“Polici preku çantën e Dritan Dajtit”

Fakte të pathëna më parë nga “masakra” e 7 gushtit 2009 në Durrës, ku u vranë 4 punonjës policie, u zbuluan dje në gjyqin ndaj Dritan Dajtit, personit të akuzuar për ngjarjen e rëndë, i cili po gjykohet te Krimet e Rënda.Në seancën e djeshme u mësua se ish-oficeri i Policisë, Mariglen Muça, i akuzuar në këtë proces, ka prekur çantën e Dritan Dajtit në skenën e krimit para se ajo të këqyrej nga grupi hetimor. Ky informacion është bërë i ditur nga një prej oficerëve të policisë, pjesëmarrës në operacionin e 7 gushtit, gjatë dëshmisë së tij në seancën e djeshme te Krimet e Rënda. Në përfundim të hetimeve ndaj Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Ergest Xhoxhaj dhe Mariglen Muça, ish-oficeri i Policisë, Muça, cilësohej nga prokuroria si personi që kishte ndihmuar Dajtin t’i fshihej policisë. Sipas prokurorisë, Muçaj i kishte krijuar lehtësira Dajtit dhe Xhoxhajt për të mos u pikasur nga “njerëzit e shtetit”.

ÇANTA E DAJTIT
Oficeri B. G. ka vijuar dje dëshminë e tij të ndërprerë në seancën e së hënës për shkak të problemeve shëndetësore të të pandehurit Dajti. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të karakterit sekret që ka në Policinë e Shtetit struktura në të cilën bën pjesë dëshmitari. Ne një moment, nga banka e dëshmitarit, B. G. ka përmendur se kishte parë të pandehurin Mariglen Muça të prekte çantën e Dajtit pak çaste pasi katër kolegë të tij u vranë pranë pistës “Iliria”. Burime të rezervuara pranë Gjykatës sqaruan se dëshmitari kishte pasur njohje të mëparshme me të pandehurin Mariglen Muça për shkak të angazhimit të Muçës në strukturat e Policisë. “Pak para se në vendin e ngjarjes të mbërrinte grupi hetimor, pashë që Mariglen Muça kishte kapur çantën që kishte Dajti me vete në momentin e arrestimit. Ishte një si çantë e vogël që vendosej krahë-qafë. Pashë që e hapi, por nuk fiksova dot nëse lëvizi apo nuk lëvizi gjë. I fola nga larg dhe i thashë të mos e ngacmonte, pasi mund të prishej vendi i ngjarjes”, mësohet të ketë pohuar dje dëshmitari para gjykatës. U mësua se deklarata e dëshmitarit ka shkaktuar tension dhe çoroditje në seancë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i të pandehurit Muça. Mësohet se ai ka tentuar të argumentojë veprimin e kapjes së çantës me faktin që ishte oficeri i Krimeve për zonën ku kishte ndodhur ngjarja. Por, gjykata nuk ia ka dhënë të drejtën e fjalës, duke i thënë se ishte dëshmitari duke folur. Në këto momente, i pandehuri Dajti i ka kërkuar gjykatës të largohet nga salla për pamundësi shëndetësore për të qëndruar. Për shkak të largimit të tij seanca është ndërprerë. Një seancë më parë, dëshmitari B. G. rrëfeu para gjykatës momentet kur kishte pikasur të shumëkërkuarin Dajti pranë pistës “Iliria” mëngjesin e 7 gushtit 2009, lajmërimin e bazës dhe më pas momentet e neutralizimit të Dajtit.

Uniforma

Mariglen Muça u arrestua nga SHKB-ja disa muaj pas ngjarjes së gushtit në Durrës, ku u vranë katër policë. Sipas hetimeve të prokurorisë kishte rezultuar se uniforma me të cilën Dajti shfaqej në një dokument policie i ishte ofruar atij nga i pandehuri Muça. Prokurorët e Krimeve të Rënda e identifikuan Muçën pasi ai kishte pasur kontakte të shpeshta telefonike me të pandehurin Ergest Xhoxhi.

“Spiuni”

“Nga hetimi i këtij procedimi arritëm të provojmë se oficeri i Policisë, Mariglen Muçaj, me veprime në kundërshtim me ligjin, i ka krijuar lehtësira të arrestuarit Ergest Xhoxhi dhe veçanërisht personit shumë të kërkuar Dritan Dajti, që t’i shmangej kapjes dhe arrestimit të tij përmes krijimit të kushteve për të fshehur identitetin dhe pozitën ligjore të tij”, thuhej në kërkesën për gjykim të prokurorisë në lidhje me të pandehurin Mariglen Muça.
(panorama.com.al)


No comments:

Post a Comment