Raporti i kredive dërrmon Greqinë: Falimenton në 2012!

Greqia është në prag të falimentimit! Deklarata e fundit dërrmuese për shtetin e ndodhur në vështirësitë më të mëdha financiare të historisë së tij vjen kësaj radhe nga Agjencia e Vlerësimit të Aftësisë Kredituese, “Standard& Poor’s”.
Sipas këtij institucioni, në Greqi pritet një ristrukturim i afërt i borxhit, por vlerësimet dhe përllogaritjet e ulin sërish aftësinë e Greqisë për të marrë kredi, me tri shkallë njëherësh. Ky klasifikim për aftësinë afatgjatë kredituese të Greqisë ulet nga B në CCC. Kjo do të thotë se edhe shtete si Pakistani, Ekuadori ose Xhamajka vlerësohen më të besueshme për të marrë kredi se sa Greqia. Agjencia deklaroi si argumentim se “kur hua të vjetra këmbehen me të reja, me një kohëzgjatje më të madhe, duhet pasur frikë se kreditorët duhet të heqin dorë nga një pjesë e parave që kanë dhënë hua”. “Standard & Poor’s” e vlerëson këtë si pamundësi pagese. Sipas klasifikimit të ri, Greqia ndodhet vetëm katër shkallë larg shkallës më të ulët ekonomike botërore, kategorinë d. Vlerësimi i fundit nuk e lejon Bankën Qendrore Europiane që të pranojë kredi shtetërore greke si garanci dhe pasojat për Greqinë, nëse kjo ndodh, mund të jenë me pasoja të paparashikueshme. Sipas “Standard & Poor’s”, në vitin 2012 Athina ka mundësi që të mos jetë në gjendje të sigurojë vetë para në tregjet financiare. Reagimi i qeverisë greke për raportin ishte plot zhgënjim. Sipas deklaratave zyrtare, “Standard&Poor’s” nuk mban parasysh që Greqia ka nisur reforma të ashpra dhe mbetet anëtar i Eurozonës”. Deri në fund të qershorit do të kërkohet që Parlamenti i Athinës të miratojë një plan të ri kursimesh, i cili parashikon shkurtime në masën 28,4 miliardë euro deri në vitin 2015. Kjo mund të arrihet përmes privatizimit të sipërmarrjeve shtetërore, rritjes së taksave, shkurtimit të pagave të nëpunësve civilë dhe uljen e shërbimeve sociale, masa që do të sjellin greva të reja. Komisioni Europian po punon për një projekt-marrëveshje në bazë të së cilës bankat do të mund t’i zgjasin me vullnetin e tyre kreditë ndaj Greqisë, që është dhe zgjidhja e mbështetur nga SHBA.

Dy kandidatët e FMN-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucioni më i madh bankar në botë, ka njoftuar se mes shumë emrave të propozuar për të zëvendësuar Dominik Shtraus Kan, janë përzgjedhur dy prej tyre. Më të kualifikuarit për postin e shefit të ardhshëm të këtij institucioni financiar janë vlerësuar ministrja e Financave të Francës, Kristin Lagarde dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Meksikës, Augustin Carstens. Bordi i FMN-së pritet ta zgjedhë drejtuesin e ri të këtij institucioni deri më 30 qershor. Gara nisi pas dorëheqjes së kreut të mëparshëm, Dominik Shtraus Kan, i cili u arrestuar për shkak të akuzave për një sulm seksual ndaj një punëtoreje të një hoteli në Nju Jork. Ai mbetet në arrest shtëpie në Nju Jork. Deri para disa ditësh vendet e fuqishme europiane insistonin që kreu i ri i FMN-së të ishte patjetër europian. Më pas ata u tërhoqën nga kjo ide. Sidoqoftë, kandidatura e Legarde është mbështetur edhe nga SHBA-të.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment