Berisha: Votimi elektronik, 100% i mundshëm

Kreu i qeverisë, duke bërë apel për pritjen e përfundimit të procesit paszgjedhor në respekt të shtetit ligjor ka përsëritur angazhimin e qeverisë për një sistem të pakontestueshëm të votimit dhe numërimit elektronik.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka deklaruar se numërimi elektronik i votave do ishte përgjigja më e shkëlqyer e disa diskutimeve të panevojshme.

“Qeveria është e gatshme të vendosë sistemin më të sigurtë dhe më të mirë elektronik që ekziston në ndonjë vend në të 4700 qendrat e votimit. Kjo do bëjë të mundur që për Shqipërinë të votojnë qindra mijëra emigrantë shqiptarë, aksionerë me kontribut themelor në zhvillimin e ketij vendi. Votimi elektronik është 100% i mundshëm dhe kërkon vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike për ta zbatuar atë”- ka thënë Berisha, duke e argumentuar këtë me rrugën emirë që ka bërë depërtimi I inetrenetit në vendin tonë.

“Ne jemi të aftë dhe kemi të gjitha mundësitë ta shtrijmë atë në cdo qendër votimi të këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që opozita të shqyrtojë me seriozitetin më të madh këtë ofertë, edhe në kuadrin e mbledhjes së sotme të ministrave të jashtëm të BE, jam i bindur se është interesi më i mirë i cdo force politike të angazhohemi me vepra e jo fjalë për të adresuar cdo problem që lind në mënyrën më transparente”- ka thënë ai.

Berisha ka përsëritur thirrjen drejtuar opozitës për të ushtruar pushtetin që i ka dhënë sovrani, duke i kujtuar se do të ketë përparësi në reformën zgjedhore.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment