Pranga protestuesit të 21 janarit

Detyron 24-vjeçarin t’i japë 750 mijë lekë, arrestohet kryekontrollori i Parkut të Autobusëve në Durrës.Policia e këtij qyteti prangoi dje 29-vjeçarin Feta Mataj, i njohur si aktivist i Partisë Socialiste, si dhe i pandehur në proces gjykimi për protestën e dhunshme të 21 janarit.
Mataj, i lindur në Tepelenë dhe banues në Lagjen Nr. 15 të qytetit të Durrësit, është arrestuar dy orë pas mesit të natës, pasi ndaj tij është depozituar kallëzimi penal i një shtetasi, i cili i ka bindur agjentët se Mataj e ka kanosur për t’i rrëmbyer pak nga pak një shumë që arrin në 750 mijë lekë. Feta Mataj, i dënuar më parë, akuzohet se i ka bërë presion të riut, duke e kërcënuar me jetë e duke arritur të përfitonte paratë. Kallëzimi është regjistruar ndaj tij nga ana e shtetasit A. D., i punësuar në firmën “Përparimi” të Mihal Delijorgjit në Shkozet. Një ditë më parë, A. D. i është drejtuar policisë për të shpëtuar nga shtrëngimi që i është bërë nga shtetasi Feta Mataj. Ky i fundit akuzohet se me anë të kanosjes ka kërkuar dhënie pasurie në shumën e 750 mijë lekëve. Menjëherë pasi kallëzimi penal është siguruar nga ana e policisë, 29-vjeçari Mataj është bërë objekt hetimi dhe përgjimi derisa është prangosur. Për shkak të së kaluarës së tij të dhunshme, policia është treguar e kujdesshme për t’iu shmangur çdo konfrontimi fizik, ndërkohë që gjatë kontrollit personal atij nuk i është gjetur armë apo mjet tjetër i ftohtë. Denoncuesi dhe kanosësi duket se kanë njohje të mëparshme, por policia është treguar e rezervuar për sqarime të mëtejshme. Mësohet se presioni ndaj 24-vjeçarit vazhdonte prej kohësh, duke arritur që nëpërmjet kërcënimit me jetë i riu t’i dorëzojë para herë pas here Matajt. Sipas policisë, kallëzuesi ka pohuar se kërcënimet janë bërë edhe me armë, fakt që nuk është arritur të provohet nga ana e hetuesve. Puna për zbardhjen e ngjarjes po vazhdon ende për sqarimin e plotë të skemës së shtrëngimit me forcë për dhënien e lekëve. Nga burime të Policisë pohohet fakti se Mataj e ka përfituar shumën e mësipërme dhe duket se kërkesat e tjera për para ta kenë detyruar 24-vjeçarin t’i drejtohet komisariatit për denoncim.
Feta Mataj njihet si person me precedentë penalë të mëparshëm. Në vitin 2009 është arrestuar si sekser në një çështje korrupsioni me funksionarë të Bashkisë së Durrësit. Më pas, në protestat e 21 janarit, ku Mataj rezultoi si një ndër personat që kundërshtuan me dhunë forcat e policisë. Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës njoftoi mbylljen e hetimeve për 29-vjeçarin në gjendje të lirë dhe dërgimin e çështjes në gjykatë. Ai u arrestua më 30 janar, por u la për t’u hetuar pozicioni i tij në ngjarjet e 21 janarit në gjendje të lirë. Gjatë kësaj kohe Mataj ka qenë në punë me detyrë kryekontrollor në Parkun e Autobusëve në Durrës.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment