Rama: Të mos humbim qarqet si në 2007

Kreu socialist nisi dje takimet me strukturat socialiste në qytetet e vendit.Rama ndaloi paraditen e djeshme, rreth orës 10:00, në qytetin e Lushnjës, në mesditë ishte në qytetin e Fierit dhe pasdite në Vlorë, ku zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me krerët e komunave dhe bashkive të këtyre rretheve, të zgjedhur më 8 maj. Gjithashtu, në këto takime ishin të pranishëm dhe këshilltarët e komunave dhe bashkive të këtyre rretheve. Rama shoqërohej nga kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, por dhe nga deputetët e qarqeve Fier e Vlorë. Ndryshe nga ç’ishte kërkuar nga vetë Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, takimet nuk përfshinë strukturat e PS, por vetëm të zgjedhurit e 8 majit.

Mësohet se në qendër të takimeve ishin zgjedhjet e 8 majit dhe rezultati i tyre fitues në këtë rreth, por në fokus ishin dhe konstituimet e këshillave bashkiakë dhe zgjedhjet në këshillat e qarkut. Rama ka kërkuar konstituim sa më të shpejtë të këshillave komunalë dhe bashkiakë, ndërsa kërkoi kujdes për zgjedhjen e këshillave të qarkut. “Të tregohet kujdes i madh që të mos trafikohet vota për këshillat e qarkut, ashtu siç ndodhi në 2007-n, kur edhe pse kishim fituar shumicën e këshillave bashkiakë dhe komunalë, humbën shumicën në qarqe”, mësohet të jetë shprehur Rama në takimet e djeshme të tij. Kreu socialist ka bërë një përmbledhje edhe të procesit të Tiranës, duke akuzuar kryeministrin Berisha dhe kreun e KQZ-së Ristani për një proces të manipuluar dhe jashtë rregullave ligjore. Rama ka theksuar se gjatë kësaj kohe, deri në mbledhjen tjetër të Asamblesë Kombëtare, do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë anëtarësisë dhe mbledhjes së mendimeve dhe ideve të tyre për të përcaktuar edhe një qëndrim final politik të Partisë Socialiste për të ardhmen. Sipas po të njëjtave burime mësohet se gjithçka që do të ndodhë në të ardhmen do të varet nga rezultati që do të nxjerrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas numërimit të votave në të gjitha kutitë e kontestuara të kryeqytetit. Në të tria takimet e djeshme, kreu socialist ka përgëzuar punën e bërë nga strukturat socialiste dhe rezultatin e arritur, ku PS do të drejtojë 2/3 e njësive vendore në të gjithë vendin.
Zgjedhjet e ardhshme në PS, vendim që do të merret në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare, ishte një tjetër pikë e takimeve të djeshme. Kreu socialist ka kërkuar që në krye të strukturave socialiste të zgjidhen njerëzit që janë evidentuar me kontributet e tyre në betejat elektorale, e veçanërisht në zgjedhjet e vendore të 8 majit. Turi i takimeve të kryesocialistit me të zgjedhurit vendorë do të vijojë në të gjitha qytete kryesore të vendit. m.r/q.b

Këshilltarët

Kreu socialist ftoi në takimet e djeshme të tij në tri qytetet e vendit me të zgjedhurit më të rinj socialistë të pushtetit vendor. Krerët socialistë të bashkive, komunave dhe këshilltarët e tyre ishin prezentë në takimet e djeshme, ndërsa në mbledhjen e Asamblesë u kërkua takim me të gjitha strukturat. “Lejomëni t’ju propozoj që këto dy javë të jenë për të gjithë ne koha e një komunikimi intensiv me anëtarësinë e partisë në të gjithë territorin e vendit, për të lexuar së bashku, me gjithë vëmendjen e duhur, fitoren e 8 majit, arritjet e bukura dhe problematikën e këtij një procesi”, u shpreh Rama në Asamblenë e fundit..

Asambleja

Brenda javës së ardhshme socialistët do të mbledhin sërish Asamblenë Kombëtare për të përcaktuar qëndrimet e tyre ndaj procesit zgjedhor të Tiranës, por dhe hapjen e fushatës zgjedhore në PS. Qëndrimi politik i socialistëve ndaj maxhorancës do të vijë pas një konsultimi që ata do të ndërmarrin me strukturat socialiste. Ndërsa zgjedhjet në PS do të përfshijnë të gjitha strukturat e saj. Si një vit elektoral në PS, socialistët do të zgjedhin që nga kryetari i organizatës socialiste e deri te delegati i kongresit dhe anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare, e cila do të zgjedhë më pas Kryesinë e sekretarët e PS.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment