Pezullohet dy muaj polici që u ofendua nga Albana Vokshi.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka pezulluar për dy muaj pa pagesë policin kufitar, Bujar Shala. Ky polic ende vazhdon t’i vuajë pasojat nga incidenti që ka ndodhur në Vërmicë, në nëntor të vitit të kaluar, me deputeten nga Shqipëria, Albana Vokshi.
Bujar Shala, polic i pikës kufitare në Vërmicë, ka marrë tashmë vendimin për suspendim nga puna pa pagesë. Polici kufitar nga Prizreni, po i merr këto ndëshkime si pasojë e një fjalosjeje që kishte pasur vitin e kaluar me deputeten e Partisë Demokratike nga Shqipëria, Albana Vokshi. Shala, i cili deri më tani ishte i suspenduar me pagesë, nga sot ka marrë vendim për suspendim prej dy muajsh pa pagesë. Këtë njoftim e bëjnë të ditur burime të gazetës nga Policia Kufitare në Prizren. “Polici Bujar Shala që nga 6 qershori ka marrë vendimin për suspendim nga puna prej dy muajsh”, thotë ky burim.

Polici Bujar Shala, i cili ka punuar në pikën kufitare në Vërmicë, ka pasur një mosmarrëveshje më 14 nëntor të vitit të kaluar, me deputeten nga Shqipëria, Albana Vokshi, e cila ishte sjellë në mënyrë arrogante me policët e Kosovës, si dhe i kishte ofenduar rëndë ata. Suspendimin e Bujar Shalës nga puna e konfirmon Policia e Kosovës, por pa dhënë shumë detaje për shkak se, sipas zyrtarëve për informim, me këtë rast është marrë Inspektorati i Policisë së Kosovës.

“Inspektorati i rekomandon shefit të Policisë dhe ai merr vendime në bazë të atyre rekomandimeve”, tha për Express, Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Merret vesh se vendimin për suspendimin e policit Bujar Shala tashmë e ka marrë drejtori i Policisë, Reshat Maliqi. Mirëpo, të dielën ka qenë e pamundur që të kontaktohet drejtori i Policisë, Reshat Maliqi, e as ndonjë zyrtar i Inspektoratit. Është munduar të dielën që të kontaktojë kryeshefin e Inspektoratit, Fitim Shishani. Hetimet ndaj policëve kufitarë të Vërmicës kishin filluar pas incidentit të ndodhur më 14 nëntor të vitit që shkoi, e që ishin suspenduar në afat të pacaktuar nga Inspektorati i Policisë.

Ishte pikërisht ky institucion që i ktheu ata në punë më 8 dhjetor, ndërkohë që hetimet ndaj tyre nuk kishin mbaruar me kaq. Inspektorati Policor, në bazë të hetimeve të bëra, vendosi që ata të ndëshkohen. E, më së keqi e pësoi Bujar Shala, i cili u dënua me suspendim pa pagesë. E tërë ngjarja që e çoi Shalën pa dëshirën e tij, në shtëpi filloi më 14 nëntori, kur Albana Vokshi udhëtonte me makinë drejt Kosovës. Kur arriti në kufi, saktësisht në pikën kufitare në Vërmicë, ajo donte të kalonte pa iu kontrolluar dokumentet nga policia. Pasi që kjo e fundit ia tërhoqi vërejtjen për sjelljet e saj, ajo filloi të sillej me arrogancë ndaj tyre, duke i fyer të gjithë.

“Ju jeni kafshë”, ishte njëra ndër fjalët fyese të deputetes Vokshi. E gjithë kjo tollovi, kishte përfunduar në gjykatën komunale në Prizren, gjyqtari i së cilës kishte shpallur fajtore deputeten Vokshi, duke e dënuar kështu me 250 euro gjobë. Disa ditë më vonë, me ndërhyrjen e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Shqipërisë, Sali Berisha, ky vendim i gjykatës u pezullua duke ia hequr fajësinë deputetes Vokshi, duke e ndryshuar tekstin e aktvendimit.

Në aktvendimin e Gjykatës, ku Vokshi shpallet fajtore, është thënë se Vokshi e ka ofenduar policin Bujar Shala, i cili ka qenë duke e kryer detyrën e tij zyrtare. “Ju jeni kafshë dhe silleni si kafshë”, citon aktvendimi i Gjykatës, fjalët e deputetes, Albana Vokshi. “Kafshë je ti dhe do shihemi, se ti kujton se mund t’ia kalosh lehtë me mua. Unë jam deputete. Ti qenke kafshë. Jeni mësuar ju me serbët, andaj silleni në këtë mënyrë”, i referohet më tej citati, Albana Vokshit, e cila në këtë mënyrë ka biseduar me policët kufitarë të Kosovës.

Por, në versionin e ndryshuar, aktvendimi pezullon procedurën kundërvajtëse ndaj deputetes Vokshi. Madje, edhe vetë gjyqtari i çështjes në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prizren kishte deklaruar se deputetja Albana Vokshi ishte sjellë në mënyrë shumë arrogante. Një muaj më vonë, ndaj katër policëve të suspenduar ishte hequr kjo masë për t’u zyrtarizuar tani. Atë kohë, ndaj suspendimit të tyre kishin reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut duke kërkuar nga deputetja Vokshi që të kërkojë falje për gjestin e saj. Të drejtat e njeriut dolën në mbrojtje të efektivave të policisë dhe të gjyqtarëve, duke i kërkuar deputetes që të kërkojë falje për gjestin e bërë. Vokshi jo që nuk kërkoi falje, por me ndërhyrjen e shefit të saj, Sali Berisha dhe Kryeministrit Thaçi, kërkuan që ndaj policëve të merren masa ndëshkimore.

(gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment