Reforma zgjedhore, mbulim kozmetik i manipulimeve

Ndryshimet në Ligjin zgjedhor, me anë të ngritjes së komisioneve si pjesë e marrëveshjeve politike, nuk po bëhen për interesa të vendit por me qëllim të mbajtjes së pushtetit me të gjitha mënyrat e mundshme, vlerëson lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje në një konferencë për media vlerësoi po ashtu se pushteti me përkrahjen e të ashtuquajturës opozitë konstruktive po bën të pamundurën për ta harruar dhe minimizuar dhunimin e votës së qytetarit me 12 dhjetor, 9 janar dhe 23 janar dhe për ta barazuar kriminelin me viktimën.

“Pra, ata që kanë vjedhur ose kanë udhëzuar manipulimin sistematik të votës së sovranit duke futur në përdorim gjithë mekanizimin shtetëror dhe partiak në funksion të vjedhjes, tani po të njëjtit mundohen të fshihen prapa komisioneve të tilla. Tentativa për të zhvendosur vëmendjen nga ndjekja penale në diskutimin e sistemit zgjedhor e atyre që kanë manipuluar dhe atyre që kanë kërkuar këtë manipulim, e që edhe mund të jenë të ulur në sallën e kuvendit, nuk pinë ujë. Edhe një herë i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që gjitha rastet që lidhen me manipulimin e votës së sovranit të ndëshkohen dhe në këtë mënyrë të filloj kthimi i besimit të humbur në procesin e zgjedhjeve”, u tha në konferencë.

Lëvizja Vetëvendosje i sheh këto komisione si një kozmetikë e vendosur mbi fytyrën e vërtetë të procesit zgjedhor të 12 dhjetorit, me qëllim të shmangies së vëmendjes nga nevoja që të kthehet besimi tek qytetari në sistemin zgjedhor, duke ndëshkuar manipuluesit e votës dhe patronët e tyre.

Sipas tyre, procesi i reformimit të sistemit zgjedhor duhet të sigurojë një debat gjithëpërfshirës dhe kualitativ, duke filluar prej qytetarëve e deri tek akterët politikë.

Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në të gjitha komisionet dhe organet që do të merren me sistemin zgjedhor, duke vazhduar punën në krijimin e një modeli zgjedhor që garanton përfaqësim. 

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment