Qeverise i duhen para: rrit interesin e bonove te thesarit.

Kërkesa e lartë e qeverisë për para borxh nga tregu i brendshëm po rrit sërish cmimin e letrave me vlerë.
Në ankandin e fundit, interesat e bonove të thesarit me afat maturimi një vjecar arritën 7.56 për qind, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Prej disa muajsh interesat e bonove po shfaqin sërish një prirje rritëse, njëlloj si në vitin 2009, kur gjendja e vështirë e thesarit të shtetit e coi koston e tyre në nivele rekord gati dhjetë për qind.

Sipas të dhënave krahasuar me fundin e dhjetorit të vitit të kaluar, interesat e bonove njëvjecare janë rritur me 0.5 pikë përqindje. Rritje e cila duket se ka vetëm një shkak, kërkesën e lartë të qeverisë për borxh që është diktuar nga ecuria e dobët e taksave, por edhe rritjen e shpenzimeve në fushatë. Në buxhetin e këtij viti kuvendi ka autorizuar qeverinë që të marrë 28.2 miliardë lekë borxh të ri në tregun e brendshëm për gjithë vitin.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm për 5 muajt e parë të vitit qeveria ka marrë 21.7 miliardë ose 77 për qind të kësaj shume. Madje qeveria e vetme ka marrë borxh në tregun vendas gjatë kësaj periudhë më shumë se sa biznesi dhe individët së bashku edhe pse pesha e shtetit në ekonomi është mbi dy herë më e ulët se ajo e privatëve.

Tani qeveria po e rishikon sërish buxhetin, për të ulur shpenzimet dhe për të frenuar rritjen e borxhit. Madje mësohet se në tiranë kanë mbërritur edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Deri tani asgjë nuk është vendosur dhe ende nuk dihet nëse qeveria do i qëndrojë strikt planit për deficitin apo do i kërkojë kuvendit miratimin për një rritje të tij. Por përtej vendimit politik se si do të administrohen financat e vendit, shifrat po tregojnë një gjë. Atë se beteja me borxhin është rikthyer sërish, ashtu si në vitin e mëparshëm elektoral 2009.

(24-ore.com)



No comments:

Post a Comment