LDK: U manipulua testi i maturës.

Ekipi i ekspertëve të fushës së arsimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dhënë kritikat për, siç u shprehën, manipulimin e rezultatit të testit të maturës nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe me mungesën e investimeve për fushën e arsimit.
Në një konferencë për media të premten, eksperti i fushës së arsimit në LDK, Kujtim Shala ka thënë se testi i maturës shtetërore tregoi se Ministria e Arsimit lejoi që të manipulohej procesi, duke theksuar se edhe rezultati i shpallur është i manipuluar dhe jo i vërtetë.
“Vërtet qeveria u soll papërgjegjshëm, sepse kur i eci ideja për të ulur pragun e kalueshmërisë, me të cilin do të falsifikonte rezultatet e testit dhe do të shpallte si rezultat të një qeverie pa rezultate, ajo lejoi të manipulohej procesi, prandaj ky test i maturës prapë dha rezultat të manipuluar e të pavërtetë. Rezultati i vërtet është edhe më i ulët se 41.85 për qind i shpallur. Në këtë proces qeveria ka fyer mësimdhënësit universitar, qoftë kur i detyroi të bëhen gardian në testin e maturës, qoftë kur u tall me ta, sepse në sy të tyre manipuloi gjithçka”, ka theksuar Shala.
Ndërkaq ai nuk ka dhënë kritika vetëm për testin e maturës, por edhe për gjithë sektorin e arsimit, duke vlerësuar se deri më tash nuk është bërë asnjë investim kapital dhe nuk janë përmbushur kriteret e Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Për më tepër ai ka shtuar se Qeveria vijon të mos ketë asnjë politikë për institutet kërkimore, ndërsa e ka vlerësuar të domosdoshme që buxheti i dikasterit të arsimit të jetë më i lartë për t’iu afruar synimeve për një shkollë evropiane.
Gjithashtu Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se universitetet publike duhet të depolitizohen. Po ashtu LDK e konsideron se është e domosdoshme të rritet urgjentisht numri i përfshirjes në arsimin parashkollor, i cili tani është në shkallën e palejueshme prej 10 për qind duhet të jetë 100 për qind, sepse ky është nivel i detyrueshëm arsimor.

(kosovapress.com)



No comments:

Post a Comment