi Shqipërinë “kam martuar” dy anët e mia shpirtërore, gazetaren dhe “entomologjisten”- kështu më kanë etiketuar pas dy librave të mi mbi femrat Piere dhe Divine- që do të thotë se jam një vëzhguese e fenomeneve, qenies njerëzore, zakoneve dhe veseve që kanë. Ky libër mbi Shqipërinë nuk është, ose më saktë nuk është vetëm një guidë, por dhe një rrëfim vëzhgues i aspekteve të ndryshme të një vendi që kam shkelur dhe e kam vëzhguar disa herë. Edhe pse mund të duket e çuditshme, të gjitha shqisat kanë luajtur një rol të rëndësishëm: kanë nuhatur, kanë shijuar, kanë parë, kanë komunikuar dhe kanë dëgjuar për Shqipërinë. Edhe në këtë libër më së shumti flitet për femrën dhe kjo ndoshta ka një lidhje me dy librat e mi të parë.

Si është Shqipëria që ti ke parë?

Kam parë një vend që rrezaton akoma gjurmë të një bukurie verbuese, por që në aspekte të veçanta është masakruar nga historia e vet. Ndërtesa dhe peisazhe: në disa vende mund ti gjesh akoma të mrekullueshme, por në disa të tjera përballemi me pamje të shëmtuara. Ka site arkeologjike, si Butrinti, që kanë një bukuri të rrallë por mjafton të përshkruash vetëm disa kilometra dhe syri të ndesh kudo betoniere që punojnë. Plazhe të bukura edhe për vetë thjeshtësinë e tyre, që të kujton Italinë e dikurshme me shezlonge, çadra dhe det të virgjër, por fatkeqësisht edhe këtu betonifikimi është në avancë. Shqipëria është një vend ku mund të gjesh shijen e vërtetë. Ku përzierja mes kulturës dhe jetës është magjepsëse, por që kjo po ndryshon me ritme shumë të shpejta.

Çfarë është ajo që, Shqipërinë që ke parë, e bën të ndryshme nga ajo që prisje të gjeje?

Edhe unë, si pjesa më e madhe e italianëve, nga Shqipëria nuk dija asgjë kështu që nuk kisha asnjë ide sesi do ta gjeja kur ta shihja. Para se të nisesha, sigurisht që mora informacion por është shumë e vështirë që të krijosh një ide për një vend vetëm përmes informacionit që ke. Sigurisht që në informacionin që kisha, nuk mungonin as histori tragji-komike mbi këtë vend. Madje, para se të nisesha, një mike më thotë: “Po a e di ti që në Shqipëri ka hajdutë që hiqen si shitës ëmbëlsirash nëpër rrugë, që t’i ofrojnë ato falas e pasi i ha vdes!!” Sikur nuk mund të ketë një mënyrë pak më të logjikshme për të vjedhur dikë. Kur këtë ia thashë djaloshit shqiptar që më shoqëroi në udhëtimin tim nëpër Shqipëri, ai për pak sa nuk vdiq nga të qeshurat. Në kujtim të kësaj historie, disa faqe të librit ia kam kushtuar disa recetave ëmbëlsirash tradicionale shqiptare: unë për vetë kam ngrënë aq shumë dhe jam këtu shëndosh e mirë. Tashmë jam një lloj partizane e Shqipërisë, kështu që do të kthehem atje sa herë të kem mundësi. Është një vend që të përfshin të tërin dhe kur je larg ia ndjen mungesën. Nuk është aspak një vend i lehtë për të jetuar, por është një vend me pasuri të rrallë. Interesant në çdo stinë, si në dimër, ashtu dhe në verë, kur emigrantët kthehen në shtëpitë e tyre.

Ke takuar në Shqipëri femrat Piere dhe Divine, qofshin ato shqiptare apo turiste?

Të tipit “Piere”? Beh…në të vërtetë Shqipëria nuk është një vend për këtë tip femre, por kam parë disa turiste italiane të këtij tipi, që zbarkojnë për disa orë në Butrint nga ndonjë anije Krocera, e disa të tjera që mezi ngjiten në shkallët e fortesës që nuk janë më shumë se një metër. Jo, vendi i shqiponjave nuk bën për këtë kategori femre elegante, por krejt pa shije. Për të ardhur në Shqipëri duhet të kesh shpirtin e aventurës dhe dëshirës për të shijuar jetën. E përsa i përket “Piere-ve” shqiptare bëh…nuk kam takuar asnjë, por nëse do të rrija duke kërkuar e gërmuar, me siguri do të gjeja ndonjë mes tyre. Ndërsa të tipit Divine (Hyjnesha) po, kam takuar. Gjithë kombi shqiptar është i tillë.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment