Pollo: “U vendos, regjistrimi etnik bëhet në tetor”

Në kohën kur e gjithë vëmendja politike e vendit është fokusuar te rezultati në KQZ, qeveria ka miratuar kohën kur do të bëhet regjistrimi i popullsisë. Genc Pollo, si kreu i Komisionit Qendror të Censusit (regjistrimit të popullsisë), ka shpallur vendimin se në tetor do të bëhet regjistrimi i plotë i popullsisë.
Në një analizë për gazetën, ministri mbron vendimin e Komisionit dhe arsyet pse ai u shty deri në tetor. Ndryshe nga çfarë pritej dhe u komentua në muajt e mëparshëm, regjistrimi do të përmbajë sërish të tri pyetjet “provokative”. Në letrën që do të plotësojë çdo shqiptar, do të kërkohet etnia, feja dhe gjuha. Pollo konfirmon se të tria këto pyetje do të jenë opsionale, pra jo të detyrueshme për të marrë një përgjigje. Por, duket se zëri i atyre që kundërshtuan fort regjistrimin etnik, ka marrë një përgjigje, edhe pse pak evazive.

Ndryshe nga regjistrimi i parashikuar në prill, Komisioni, sipas ministrit Pollo, ka vendosur të “vërtetojë” deklarimin. “Edhe ligji për censusin do të përmirësohet e plotësohet paraprakisht me normat e mbrojtjes së të dhënave personale e ndëshkim për deklaruesit gënjeshtarë”, shkruan Pollo në analizën e tij. Ndëshkimi për deklaruesit gënjeshtarë është një lloj mbrojtjeje nga frika e shkëmbimit të kombësisë, që po trumbetohet fort gjatë muajve të fundit. Sidoqoftë, ngelet për t’u parë se si do të ndryshojë ligji, se cilat do të jenë sanksionet për “gënjeshtarët”. Deri tani, një gjë është e sigurt dhe e konfirmuar nga kreu i Komisionit të Censusit: regjistrimi do të bëhet në tetor, me pyetjet për etninë, fenë dhe gjuhën.

Si ofiqari përgjegjës për censusin 2011 do të doja të njoftoja publikun e interesuar se ky numërim i popullsisë dhe banesave do të realizohet në muajin tetor të këtij viti. Do të doja të rikujtoja të gjithë se kësaj radhe synohet të vilet një sasi e një lloj informacioni shumë më i plotë e kompleks krahasuar me të shkuarën, dhe që kjo gjë do të arrihet edhe përmes përdorimit masiv të teknologjisë digjitale që zë afro 1/3-n e buxhetit. Ky informacion do të na japë një panoramë të plotë të realitetit social dhe ekonomik shqiptar, do të na bëjë më të ndërgjegjshëm për atë që jemi, pra, edhe për rrugën deri këtu ku jemi, por, sidomos do të na ndriçojë në rrugën drejt së ardhmes.

Censusi do të na ofrojë të dhëna të plota e të sakta për strategji të mirëmenduara dhe do të na sigurojë para publike të mirëshpenzuara. Por, me sa kam ndjekur e prekur debatin gjatë 18 muajve të fundit mbi këtë ushtrim të madh shoqëror e shtetëror, druaj se polemika e mediatizuar do të shmangë opinionin profesional mbi natyrën e dobinë e censusit në përgjithësi dhe do të fokusohet te pyetjet “sensitive” të përfshira në pyetësor: ato mbi gjuhën amtare, përkatësinë etnike dhe atë fetare. E rimarrim këtë temë pasi njoftuam katër muaj më parë se censusi i planifikuar fillimisht për t’u mbajtur në prill 2011, u shty për më vonë, pasi nuk dukej e këshillueshme mbajtja njëkohësisht me fushatën e zgjedhjeve vendore. Sot besoj se të gjithë biem dakord se ky ishte vendimi i duhur. Gjithashtu, është momenti të rikonfirmojmë se pyetjet e mësipërme do të jenë pjesë e pyetësorit. Me veçorinë, siç e kemi sqaruar shpeshherë më parë, se këto të tria ndryshe nga pyetjet e tjera, do të jenë opsionale; pra, i anketuari mund të zgjedhë të mos përgjigjet. Edhe ligji për censusin do të përmirësohet e plotësohet paraprakisht me normat e mbrojtjes së të dhënave personale e ndëshkim për deklaruesit gënjeshtarë.

Është rasti gjithashtu, për të vënë në pah argumentet në favor të vendimit tonë, që të shqyrtuara me gjak të ftohtë, mendoj që janë më shumë se bindëse.
Së pari, ne nuk po bëjmë asgjë të re në historinë e shtetit shqiptar (edhe po të ishte kështu nuk është e qortueshme në vetvete, por, në rastin tonë, thjesht nuk është e tillë). Ju kujtoj se në periudhën midis dy luftërave botërore, në vitin 1923 dhe në vitin 1930, janë kryer dy censuset e para, të cilët kanë mbledhur të dhëna për këto çështje (prej asaj kohe i kemi ato përqindje për minoritetet etnike e komunitetet fetare, të cilat kanë mbetur po ato dhe që citohen rëndom në publicistikë). Edhe nën regjimin komunist kjo praktikë vazhdoi (duke iu përshtatur mohimit të fesë e ateizmit të imponuar që nga viti 1967) deri në regjistrimin e ’89-s, kur në krye të partisë së vetme dhe të shtetit njëkohësisht, ishte Ramiz Alia.

Së dyti, të gjitha vendet e Europës, vende ish-komuniste që tashmë janë anëtarë ose ende aspirantë të Bashkimit Europian, kanë realizuar censime të tilla, madje mes tyre edhe vende me pakica jo të vogla e me relata jo rrallë problematike si Rumania, Bullgaria e shtetet e ish-Jugosllavisë. Një shembull i freskët: Mali i Zi e nisi këtë proces pak muaj më parë pas një polemike pothuajse shkatërruese, ku u përplasën jo vetëm politikanët e Podgoricës me ambasadorin e Beogradit, por edhe Kisha Malazeze me atë Serbe, secila me pretendimet e shifrat e tyre për natyrën etnike të banorëve të vendit fqinj; por shteti malazez e realizoi censusin me këto pyetje brenda.

Edhe vende të Europës Perëndimore censojnë popullsinë me të tilla pyetje (në ndonjë rast të veçantë edhe me pyetje për racën), por për vendet ish-komuniste, me sa kemi parë, ka qenë kërkesë specifike e Brukselit që ta bëjnë këtë. Këtu nuk ka pse bën përjashtim Shqipëria. Kush ka lexuar progres-raportin e 2009-s për Shqipërinë të Komisionit Europian, mund t’i kujtohet pika 2.2 në faqen 17-të, ku shënohet se “Në Shqipëri vazhdon të mos ketë të dhëna të sakta mbi minoritetet. Censusi i ardhshëm i popullsisë, duke respektuar standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së të dhënave personale, do të jetë vendimtare për të adresuar këtë çështje”. Personalisht nuk jam partizan i qasjes, le ta bëjmë këtë se na e kërkon bota. Por kriteret, kërkesat e kushtet e BE-së, përveçse janë detyrim kontraktual i Republikës (MSA është në thelb një traktat dypalësh), në tërësi përputhen edhe me nevojat zhvillimore të vendit tonë. I shënoj këto fakte për të theksuar se kush e ka vërtet për zemër integrimin e Shqipërisë në BE, duhet të konsiderojë çfarë thuhet në radhët më lart.

Së treti, lidhur me ata që kanë kundërshtuar me shumë pasion trion e pyetjeve, do të thosha se për një pjesë të tyre kam respekt, pasi çmoj që janë intelektualisht të ndershëm dhe në gjykimin e tyre motivohen nga droja, se mos vetëdeklarimi, si metodë standarde e aplikuar për censimin në Shqipëri, do të sjellë sot shifra të mpakura për shqiptarët dhe nesër pretendime ndaj tyre e probleme për ta. Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë. Ndonëse levantinët e së shkuarës mund të jenë edhe fenomen i së tashmes, nuk ka asnjë arsye për të besuar se shqiptarët e vitit 2011 do të rrëfejnë të dhëna identitare të ndryshme nga ato të gjyshërve të tyre 80-90 viteve më parë. Faza e demoralizimit kolektiv akut, të akumuluar ne fund të regjimit komunist e të shpërthyer në vitet e para të tranzicionit, është përfundimisht e arkivuar.

Emblema e saj, anijet e mbushura deri ne majë të direkut me masë njerëzore, luhatet midis kujtimeve të dhimbshme e prodhimeve kinematografike. Sot, shqiptarët udhëtojnë pa viza përmes kufijve që dikur ishin mollë e ndaluar për të cilën rojet e më pas natyra e rrethanat, merrnin jetë njerëzish guximtarë e të dëshpëruar. Sot, Shqiptarët kategorizohen nga Banka Botërore si vend me të ardhura të mesme të larta (upper middle income country), ndërkohe që dhjetë vjet më parë ishim tri shkallë më poshtë, tok me më të varfrit e planetit në kategorinë të ardhura të ulëta (low income country). Nën regjimin komunist ishim të izoluar, në dekadën e parë të tranzicionit ishim të pasigurt, madje të kërcënuar. Sot, Kosova është e pavarur dhe ne jemi anëtarë kontribues në aleancën më të fuqishme të kohërave dhe aspirojmë për të hyrë në unionin që paqtoi e begatoi kontinentin e vjetër. Atëherë vlen të behet pyetja, pse në vitin e largët 1923, kur populli ynë ishte i varfër e i pashkollë, kur kishte vetëm tre vjet që jetonte nën një shtet kombëtar mezifunksionues nga brenda, e të dobët kundrejt fqinjëve e Fuqive, banorët e këtij vendi u deklaruan gati të gjithë me etni shqiptare? Ose e formuluar ndryshe, pse duhet të druhemi se nipërit e mbesat e shqiptarëve të vitit 1923, të cilët jetojnë në avantazhe të paimagjinueshme asokohe, do të deklarohen diçka tjetër nga ajo që janë e do të mohojnë të pamohueshmen që është gjuha amtare, që janë fjalët e para të dëgjuara nga nëna e ati e që mbetet tipari kryesor unifikues i kombit? Realisht nuk kemi asnjë arsye.

Disa kundërshtarë të trios së censusit, duket se apriori i paragjykojnë bashkatdhetarët e tyre si të shitblejshëm për 30 groshë e të padenjë për sovranitet mbi ndërgjegjen e tyre; ata që nuk duan të lejojnë shqiptarët të deklarohen lirshëm më ngjasojnë me Ramiz Alinë në vitin e tij të fundit në krye të Republikës Popullore Socialiste, kur demarsheve ndërkombëtare për demokratizim e pluralizëm, u gjegjej se “nuk mund t’i lemë (shqiptarët) të votojnë lirshëm, pasi jemi popull i vogël për t’u ndarë mes shumë partive(?!). Fushata anticensus, që jo rrallë nënkupton një kompleks inferioriteti kolektiv e ndonjëherë merr edhe nuanca haxhiqamiliste, së fundmi është shfaqur duke marrë në patronazh çështjen kombëtare. Në një mjedis plural, kjo është më se e mundur dhe e ligjshme; në Europë kanë fituar vota parti që pozicionohen kundër emigracionit prej Botës së Tretë; te ne këto 21 vite, unë kujtoj një dyzinë partish politike që vetëm kanë tentuar zhurmshëm të identifikohen më stemën e kastriotëve e të polemizojnë me fqinjët tanë problematikë. Lexuesit të informuar është e panevojshme t’i kujtoj rezultatin elektoral të tyre, por si njeri i prirur nga e mbara, do e shihja të dobishme edhe lëvizjen e atyre që flamurin kombëtar e kanë shpallur pelerinë private; nëse kjo lëvizje do të nxiste pozitivisht krenarinë etnike dhe përmes evokimit të vlerave të moçme e të sotme, do të inkurajonte edhe deklarimin “jam shqiptar”, në tetor të këtij viti. Gjej një model te tifozët kuq e zi të Kombëtares tonë të futbollit që në mënyrë shumë më të sinqertë, më pasiononte e sidomos më të fisme, e luajnë bukur këtë rol.

Por përmendja e çështjes kombëtare më jep rastin të hedh në kartë ndonjë mendim mbi këtë temë. Për mua t’i shërbesh çështjes kombëtare, sidomos kur ke gjë në dorë, do të thotë të punosh pa u lodhur e me shumë përkushtim e përulësi, që të kemi një shtet me institucione efektive e të besueshme, që të gjithë, përfshi edhe politikanët, t’u nënshtrohen normave të Kushtetutës dhe ligjit; të kemi Financa publike të shëndosha dhe me to të bëjmë çmos për t’u dhënë njerëzve shkolla, spitale, rrugë cilësore e plot të tjera kësisoj; dhe sidomos t’u japim atyre lirinë e sigurinë që të ndjekin vetë gjithsecili rrugën e mbrothësisë e të lumturisë. Atëherë edhe të tjerët të respektojnë më shumë dhe Europa të pranon më kollaj. Por, kur të gjithë, së fundmi edhe një raport i monitorëve të BE-së, të thonë se i ke kthyer në pazar të gjësë së gjallë emërimet në pushtetin e tretë, ti varesh për duarsh te çështja kombëtare dhe pretendon se je si Atllasi që mban botën, pra, çështjen mbi shpinë, atëherë me sjell ndër mend atë shprehjen e famshme mbi strehën e fundit për të cilën ia vlen të shkruajmë sërish.

P. S. Siç kemi vërejtur edhe tjetër herë, fjala regjistrim, e përdorur nga ligji i vitit 2000 për të përshkruar mbledhjen e të dhënave mbi popullsinë, banesat, ndërmarrjet etj. Për qëllime statistikore ( pra, të dhëna të anonimizuara), është tejet e papërshtatshme, pasi kuptimi i fjalës regjistrim tregon një lidhje të pandashme identitare të personit ose të gjësë së regjistruar. Në vend të saj volit të përdorim fjalën census, të pranishme në botimet e herëpashershme të Fjalorit të Gjuhës Shqipe e që është termi i adoptuar nga latinishtja, jo vetëm në gjuhët neoromane, por edhe në gjuhë si anglishtja e gjermanishtja.

*Genc POLLO është ministër dhe kryetar i Komisionit Qendror të Censusit

Aleanca Kuq e Zi, degë në Itali

Aleanca Kuq e Zi ka themeluar degën e saj edhe në kryeqytetin e Italisë. Në një takim me studentë dhe lektorë shqiptarë e italianë, në Universitetin e La Sapienzas në Romë, u diskutua mbi sfidat e integrimit të Shqipërisë dhe vlerat e identitetit kombëtar, si dhe u nënshkrua nga të pranishmit peticioni kundër regjistrimit mbi bazat e vetëdeklarimit etniko-fetar. Në auditor u kritikuan ashpër tendencat për një regjistrim etnik dhe fetar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë, si një rrezik për tensione dhe destabilizim politik. Aleanca Kuq e Zi deklaroi se ka ardhur koha që të mbrohen të drejtat e emigrantëve në çdo aspekt, si dhe duhet t’u garantohet e drejta e votës atje ku jetojnë. Në takimin, ku ishte i pranishëm edhe Kreshnik Spahiu, zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u premtua se në vitin 2013 edhe emigrantët do të kenë të drejtë të votojnë.





(www.panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment