Përurohet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Prezantimi dhe publikimi i krimeve të luftës tash e tutje do të kenë një adresë institucionale, pasi Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili është inauguruar të hënën, ka marrë mbështetjen e plotë të organeve të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe drejtori i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Zejnullah Gruda, janë pajtuar se duhet bërë një angazhim maksimal rreth të vërtetës shkencore dhe profesionale për krimet e luftës.

Kuçi ka vlerësuar se profesor Gruda është mendja më e ndritur dhe personi më i duhur për rehabilimitmin e marrëdhënieve në mes të popujve.

Ai ka thënë se argumentimi i gjenocidit do të bëhet larg politikës dhe në mënyrën më profesionale.

“Jam shumë i bindur që argumentet tona, e drejta jonë e luftës dhe vuajtjet tona deri në shkallë të gjenocidit, do të argumentohen në mënyrën më të mirë profesionale dhe politika nuk do të jetë pengesë për trajtimin e tyre, përkundrazi do të jetë një mbështetje e plotë që e vërteta shkencore, do t’i ndihmojë edhe politikës, por edhe qasjes sonë, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen dhe gjeneratat që do të vijnë”, është shprehur Kuçi.

Drejtori i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Zejnullah Gruda ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen dhe ndihmën e dhënë nga Qeveria e Kosovës në themelimin e institutit.

Gruda ka thënë se institucionet e Kosovës duhet bërë më shumë rreth publikimit të fakteve që ndërlidhen me luftën në Kosovë.

“Në një konferencë pas luftës ndër të parat të mbajtura në Kosovë dedikuar problemeve që lidhen me krimet e rënda të luftës, të cilat kanë ndodhur në Kosovë, një nga ndërkombëtarët pati nënvizuar, se puna e parë dhe më e rëndësishme në të gjitha proceset e pas luftës dhe proceset e pajtimit është me ditë saktë se çka ka ndodhur. Fatkeqësisht ne nuk kemi bërë në mënyrë institucionale përpjekjet për zbulimin e asaj çfarë ka ndodhur”, ka thënë Gruda.

Profesor Gruda ka vlerësuar se duhet punuar për të bërë hapin e parë drejt kërkim faljes dhe jo për të nxitur urreje, duke mos përmendur emra në këtë rast, nëse duhet vetëm Serbia të kërkojë falje, e cila bëri krime në Kosovë.

Ndryshe, presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe qeveria serbe u kanë kërkuar falje Kroacisë dhe Bosnjës për krimet e bëra nga serbët në këto vende, një gjë të tillë nuk e kanë bërë ende për krimet e kryera në Kosovë.(kosovapress.com)

No comments:

Post a Comment