Qeveria “mashtron” policët e KQZ-së për pagën shpërblyese

Premtimi: Paratë do të jepeshin nga buxheti i policisë, por drejtuesit e saj shprehen se nuk kanë fond

Qeveria ka “mashtruar” policët, duke iu premtuar se do të merrnin një pagë shpërblim për shërbimin e kryer në mbrojtje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Edhe pse qeveria mori një vendim për shpërblimin e tyre, detyra u përcaktua që të zbatohet nga buxheti i vetë policisë, pavarësisht se këta të fundit nuk kanë asnjë fond të tillë, duke i lënë uniformat blu me “gisht në gojë”. Bëhet fjalë për vendimin e marrë më 24 maj, i cili pritej të zbatohej që në fillim të këtij muaji, por që nuk është realizuar një veprim i tillë.

Që në fillim, kur vendimi u mor për një pagë shpërblim për punonjësit e policisë, specialistët e kuptuan “hilenë” e kryer nga qeveria dhe u shprehën se policët nuk do të përfitonin nga kjo. Megjithatë, ata u shprehën se kjo ishte vetëm një propagandë për të bindur opinionin publik se Këshilli i Ministrave po mendonte për lodhjen e tyre të zgjatur në një javë, pa asnjë ditë pushim, por që nuk do të realizohej kurrë. Pikërisht më 24 maj, në një mbledhje qeveria vendosi që të japë 40 mijë lekë pagë-shpërblim për çdo punonjës policie që ka marrë pjesë në masat për “mbrojtjen” e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi është bazuar në vendimin e 22 janarit të këtij viti, kur qeveria shpërbleu për masat e marra më 21 janar, ku mbetën të vrarë katër protestues. Në vendimin e majit, deklarohet se janë bërë disa shtesa në vendimin nr. 50 të datës 22 janar 2011, për dhënie shpërblimi punonjësve të Policisë së Shtetit të angazhuar në mbrojtjen e institucioneve të shtetit. Këshilli i Ministrave vendosi që bashkëlidhur vendimit të shtohet lista emërore e efektivave të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në vendim deklarohej se paratë do të përballohen nga Buxheti i Policisë së Shtetit, ndryshe nga vendimi i parë, që paratë u përballuan nga një fond i veçantë i Buxhetit të Shtetit. Në vendimin e parë, me të cilin lidhet i dyti, qeveria akordoi nga një pagë suplementare për të gjithë punonjësit e policisë. Megjithatë, vendimi nuk u publikua, për të parë sa ishte paga për ta. Por, nga dëshmitë e punonjësve të policisë që kanë përfituar këtë shpërblim herën e parë, pra pas 21 janarit, mësohet se në atë kohë vlera e kësaj page suplementare ishte 40 mijë lekë. Tashmë, sipas logjikës së vendimit, të gjithë punonjësit e policisë që kanë marrë pjesë në ruajtjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhej të përfitonin një pagë prej 40 mijë lekësh, pa llogaritur përfitimet nga orët suplementare dhe dietat, që janë në një zë tjetër të buxhetit të policisë.

Por, nga informacionet e mbledhura mësohet se deri më sot, asnjë punonjës i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë apo i repartit special RENEA, nuk është shpërblyer. Sipas të dhënave, Policia e Shtetit nuk ka para në buxhetin e saj, pasi është tkurrur jashtë mase nga vetë qeveria dhe nuk mund të shpërblejë punonjësit e saj. Madje, ata rrëfejnë se për shkak të shpenzimeve të kryera gjatë atyre ditëve, veç lodhjes fizike dhe mendore, prisnin që paratë e pagës shpërblyese t’u jepeshin që nga fillimi i muajit, por tashmë i kanë humbur shpresat se mund t’i marrin. Madje, sipas tyre, kjo tregon edhe njëherë se sa e interesuar është qeveria që t’i qëndrojë pranë punonjësve të policisë, të cilët shpesh herë janë përgëzuar për punën e tyre.

Efektivët e policisë qëndruan para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më shumë se një javë për të siguruar vazhdimin e punës, pasi qytetarët, të mbështetur edhe nga Partia Socialiste protestonin kundër hapjes së kutive për rinumërimin e votave për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Punonjësit e policisë kryenin nga 16 orë shërbim në ditë, pavarësisht se në borderotë e tyre janë shënuar vetëm nga 12 orë. Madje, gjatë gjithë kësaj kohe, ata nuk bënë asnjë ditë pushim. Këtu u angazhua pjesa më e madhe e policisë së Tiranës, por edhe repartet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, Shkodrës dhe Fierit. Veç tyre, në gatishmëri u mbajtën edhe forcat RENEA.




(www.gazeta-shpip.com)

No comments:

Post a Comment