Picasso pëlqehet nga foshnjat

Shija në art është, natyrisht, tepër personale. Personaliteti, edukimi dhe normat e kulturës së dikujt kanë ndikim në atë se pse një person e dëshiron Kandinsky-n derisa një tjetër tërhiqet nga Kinkade.

Por çka rreth foshnjave, mendjet e të cilave ende duhet të formohen nga ndonjë lloj i indoktrinimit kulturor? Hulumtimi i botuar së fundmi ka gjetur se ato preferojnë shëmbëlltyrat e Pablo Picasso-s më shumë sesa impresionizmin e Claude Monet.
Për foshnjat, “një pëlhurë e pikturuar është thjesht një model vizual”, shkruan ekipi hulumtues i Universitetit të Cyrihut, i udhëhequr nga psikologu Trix Cacchione, “dhe disa modele i joshin ata më shumë se të tjerat”.

Dëshira e tyre për modelet e Picasso-s ka dalë në shesh në një seri të eksperimenteve të përshkruara në revistën Psikologjia e estetikës, kreativitetit dhe arteve.

Një grup prej 24 foshnjave në moshë prej 269 deri në 332 ditë kanë marrë pjesë në studim, i cili është përbërë nga pesë eksperimente. Në të parin, gjysmës së foshnjave u janë treguar një seri e veprave të Picasso-s, derisa të tjerët i kanë shikuar disa piktura të Monet.

Menjëherë pas kësaj, pjesëmarrësve të vegjël u janë treguar imazhe të të dy pikturave nga secili artist. Eksperimentuesit kanë vështruar se sa shumë kohë kanë harxhuar duke ua ngulur sytë secilës.

Ata që kanë qenë duke shikuar në pikturat e Monet e kanë preferuar Picasso-n. Kjo nuk ka qenë ndonjë befasi; ka qenë diçka e ndryshme dhe e rëndësishme. Por ata që kanë qenë duke shikuar në pikturat e Picasso-s gjithashtu janë përqendruar në Picasso-n, duke sugjeruar ‘një preferencë spontane’ për veprën e tij.

“Kjo preferencë është paraqitur të jetë shumë e fuqishme”, kanë shkruar hulumtuesit, “dhe është vështruar madje edhe në mungesë të çdo tipari artistik sikurse ngjyrat e spikatura, kontrastet e mprehta dhe prania e elementeve figurative”.

Madje edhe kur pikturat e tij janë treguar në bardh e zi dhe konturet e tij të mprehta janë mjegulluar, Picasso ka mbetur zgjedhja e pastër e foshnjave.

Hulumtuesit nuk mund ta shpjegojnë këtë përfundimisht, por ata bëjnë një rast të fuqishëm që kthjelltësia e Picasso-s, që është shkëlqimi i ngjyrave të tij, shpjegon joshjen e të vegjëlve.

“Picasso ka përdorur kontraste të mprehta dhe të theksuara”, shënojnë ata. “Monet, nga ana tjetër, ka përdorur ngjyra të barasndritshme për të krijuar efekte të mjegulluara. Është e mundur që foshnjat preferojnë piktura me kontraste të pastra në shkëlqim”.

“Mospërputhjet në shkëlqim krijojnë informatën vizuale esenciale dhe themelore rreth një skene vizuale”, kanë shkruar hulumtuesit. “Është e mundshme që foshnjat kanë preferuar pikturat e bëra nga Picasso sepse ato kanë qenë më të lehta të përpunohen dhe i japin stimulim sistemit të tyre vizual ende në zhvillim e sipër”.

Mund të tërhiqen së paku dy konkluzione nga ky hulumtim. I pari, nëse jeni duke dekoruar dhomën e re të foshnjës suaj, shmanguni zambakëve të ujit dhe kërkoni kryeveprat kubiste. (Ndoshta dëshironi t’i shmangeni Guernica-s, e cila thuhet se shkakton ankthe.)

E dyta, siguron depërtim në suksesin e të sipërpërmendurit Thomas Kinkade, shumë të tallurit ‘piktor i dritës’. Shëmbëlltyra e tij mund të jetë e sheqerosur, por njeriu di diçka rreth ndriçimit. Në dritën e këtij hulumtimi, është lehtë të shihet se si vepra e Picasso-s mund të joshë foshnjat tona.


(24-ore.com)

No comments:

Post a Comment