Puna sezonale s’e zbut papunësinë.

Në pamundësi të krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë, autoritet kompetente duhet që të gjejnë forma alternative të punësimit, siç është punësimi sezonal jashtë shtetit, thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Nënkryetari i kësaj sindikate, Xhafer Xhaferi, thotë se arritja e marrëveshjeve eventuale me shtete evropiane për punësim sezonal, për një periudhë të shkurtë, do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes socio- ekonomike dhe zbutje të papunësisë te një numër i qytetarëve.

Sipas Xhaferit, në këtë drejtim mungon angazhimi i institucioneve kompetente.

“Do të duhej më tepër angazhime, unë besoj se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të duhej të lidhë aranzhmane me shtetet përreth, ku ka nevojë dhe ka mundësi për punësim të punëtorëve dhe të gjendet një zgjidhje e përkohshme, që se paku të zbutet papunësia”, thotë ai.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë thonë se punësimi sezonal është një proces shumë vështirë, i cili kërkon përmbushjen e shumë kritereve. Behxhet Gaxhiqi, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e quan sfidë realizimin e këtij procesi.

“Sa i përket çështjes se punimit sezonal, është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë për të realizuar, sidomos për faktin se këtu kërkohet një numër i atyre vendeve që e pranojnë fluksin e atyre punëtorëve, dhe duhet të parashtrohet kërkesë, se a kanë më të vërtet nevojë për profil të atyre punëtorëve që ata duhet të shkojnë në vende të jashtme, sidomos në perëndim”, thotë Gaxhiqi

Gaxhiqi tregon se tash e disa vite, zbatohet një marrëveshje më shtetin gjerman për punësim sezonal të studenteve kosovarë.

Edhe pse ky program do të zbatohet edhe gjatë këtij viti, Gaxhiqi thotë se ende nuk dihet numri i saktë i studentëve që do të fitojnë nga ky projekt.

Vitin e kaluar, numri i studentëve kosovarë që kanë punuar në Gjermani gjatë pushimeve verore ishte 300.

“Për vetë faktin se është lejuar vetëm për studente sepse është dhënë një garanci shumë e fuqishme që ata, për periudhën 2-3 mujore, do të ndjekin ndonjë punësim. Kështu që ata japin garanci, sepse ata janë në studime në Kosovë dhe do të kthehen”.

“Ndërsa, nëse shikojmë këndin tjetër, nëse dërgohen punëtorë të fushave të ndryshme, atëherë do të jetë shumë më vështirë që të kemi garancion të fuqishëm në këtë drejtim”, shprehet Gaxhiqi

Sipas disa hulumtimeve të fundit të bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, thuhet se norma e papunësisë në Kosovë ka arritur në 48 për qind ndërsa shkalla e të punësuarave sillet rreth 26 për qind.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment