Neuer lavdërohet nga Casillas, Valdes dhe Buffon

Manuel Neuer është lavdëruar nga tre prej portierëve më të mirë në Evropë, Iker Casillas, Victor Valdes dhe Gianluigi Buffon. Numri një i Kombëtares gjermane kaloi një sezon mbresëlënës në Schalke, ku me paraqitje jashtëzakonisht të mira fitoi transferimin te gjiganti i Bundesligës, Bayern Munich, për siç u raportua 18 milionë euro.

Neuer, pavarësisht moshës së re 25 vjeç, konsiderohet si njëri prej portierëve më të mirë në botë dhe ka marrë lëvdata nga më të mirat të mundshme. Casillas, kapiten i Real Madridit dhe i Spanjës, beson se Neuer ka të ardhme të ndritur para vetes.

“Vetëm shikoni se çka ka arritur brenda sezonit të fundit. Ai ka reflekse të mira, pozicionim të mirë dhe e lexon mirë lojën. Ai ka prezencë të fuqishme dhe të ardhme të ndritur para vetes”, tha Casillas për Bild.

Edhe portieri i Barcelonës, Valdes kishte vetëm lëvdata për Neuerin. “Ai e mbulon një pjesë të madhe të portës dhe është shumë i shpejtë në lëvizjet e tij. Ai tashmë është në mesin e më të mirëve në botë dhe është përforcim i mirë për Bayernin”, tha Valdes.

Ndërsa portieri i Juventusit dhe i Italisë, Buffon, që deri vonë konsiderohej më i miri në botë, e quaji ish kapitenin e Schalkes të “pamposhtshëm”. “Manuel është portier i cili më pëlqen. Ai duket i pamposhtshëm dhe është super-blerje për Bayernin”, deklaroi Buffon.

(gazetaexpress.com)

No comments:

Post a Comment