‘PS humbi zgjedhjet, e majta e përçarë rrezikon edhe 2013′

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, shprehet se kjo Parti i ka humbur zgjedhjet lokale të 8 majit. Sipas tij, nëse PS do të vazhdojë me këtë mentalitet të të bërit politikë dhe opozitë, por edhe nëse e majta nuk do të dalë e bashkuar, rrezikohet edhe fitorja në zgjedhjet e përgjithshme të 2013.Sipas tij, përgjegjës për këtë rezultat dhe këtë situatë është kryetari i PS, Edi Rama.

Zoti Islami, dy ditë më parë, Kolegji Zgjedhor dha vendimin për hapjen e 368 kutive të tjera në Tiranë, për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të kontestuara. Çfarë rezulton sipas jush nga ky vendim?

Dy vendimet e fundit të Kolegjit Zgjedhor u japin përgjigje të gjithë “paqartësive” dhe ankesave lidhur me procesin zgjedhor në Tiranë dhe në mënyrë më specifike ligjshmërisë së vlerësimit dhe numërimit të “fletëve të votimit të hedhura gabimisht në kutitë e tjera”. Për të qenë më të saktë në vlerësim, duhet pritur arsyetimi i Kolegjit; sidomos politikanët është mirë që, ashtu siç priten deri tani gjykimin, me qetësi e maturi ta pranojnë edhe vendimin e Kolegjit, siç ndodh me të gjithë qytetarët e zakonshëm sa herë marrin në dorë një vendim të formës së prerë nga shkalla më e lartë e gjyqësorit dhe të mos aplikojnë mekanizimin e vetëgjyqësisë, sa herë nuk u pëlqen rezultati. Më konkretisht, vendimi i fundit jo vetëm 1) shpreh qartas që ekziston baza ligjore për vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura gabimisht në kutitë e tjera; II) jo vetëm konsideron të ligjshme procedurën e ndjekur nga KQZ për vlerësimin dhe numërimin e fletëve të hedhura gabimisht, por kërkon që të numërohet çdo votë e hedhur gabimisht që nuk është numëruar ende, pra që ky proces të jetë i njëtrajtshëm e në mënyrë transparente të shtrihet për të gjitha fletët, bazuar në parimin se “çdo votë duhet numëruar”. Ambasadori i OSBE e ka përshëndetur vendimin, edhe njëri nga kandidatët, ndërkohë që Rama e ka stigmatizur negativisht. Për të njohur fituesin, duhet pritur përmbyllja dhe certifikimi i procesit; besoj jo më shumë se një duzinë ditësh.

Pasi zgjedhjet 2011 përfunduan dhe ndërkohë PS u angazhua në një fushatë refendare, shtrohet pyetja se sa e suksesshme ishte PS në këto zgjedhje, të cilat i konsideroi si ballafaqim politik? Ose ndryshe, cila nga dy koalicionet, Aleanca për Qytetarin (AQ) apo Aleanca për të Ardhmen (AA) është rritur më shumë në 2011 krahasuar me 2009 dhe si ka ndryshuar diferenca midis tyre?

Krahasimi midis zgjedhjeve të përgjithshme 2009 dhe atyre vendore 2011 është i vështirë, por, ndonëse dikush do të thoshte se çalon, ai është jo pa vlerë dhe aq më tepër po të analizohet i shtrirë në kohë, ai është domethënës e koherent. Nga analiza e rezultateve del se në zgjedhjet 2011 përsëritet pothuajse përgjithësisht i njëjti rezultat si në vitin 2009. Pra, vihet re në 2011 një rezultat sikurse të mos kishte ndodhur asgjë në hapësirën midis dy viteve 2009 e 2011, ndonëse shumë ngjarje si nga maxhoranca ashtu edhe nga opozita i janë servirur votuesve shqiptarë, por mesa duket efektet e tyre janë balancuar apo kanë anihiluar njëra-tjetrën. Ndryshe mund të thuhet se për shkak të mungesës së ofertave të reja ka prevaluar “stanjacioni elektoral”. Madje edhe “votuesit e rinj” të sapoardhur në sistem duket se janë sjellë pothuajse njëlloj si “votuesit e vjetër”, sepse edhe kjo prurje e re nuk ka sjellë ndryshim në balancën midis PD e PS. Rezultati i 2011 përgjithësisht rikonfirmon rezultatin e 2009, për rrjedhojë, 1) favorizon maxhorancën për të artikuluar tezën e rikonfirmimit të saj politik në drejtim të qeverisjes së vendit, por edhe të zgjedhjeve të rregullta të vitit 2009 dhe II) defavorizon opozitën, e cila e projektoi suksesin bazuar në ndjekjen e një strategjie veprimesh jashtë e antiinstitucionale. Duke u përsëritur në 2011 rezultati i vitit 2009, përgjithësisht ruhet gjithashtu edhe raporti i votave midis AQ dhe AA, ndërkohë që në zona të ndryshme mund të shfaqen devijime të vogla në favor të njërës palë apo tjetrës nga ky konkluzion i përgjithshëm. Por kjo situatë statukuoje favorizon koalicionin qeveritar për të mos humbur edhe këtë betejë elektorale, ndërkohë që përçarja nuk e lejon të majtën të fitojë edhe në 2013.

Ju keni artikuluar tezën e një vlere konstante historike të diferencës së votave midis të majtës dhe të djathtës, e cila është në themel të analizave tuaja. Shtrohet pyetja, nëse në këto zgjedhje ruhet kjo “konstante historike”, ndërkohë që LSI ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar? Dhe përse ndodh kjo?

“Konstantja historike” tregon se në Shqipëri ka pak më shumë votues të majtë sesa të djathtë. Kur bëhet fjalë për këtë “konstante historike” midis të majtës e së djathtës, natyrisht që në llogaritje LSI përfshihet majtas, pavarësisht pozicionit të saj zgjedhor; vetëm në këtë rast bëhet fjalë për “konstante historike” apo “vlerë invariante”, pavarësisht llojit të zgjedhjeve apo periudhës kohore. Kjo lidhet me faktin tjetër se përgjithësisht nuk ka rialokim votash nga e majta në të djathtë apo anasjelltas ose këto shkëmbime votash janë gjithnjë pothuajse në vlera të njëjta, duke krijuar kështu “hendekun historik” të pandryshueshëm. Nga analiza e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2011 mund të pohohet përfundimi i parë evident: Ruhet përsëri “hendeku” apo “konstantja historike” midis të majtës dhe së djathtës. Kjo vlerë prej disa vitesh “lëkundet” rreth një madhësie konstante të saturuar nga 1) sjellja tradicionale e gati “fanatike” e votuesve në të dy krahët politikë, të majtë e të djathtë; II) nga mungesa e alternativave të reja të besueshme e shpresëdhënëse e mjaftueshmërisht të mëdha nga ato prezente në tregun aktual politiko-elektoral dhe III) padyshim nga klima e acaruar e plot tensione politike dhe beteja e ashpër mes dy llogore “armiqësore”, midis dy forcave kryesore PD e PS, që pengon krijimin e një zonë të lëvizshme me mobilitet të mjaftueshëm për të kapërcyer murin e lartë apo hendekun midis dy krahëve që luftën për pushtet e kanë kthyer në luftë të personalizuar për “jetë a vdekje”.

Për herë të parë, pas koalicionit politik me PD në 2009, LSI shfaqet në koalicion elektoral me të djathtën; a ka ndikuar ky fakt në madhësinë dhe rolin e LSI si faktor vendimtar politik …?

Përfundimi i dytë i qartë i zgjedhjeve 2011 dhe po ashtu “historik” është: LSI që nga krijimi vazhdon të mbetet faktori më i rëndësishëm politik, balancues dhe përcaktues midis dy aleancave, socialiste, të drejtuar nga PS, dhe demokratike, të drejtuar nga PD. LSI jo vetëm ka mbijetuar ndryshe nga ç’mendonte/synonte PS, por edhe është zgjeruar dukë i dhënë leksionin e tretë negativ PS (pas atyre të 2005 e 2009 vjen leksioni/pësimi i 2011, ndërkohë që rasti i 2007 ishte një shembull modest i suksesit relativ të së majtës së bashkuar). Në këtë zgjedhje u provua po ashtu se përgjithësisht (me probleme të vogla vende-vende) koalicioni politik PD-LSI ishte funksional edhe në aspektin elektoral, pra edhe në terren. Dhe fakti që koalicioni PD-LSI ka funksionuar në terren, godet rëndë strategjinë e PS që, e vendosur për të mosbashkëpunuar më LSI, ka synuar ta eliminojë atë duke pësuar një efekt dërmues bumerang.

Nisur nga dy përfundimet e para, atëherë, çfarë leksioni del për të majtën nga këto zgjedhje?

Përfundimi i tretë fatkeq dhe i përsëritur për të majtën edhe në 2011 është: Pa bashkim të PS me LSI, e majta e përçarë (thirrja në koalicion e të gjithë partive të majta e të djathta që arriti në shifrën 23 mbetet e pamjaftueshme) ka qenë dhe mbetet e destinuar të mos fitojë betejat elektorale, dhe jo vetëm të dënohet të qëndrojë në opozitë për tetë vjet, por edhe tani në 2011 të mos fitojë qartazi (kandidati i së majtës së bashkuar do të kishte fituar Bashkinë e Tiranës me rreth 40 mijë vota më shumë se kandidati kundërshtar dhe po ashtu nga 9 me 2 minibashki në 2007 në favor të së majtës së bashkuar, kalohet në 7 me 4 minibashki në favor të koalicionit qeveritar, pra një humbje me 5 minibashki për të majtën vetëm nga përçarja) Bashkinë e Tiranës dhe detyrohet të futet në qerthullin e një beteje të pakuptimtë e plot rreziqe (sulm mbi KQZ, mosnjohje e vendimeve të KQZ e të Kolegjit Zgjedhor, bojkot i Kuvendit e të tjera), e mbi të gjitha, pa perspektivë dhe pa asnjë interes për socialistët e thjeshtë. Po kthehet gati-gati në një përfundim evident se e majta e përçarë nuk fiton dhe për rrjedhojë me shumë gjasa do të vazhdojë të mbetet në opozitë, ndërkohë që përpjekjet e PS për të rrudhur/eliminuar LSI kanë rezultuar jo efikase. Kjo sjellje i bën fatkeqësisht parashikimet për të majtën e përçarë të jenë të zymta edhe për 2013, nëse nuk do të kishte ngjarje të paparashikueshme.

Çfarë përfundimi mund të nxirret për “suksesin relativ” të dy aleancave, po të kemi parasysh se AA ka fituar më shumë bashki dhe AQ më shumë komuna?

Në një këndvështrim më praktik nga analiza e rezultateve paraprake dhe ende të paplota të votave të fituara nga kryetarët e bashkive dhe të komunave, dalin edhe këto dy përfundime: 1) Aleanca për Qytetarin kryeson për sa i përket numrit të komunave, por edhe të votave të fituara (rreth 53 %) prej tyre me rreth 8 për qind më shumë sesa Aleanca për të Ardhmen (rreth 45 %) ; II) Aleanca për të Ardhmen kryeson për sa i përket numrit të bashkive, por edhe të votave të fituara (rreth 51%) prej tyre me rreth 2 për qind më shumë sesa Aleanca për Qytetarin (rreth 49%). Pra mund të thuhet se “Aleanca për qytetarin” është shumë më e “fortë” se “Aleanca për të ardhmen” për sa i përket votave të grumbulluara nga kryetarët e komunave, kurse “Aleanca për të ardhmen” është pak më e “fortë” se “Aleanca për të qytetarin” për sa i përket votave të grumbulluara nga kryetarët e bashkive…

Cilat do të ishin kriteret/treguesit për të vlerësuar se cili nga dy koalicionet, AQ apo AA, rezulton fitues nga zgjedhjet e 8 majit 2011?

Ka tri kritere për të vlerësuar suksesin në zgjedhjet vendore: 1) numri i plotë i njësive vendore dhe i këshillave përkatës, II) sasia e votave në shkallë kombëtare (ky është një tregues që konfirmon, apo jo rezultatin e vitit 2009 dhe shërben si një projeksion për zgjedhjet e vitit 2013) dhe III) rezultatet për Tiranën (kryetari i Bashkisë, Këshilli i Bashkisë dhe numri i kryetarëve të minibashkive). Në asnjërin prej këtyre kritereve PS nuk del fituese. Nga ana tjetër, koalicioni AQ ka 1) numrin më të madh të njësive vendore (bashki plus komuna); II) sasinë më të madhe të votave në shkallë kombëtare (rreth 140 mijë vota më shumë se AA) dhe III) në Tiranë ka humbur 5 minibashki, ka humbur Këshillin Bashkiak dhe pritet të jetë fatkeqësisht jo pozitiv edhe rezultati për Ramën. Kjo është analizë racionale, ndërkohë që deklarimi i “fitores spektakolare” në qytetet kryesore (e majta e bashkuar në 2007 kishte 9 nga 12 bashki qendër-qarku dhe tani në 2011 e majta e përçarë ka vetëm 7 nga 12, pra ka humbur dy minibashki, nuk të lejon të flasësh për fitore spektakolare) është emocional-demagogjik, kurse artikulimi që “PS ka fituar bregdetin” është veçse folklorik.

Po t’i referohemi numrit të njësive vendore (bashki plus komuna) dhe votave të fituara prej të gjithë kryetarëve të njësive vendore, çfarë përfundimi del?

Po t’i referohemi numrit të plotë të njësive vendore (bashki plus komuna) avantazhi është në favor të Aleancës për Qytetarin, po ashtu edhe për sa i përket votave të grumbulluara nga kryetarët e bashki/komunave. Kjo diferencë e votave në shkallë kombëtare thellohet në favor të AQ ndaj AA duke arritur deri në 140 mijë vota më shumë, nëse i referohemi votave të grumbulluara nga partitë në përbërje të këtyre dy koalicioneve. Pra, “Aleanca për qytetarin” rezulton superiore ndaj “Aleancës për të ardhmen”, po t’i referohemi dy kritereve për vlerësimin e zgjedhjeve vendore (një kriter i tretë është rezultati në Tiranë, por për këtë do të ketë një analizë speciale dhe më të detajuar më vonë): 1) numrit të njësive vendore (bashki plus komuna) apo të drejtuesve vendorë të fituara nga subjektet elektorale dhe II) sasisë se votave të fituara nga të dy aleancat që përcaktojnë drejtimin e këshillave vendore (bashki/komunë apo qark). Dhe ky rezultat është i natyrshëm, po të kemi parasysh se përçarja e se majtës dhe kalimi i LSI në koalicion me PD ka pasur ndikim në të gjithë treguesit, si në votat e këshillave vendore, ashtu edhe në numrin e kryetarëve të njësive vendore, si dhe në votën në shkallë kombëtare.

Nëse rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të projektoheshin në 2013, çfarë do të rezultonte?

Për të qenë korrekt, se pari duhet thënë se sjellja e votuesve nuk është plotësisht e njëjtë në zgjedhjet vendore e në ato të përgjithshme, për rrjedhojë, një vëzhgues jo profesionist nuk nxjerr lehtësisht përfundime dhe nuk gjen dot korrelacionin midis këtyre rezultateve. Por, nga një analizë më integrale e profesionale dhe më e thellë njëkohësisht mund të nxirren përfundime që janë një bazë e mirë arsyetimi për ekspertët e zgjedhjeve. Nëse të dhënat paraprake dhe ende jozyrtare, të përpunuara do të futeshin në një model simulimi, bazuar në sistemin zgjedhor proporcional rajonal, atëherë do të dilte ky përfundim: Numri i mandateve (të llogaritura indirekt) të fituara nga AQ do të lëvizte nga 73 deri në 76 mandate deputetësh dhe përkatësisht për AA nga 64 në 67 mandate deputetësh, në varësi se cila nga vlerat e votave do të merrej në konsideratë 1) votat e grumbulluara nga kandidatët e njësive vendore (AQ=73 dhe AA=67), II) votat e subjekteve elektorale (AQ=76 dhe AA=64) apo III) kombinimin e tyre (AQ=73-76 dhe AA=64-67). Për rrjedhojë, nga kjo llogaritje një përfundim është absolut: E majta e përçarë nuk do të mund ishte në asnjë rast subjekt politik qeverisës apo formuese e maxhorancës, edhe nëse në 2011 do të ishin zhvilluar zgjedhje të përgjithshme.

Cili do të ishte përgjegjësi kryesor për këtë rezultat të opozitës?

Natyrisht përgjegjës nuk janë as kryetari i Asamblesë Kombëtare, as sekretarët e PS (asnjëri), as anëtarët e Kryesisë (asnjëri), as deputetët (asnjëri), as anëtarët e Asamblesë (asnjëri), kryetarët e PS në nivel lokal (asnjëri), as komisionerët (asnjëri), as juristët (asnjëri), askush por vetëm…; dhe për ta thënë më troç po perifrazoj se çfarë thoshte për përgjegjësin kryesor vetë Rama në vitin 2005, kur PS kaloi në opozitë: “…në aspektin moral e simbolik fitorja është e të gjithëve, kurse humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve, i cili e merr mbi supe përgjegjësinë morale në emër të të gjithëve bash për t’u vënë kapakun “analizave”, të cilat në fakt quhen të bëra nga populli zgjedhës, për t’u dhënë votuesve shenjën e fortë të përgjegjshmërisë e të seriozitetit në mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri, për t’i çelur rrugë pa humbur kohë anëtarësisë që, përmes leximit të votës së popullit, të formulojë drejtimin e ri të partisë me sytë nga sfidat e së ardhmes, e jo nga trofetë e së shkuarës…” .



(gazeta panorama)

No comments:

Post a Comment