Në enëlarëse fshihen kërpudha të rrezikshme

Shkencëtarët kanë zbuluar se makinat për larjen e enëve janë vend ideal për zhvillimin e kërpudhave vdekjeprurëse. Lagështia dhe temperaturat e larta në makinat për larjen e enëve krijojnë ambient të përshtatshëm për zhvillimin e dy llojeve të rrezikshme të këtyre kërpudhave – Exophiale dermatitidis dhe Exophiale phaeomuriformis.
Sipas gazetës londineze “Daily news”, shkencëtarët në madje 62 për qind të makinave për larjen e enëve kanë gjetur këto lloj kërpudhash, kryesisht në shiritat e gomës në dyer.
Hulumtimi është kryer në 100 qytete botërore, kurse mostra është marrë nga amvisëritë në Slloveni. Kërpudhat janë gjetur edhe në makinat për larjen e rrobave, por në një përqindje më të vogël.
Të dyja këto lloj kërpudhash kanë rezistencë të madhe ndaj nxehtësisë, sasisë së lartë të kripës, detergjenteve agresiv dhe acidit. Gjetja e tyre në vende ekstreme konfirmon se këta organizma kanë evoluar.
“Ky mund të jetë problem i madh për njerëzit dhe shëndetin e tyre”, ka thënë biologu Polona Zalar nga Universiteti i Lubjanës.
Kur kërpudhat të vijnë në kontakt me njeriun, mund të jenë të dëmshme. Së pari ato sulmojnë mushkëritë dhe shkaktojnë infeksione të ndryshme, ku në raste të rralla mund të jenë edhe vdekjeprurëse.


(rtv21.tv)

No comments:

Post a Comment