Numërohen 10 njësi, Basha në avantazh me 76 vota

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, kryeson me 76 vota më shumë se rivali i tij, Edi Rama, kur janë numëruar votat e hedhura në kutinë e gabuar në 10 njësi.Gjatë ditës së sotme, KQZ-ja do të numërojë votat e Njësisë 11 dhe pastaj do të llogarisë rezultatin përfundimtar, i cili do t’i bashkëngjitet shifrave të dala deri tani nga numërimi i të gjitha kutive të Tiranës. Në mbledhjen e djeshme u numëruan kutitë e tri njësive, 8, 9 dhe 10, të cilat në total kishin 340 qendra votimi. Vetëm dje, Basha mori 45 vota, Rama 40 vota dhe Hysni Milloshi 2 vota. Numri më i madh i votave të hedhura në kutinë e gabuar u gjetën në Njësinë Bashkiake nr. 9, nga ku dolën në total 54 vota. Basha mori 27, Rama 26, ndërkohë që një votë shkoi për Hysni Milloshin. Në Njësinë Bashkiake Nr. 10, e cila ishte një prej dy zonave ku nuk ishte hapur asnjë kuti nga KQZ-ja për të gjetur këto vota, kandidati demokrat mori tri vota më shumë se Rama. Ndërsa në Njësinë Bashkiake Nr.8, Basha mori 7 vota, ndërsa Rama 6. Për sa i përket kryetarëve të njësive vendore, në zonën e Medresesë, Arben Tafaj i koalicionit të djathtë fitoi 19 vota më shumë se Sadi Vorpsi, i koalicionit të majtë. Edhe në dy njësitë e tjera,, kandidatët e Aleancës për Qytetarin morën më shumë vota se kundërshtarët e tyre.

Problemet me kutitë
Gjatë paradites, përpara se të niste numërimi i kutive në Njësinë Bashkiake Nr. 9, administrata e KQZ-së njoftoi se katër kuti ishin dëmtuar gjatë transportit nga magazinat në Lundër, për në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Nga këto, njëra prej kutive ishte çarë në njërën prej anëve dhe tri të tjerat kishin nga një dëmtim të vogël. Sipas socialistëve, këto kuti nuk duhet të hapeshin për shkak se nuk kishin besueshmëri. “Nuk mund të hetohen këto katër kuti, sepse u ka humbur besueshmëria”, u shpreh përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji. Nga ana e tij, Njazi Kosovrasti i PD-së tha se nëse del që votat janë njësoj me ato të shënuara në procesverbale, atëherë kutitë kanë integritet. “Nga 1300 kuti që kanë ardhur në KQZ, vetëm gjashtë janë dëmtuar dhe kjo nuk është ndonjë çudi e madhe. Të bëhet hetim i plotë dhe, nëse del që rezultati është i njëjtë me atë në tabelën e grupit të numërimit, atëherë kutia ka integritetin e duhur”. Me katër vota pro të anëtarëve të djathtë në KQZ u bë hetimi për të katër kutitë, dy prej të cilave u hapën dhe u numëruan votat, ku rezultoi se të gjitha kishin të njëjtin numër votash si në rezultatin e nxjerrë nga numëruesit. Në këtë njësi, në qendrën e votimit 1958/1, të gjithë votuesit kishin hedhur gabimisht votën e Këshillit të Bashkisë në atë të këshillit të minibashkisë. KQZ-ja urdhëroi rinumërimin nga e para, ku doli se PS-ja kishte rreth 50 vota më shumë se PD. Në Njësinë Bashkiake Nr. 8, në katër qendra votimi mungonte zarfi i votave të pavlefshme, ndërkohë që në procesverbal kishte shënim për ekzistencën e tij. Sipas kreut të KQZ-së, Arben Ristani, fakti që kodet përputhen, do të thotë se kutia është e rregullt. Në Njësinë Nr.10, në një kuti nuk ishte kodi i pestë, por pas hetimit doli se rezultati ishte i njëjtë me atë në tabelën e grupit të numërimit.

435 vota
Pas numërimit të fletëve të votimit të hedhura gabim në njësitë bashkiake nr. 8, 9 dhe 10, numri i tyre vetëm për kryetarin e Bashkisë së Tiranës shkon në 435. Nga këto, 213 i ka marrë Basha, 218, Rama dhe 4 vota, kandidati i PK-së, Hysni Milloshi

271 vota
Sipas informacioneve zyrtare të KQZ, në garën për Këshillin e Bashkisë së Tiranës janë 271 vota të hedhura në kutinë e gabuar në zgjedhjet e 8 majit. Nga këto, 100 vota i ka marrë PS, ndërsa 91 vota i ka fituar PD.

1333 vota
Nga votat e numëruara në 10 nga 11 njësitë bashkiake të Tiranës, kanë dalë 1333 vota të hedhura në kutinë e gabuar për kryetarin e minibashkisë. Nga këto vota, shumicën e kanë fituar kandidatët e koalicionit të djathtë.

563 vota
Nga numërimi, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, grupet e punës pranë KQZ-së kanë nxjerrë deri tani 563 vota të hedhura në kutinë e gabuar, ndërkohë që duhet të ishin hedhur në kutinë e këshillit të minibashkisë.

Rezultatet

Rezultati në Njësinë Nr. 8

Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha 7 vota
Edi Rama 6 vota
Hysni Milloshi 0 vota

Kryetari i Minibashkisë
Arben Tafaj 46 vota
Sadi Vorpsi 27 vota

Këshilli Bashkiak
PD 10 vota
PS 4 vota
ADS 2 vota
PDMSH 1 votë
PPAK 1 votë
PDIU 1 votë
LZHK 1 votë
LSI 1 votë
PDMRE 1 votë
PAP 1 votë

Këshilli i Minibashkisë
PD 15 vota
PD 9 vota
LSI 6 vota
LZHK 2 vota
PDIU 2 vota
PDMRE 1 votë
PLL 1 votë

Rezultati për Njësinë Nr. 9

Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha 27 vota
Edi Rama 26 vota
Hysni Milloshi 1 votë

Kryetari i Minibashkisë
Indrit Fortuzi 87 vota
Armond Halebi 82 vota

Këshilli i Bashkisë
PD 11 vota
PS 11 vota
LSI 5 vota
PSV 91 3 vota
PLiDr 1 votë
G99 1 votë
PSD 1 votë

Këshilli i Minibashkisë
PS 29 vota
PD 16 vota
LSI 6 vota
LZHK 3 vota
PSV 91 2 vota
AD 2 vota
AA 1 votë
BLD 1 votë
ADS 1 votë
AAK 1 votë

Rezultati për Njësinë Nr. 10

Kryetari i Bashkisë
Lulzim Basha 11 vota
Edi Rama 8 vota
Hysni Milloshi 1 votë

Kryetari i Minibashkisë
Altin Fuga 25 vota
Enada Alikaj 20 vota

Këshilli i Bashkisë
PS 4 vota
LSI 3 vota
LZHK 1 votë

Këshilli i Minibashkisë
PD 10 vota
PS 5 vota
LSI 4 vota
BLD 2 vota

Rezultati i përgjithshëm për 10 njësi

Kryetari i bashkisë
Lulzim Basha 213 vota
Edi Rama 218 vota
Hysni Milloshi 4 vota

Këshilli Bashkiak
PS 100 vota
PD 91 vota
LSI 29 vota
PR 6 vota
PDIU 5 vota
PBK 4 vota
PDMRE 3 vota
PSD 3 vota
PSV 91 3 vota
LZHK 3 vota
PPAK 3 vota
AD 2 vota
PLL 2 vota
AAK 2 vota
PLiDr 2 vota
G99 2 vota
ADS 2 vota
AEE 1 votë
AAP 1 votë
P. Gj. 1 votë
PBD 1 votë
PBKD 1 votë
PAK 1 votë
P. Myslym. 1 votë
BLD 1 votë
PDMSH 1 votë

Wolfarth: Numërimi të bëhet me integritet

Në përfundim të mbledhjes mesditën e djeshme, kreu i KQZ-së është takuar me ambasadorin e OSBE-së në vendin tonë Eugen Wolfarth. Takimi mes tyre në fakt nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta dhe, në prononcimin për mediat, diplomati i Prezencës është shprehur se numërimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar duhet të jetë me integritet. “Nuk dua të bëj ndonjë koment të veçantë. Procesi i vlerësimit të votave duhet të zhvillohet me integritet të plotë. Jam këtu thjesht për të vëzhguar nga afër procesin e numërimit”-tha Wolfarth. Prezenca e OSBE-së po vëzhgon nga afër procesin e numërimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një përfaqësues i saj qëndron në çdo moment pranë grupeve të numërimit, ku shfaqen probleme dhe, pasi komunikon me vëzhguesit e dy partive, mban shënime për çdo situatë të krijuar.



(ADI SHKEMBI/panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment