“Meta”, Prokuroria: Të rrëzohen kërkesat e mbrojtjes

Në seancën e së hënës së gjyqit ndaj ish-zv/kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, prokuroria ka kërkuar rrëzimin e të gjitha kërkesave të mbrojtjes, të bëra një javë më parë.

Prokurori Bujar Sheshi tha se thëniet e avokateve janë të pabazuara në ligj dhe se “pretendimi se hetimet janë bërë jashtë afateve ligjore, nuk qëndron, pasi në fillim çështja është regjistruar pa emrin e Ilir Metës”.

Lidhur me mos-përdorimin e thënieve të ish-ministrit Dritan Prifti për video-përgjimin, me argumentin se edhe ai është nën hetim, prokurori sqaroi se zoti Prifti po ndiqet në një tjetër proces për një çështje të ndryshme nga kjo e zotit Meta.

Për pretendimin e tretë të mbrojtjes, se nuk është njoftuar në kohë për ekspertimin e videos, përfaqësuesi i akuzës tha se eksperti i huaj u caktua kur dosja nuk kishte emrin e zotit Meta. Ndërsa për hetimet që po kryhen nga prokuroria e përgjithshme dhe jo ajo e Tiranës, vendimi u mor për shkak se dy personat nen hetim për video-skandalin, gëzonin imunitet.

(gazetaonline.com)




No comments:

Post a Comment