Pasojat e krizës ekonomike greke në Shqipëri

Kriza ekonomike e Greqisë ka nisur të prekë edhe Shqipërinë. Paralajmërimi i dhënë nga Eurostat, gati një vit më parë, ka marrë formë të qartë gjatë muajve të parë të vitit 2011, duke u shoqëruar edhe me një tjetër paralajmërim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ndërkohë qeveria shqiptare po përpiqet të marrë masa për përballimin e pasojave të mundshme të krizës si dhe të fluksit të madh të emigrantëve shqiptarë, që kthehen në vendlindjet e tyre, për shkak të papunësisë në Greqi.



Banka Europiane: “Rritje, por kujdes!”

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (B.E.R.ZH.) i ka tërhequr vemendje Shqipërisë, duke e paralajmëruar se “është një vend veçanërisht i rrezikuar nga kriza greke”. Në raportin e saj të muajit Maj 2011, thuhet se “rritja më e lartë e vitit të kaluar edhe një herë ishte në Shqipëri, por ky vend është veçanërisht i rrezikuar nga kriza greke, për shkak se shumica e remitancave në Shqipëri vijnë nga emigrantët në Greqi, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë përkohësisht në punë sezonale”.

Por Banka Europiane vlerëson se sektori bankar në vend dhe ecuria e kreditimit kanë qenë mjaft të mirë në të gjithë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë, ku rritja apo përmirësimi ka qenë me dy shifra, duke nënvizuar kujdesin që duhet të tregohet tek kreditë e këqija, të raportuara në rritje e sipër, me një llogaritje sipas BERZH me 7.3 për qind. Kjo shifër lidhet me kredi të humbura, ndërkohë që për totalin e kredive problematike, Banka e Shqipërisë deklaroi se në fund të tremujorit të parë 2011 ishte 14.4 për qind.

Sipas parashikimeve të BERZH rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të arrijë në 3% gjatë vitit 2011 dhe në 3.3% për 2012, ndërkohë që inflacioni duket se do të jetë problemi kyç i këtij viti, me një mesatare prej 4.7 për qind, shifër kjo 0.7 për qind më e lartë sesa objektivi i Bankës së Shqipërisë, për ta mbajtur inflacionin në 3(+-1).

Nga ana tjetër, shërbimi i statistikave “Eurostat”, pohon se kriza në Greqi e ka prekur Shqipërinë edhe në drejtim të kreditimit. Gjatë viteve të shkuara, depozitat e grekëve u transferuan për t’u kredituar në Shqipëri, një praktikë që dha një hov të madh zhvillimi në ekonominë shqiptare. Por gjatë vitit të fundit, edhe ky burim financimi duket se u pakësua. Shqipëria u përball me një rënie të lehtë të remitancave prej 7 për qind gjatë vitit të kaluar, por në fund të vitit, një pjesë e emigrantëve duket se u kthyen në atdhe jo thjesht për pushime. Kjo konsiderohet si një situatë që parashikon vështirësi edhe më të mëdha për të ardhmen.



Kriza dhe investimet greke në Shqipëri

Banka e Shqipërisë, nëpërmjet guvernatorit të saj, Ardian Fullani, deklaron se ka ndjekur me kujdes zhvillimet në ekonominë greke dhe se gjatë dy viteve të fundit, dialogu me sistemin bankar grek ka qenë i hapur, konstruktiv dhe i efektshëm, me qëllim sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar shqiptar përfshirë dhe bankat me kapital grek.

“Bankat që operojnë në Shqipëri me banka mëmë në Greqi, janë banka të mirëkapitalizuara, me kredibilitet dhe që kreditojnë dhe gjenerojnë fitim. Kjo dhe në sajë të kujdesit të madh që ne i kemi kushtuar, veçanërisht përsa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe injektimit të kapitalit të ri kur ka qenë e nevojshme”, shprehet guvernatori Fullani.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, kriza greke parashikohet të ndikojë edhe në uljen e kredidhënies në sistemin bankar shqiptar. Kjo për faktin e thjeshtë se rreth një e treta e sistemit bankar shqiptar përbëhet nga filiale të bankave greke. Kriza në Greqi ka ulur ndjeshëm kapitalin qarkullues të bankave mëmë dhe si rrjedhojë, kjo pritet të ulë edhe më tej kapitalin e vënë në dispozicion nga bankat greke në Shqipëri.

Kohët e fundit, edhe bizneset greke kanë filluar të depozitojnë paratë e tyre në banka të huaja, jashtë Greqisë. Kjo, sipas analistëve, nuk është një situatë aspak komode për sistemin bankar shqiptar, duke pasur parasysh edhe konservatorizmin e tij të njohur në dhënien e kredive.

“Aktualisht shumë investitorë grekë i kanë frenuar investimet e tyre në Greqi, dhe jo më në Shqipëri. Po të vini re, në tenderin e tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan të gjitha firmat që u paraqitën ishin greke. Kjo do të thotë se kompanitë investuese greke kanë filluar të kërkojnë punë jashtë territorit të Greqisë dhe kjo për të marrë punë, e jo për të çuar punë. Për të tërhequr fonde publike në investime publike në vendet e rajonit dhe jo për të çuar investimet dhe kapitalet e tyre private në ekonomitë e këtyre vendeve”, shprehet ish-Ministri i Financave të Shqipërisë, Anastas Angjeli.

110 bizneset greke

Numri i bizneseve greke në Shqipëri llogaritet në 110 dhe Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë, ndërsa sipërmarrjet greke kanë realizuar një volum investimesh me mbi 1 miliardë euro dhe këto janë kryesisht në shërbime apo tregun bankar.

Investimet greke përbëjnë rreth 30 për qind të investime të huaja direkte në Shqipëri, d.m.th. një shumë prej afro 800 milionë USD dhe grekët zotërojnë sektorët kryesorë të shërbimeve siç janë furnizimi me lëndët djegëse dhe mallrat e konsumit të përditshëm. Kompanitë greke janë shndërruar në aktore të para të ekonomisë shqiptare me 50% të totalit të investimeve të huaja në Shqipëri.

(albanews.gr)

No comments:

Post a Comment