'Miratimi i ligjit mund të zvarritet në momentin që dalim nga greva'

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në ditën e njëzetë e nëntë po vazhdojnë grevën përpara objektit të Qeverisë së Kosovës, gjersa gjendja e tyre shëndetësore dukshëm është përkeqësuar për shkak se ngritjes së temperaturave, por edhe për shkak se një pjesë e tyre kanë plagë lufte dhe janë në moshë të shtyrë.

Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka deklaruar për Kosovapress se janë në ditën e njëzet e nëntë të grevës dhe se gjendja e grevistëve është përkeqësuar.

“Jemi në ditën e njëzet e nëntë, gjendja e grevistëve është seriozisht e rënd, për arsye se një pjesë e tyre kanë të bëjnë me plagë të luftës, pastaj mosha e tyre, temperaturat e larta, gjendja ku qëndrojmë është një gjendje e keqe”, ka thënë Qeriqi.

Ai thotë se kanë pasur shumë ndërhyrje mjekësore, madje një grevistë është në gjendje shumë të rënd.

“Kemi pas ndërhyrje vazhdimisht mjekësore, një grevistë është që një javë në QKUK dhe gjendja e tij është jashtëzakonisht e rënd”, ka thënë Qeriqi.

Qeriqi ndalet edhe te takimi që kanë pasur me kryeministrin Hashim Thaçi, ku sipas tij është biseduar për Ligjin e vlerave të luftës dhe i ka njoftuar me procedurat si do të shkojnë deri më miratimin e tij.

Ai thotë s kryeministri Thaçi ka kërkuar që të ndërpresin grevën, mirëpo vendimi dhe vullneti i të gjithë grevistëve ka qenë mos të ndërkrehet greva dhe ashtu është vepruar.

“Kryeministri ka premtuar dhe ne e kemi falënderuar për procedurat e shpejta që ka marr, mirëpo me vetë faktin që ka pas ngecje që dymbëdhjetë, vite ky ligj mund të ngecë prapë në momentin që të largohemi nga këtu”, ka thënë ai.

Megjithatë, edhe pas shumë vizitave institucionale që kanë pas grevistët, Qeriqi nuk është i informuar se në ligjin e ri i cili pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës do të jenë të përfshira kërkesat për të cilat ata janë në grevë tash e njëzet e nëntë ditë.

Ndryshe, grevistët kërkojnë që urgjentisht të miratohet në Parlament Ligji për vlerat e luftës. UÇK-së dhe luftës së saj t’i bëhet njohja politike, duke e bërë atë kategori kushtetuese. Veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të kenë trajtim nga Ministria e Mbrojtjes dhe jo nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Që veteranët dhe invalidët e luftës të kenë imunitet dhe mos të kenë ndjekje penale për krime lufte.



(www.gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment