PE: Palët të paafta për kompromis, zgjidhni mosmarrëveshjet zgjedhore

Pas mosarritjes së konsensusit mes PS-së e PD-së për daljen me një deklaratë të përbashkët në mbyllje të takimit dyditor ndërparlamentar të Komitetit të Stabilizim Asociimit, BE-Shqipëri, Parlamenti Europian doli me një deklaratë të njëanshme ku shprehu me qartë se të dyja palët janë të paafta që të gjejnë një kompromis për interesat e vendit dhe qytetarëve të tyre, të cilët i kanë zgjedhur.

Për të disatën herë gjatë këtyre dy viteve të fundit PE shprehu shqetësimin për situatën politike në Shqipëri, e tejzgjatur pa asnjë progres.

PE theksoi në deklaratën e mbrëmshme se progresi i Shqipërisë drejt integrimit në BE mund të dëmtohet seriozisht për shkak të moszgjidhjes së ngërçit politik dhe destabilizimit të situatës postzgjedhore, një nga prioritetet kyç në aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Parlamenti Europian i bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë të gjejnë rrugën për dialog brenda institucioneve.

Ndryshe nga herët e tjera, PE pas mosarritjes së konsensusit mes palëve është shprehur prerë se do të qëndrojë neutrale dhe nuk do të mbajë anë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me zgjedhjet vendore të 8 majit.

Në këtë kuptim PE nënvizoi se pret që mosmarrëveshjet të zgjidhen duke respektuar kuadrin ligjor.

Këtu PE thekson se nëse është e nevojshme palët mund këshillohen edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Parlamenti Europian vlerësoi me tone pozitive procesin e liberalizimit të vizave duke i bërë thirrje shqiptarëve që ta shfrytëzojnë në mënyrë të përgjegjshme lëvizjen e lirë.
(noa.al)

No comments:

Post a Comment