Paketa fiskale, ndryshon taksa e makinave

Drejt finalizimit drafti i ri i paketës fiskale. Parashikohet ndryshimi i taksës së shitjes së makinave të vjetra në tregun e brendshëm. Burime konfidenciale pranë Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur se grupet e punës po punojnë paralelisht si për buxhetin e rishikuar, ashtu edhe për paketën e re fiskale. Të dy projektet e financave janë drejt finalizimit dhe do të shkojnë në Kuvend, për t’u diskutuar sëbashku ndryshe nga ç’ndodhi për projektbuxhetin fillestar të 2011, i cili ngjalli debate mes maxhorancës dhe opozitës, pasi projektet nuk u paraqitën sëbashku. Po sipas të njëjtave burime pritet të ndryshojë taksa e shitjes së makinave të vjetra në tregun vendas, akciza e birrës dhe ajo e cigareve. 

Përsa i përket taksës së makinave të vjetra, pritet që me paketën e re fiskale të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme mes kërkesës së Kryeministrit Berisha, për ulje drastike të kësaj takse, dhe direktivave të BE-së. Mendohet që varianti më optimal për taksën e makinave të vjetra, që shiten në tregun e brendshëm, do të jetë rritja e tarifës së koalidimit, që do të thotë se sa më e vjetër të jetë makina aq më shumë taksë do të paguhet. Në këtë mënyrë, vjelja e taksës do të bëhet në momentin e koalidimit, duke e llogaritur atë në bazë të amortizimit dhe llojit të makinës.

Për shkak se, sipas ligjit aktual, të shesësh një makinë të viteve ‘90, taksa që duhet të paguash për shtetin është shumë më e lartë se vlera e shitjes së automjetit. Sipas formulës aktuale, me të cilën përllogaritet taksa, nëse makina është dhjetë vjet, taksa e ndotjes do të jetë: 1893*0.5*25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Sipas kësaj formule, asnjërit nuk do t'i interesojë të shesë apo të blejë një automjet me vit prodhimi të largët. Duke iu referuar projektpaketës së re fiskale, pritet që të rritet me 20 lekë akciza për cigaret duke marrë parasysh direktivat e BE-së për rritjen e kësaj akcize. Në këtë mënyrë, pritet që akciza e cigareve të rritet nga 70 lekë në 90 lekë paketa. Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë janë të detyruara të ndërhyjnë për ndryshimin dhe rritjen e akcizës së duhanit për e uljen e numrit të duhanpirësve në vend, si rrjedhojë e direktivave të BE-së dhe efektit pozitiv në buxhetin e shtetit. 

Direktivat e BE-së tregojnë se akciza nuk duhet të jetë më e ulët se 57 % për shitjen me pakicë. 60 euro për 1 kg cigare. Në fakt, me reformën e re fiskale, ne do ta kemi më shumë se 25 euro për 1 kg cigare. Dhe sipas financave, rritja e akcizës në nivelet europiane nuk mund të bëhet e menjëhershme por graduale dhe akciza është programuar të rritet deri në 2015-ën, pasi nuk mund të rritet menjëherë. Sepse, ka të bëjë me rregullat e qarkullimit të mallrave dhe reagimin e konsumatorëve ndaj produktit. 

Në të njëjtën kohë, reforma e re fiskale parashikon edhe ndryshimin e akcizës së birrës. Pritet një ulje e saj pasi biznesi I kësaj industrie ka kohë që kërkon ndryshime në ligjin për akcizat pasi në të kundërt dëmtohet prodhimi vendas. Pasi ligji aktual që është miratuar vetëm me votat e mazhorancës parashikon që të pajisen me pulla fiskale, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt që quhet ‘Kodi i sigurisë’. Në këtë mënyrë, po ndërrohet sistemi, nga i centralizuar në duart e shtetit në një koncensionar. Ndërkohë që me ligjin e mëparshëm të akcizave, 1 herë në katër vjet bëhej rakordimi për pullat fiskale, pasi ishte i pamundur kontrolli i tyre. Ndryshimi thelbësor që i është bërë ligjit konsiston në mënyrën e depozitimit, nga koncensionari tek importuesi jashtë kufijve.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment