Mbi 370 mijë euro për efiçiencën e energjisë

Në kuadër të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme, të enjten u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ i cili do të jetë bazë për lidhjen e kontratave me qëllim të bashkëfinancimit të projektit për ndriçim efiçient për objektet publike në nivele komunale.

Projekti kap shumën prej 372 mijë e 970 euro është nënshkruar nga ministri i MZHE-së, Besim Beqaj dhe udhëheqësja e Projektit, Gabriele Becker dhe kryetarët e pesë komunave është në harmoni me standardet evropiane për efiçiencën e energjisë si dhe në harmoni të plote me Planin Nacional për Efiçiencën e Energjisë, me të cilin është paraparë që deri ne vitin 2018 të arrijmë që të rrisim efiçiencën e energjisë në masën prej 9 për qind.

Ministri Beqaj, tha se qëllimi i projektit është që të kontribuojë në modernizimin e ndriçimit në objektet publike si dhe të ndriçimit të rrugëve, ndërsa financuesi kryesor i tij do të jetë MZHE. “Dimë që ndriçimi publik ka qenë dhe është problem edhe më tutje dhe ne me këtë projekt fillojmë të japim një shenjë që përdorimi efiçient i energjisë është i dyanshëm në aspektin pozitiv”, tha Beqaj.

Sipas tij, Kosova do të jetë në gjendje që t’i raportojë Bashkimit Evropian se është konform planifikimeve të tyre që për një periudhë konsumi të energjisë, që do të thotë se rritet efiçienca e përdorimit të energjisë për 9 për qind. Deri në vitin 2018 sipas tij, MZHE në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë synon të realizojë këtë objektiv.

Përfaqësuesja e GIZ-it, Gabriele Becker tha se në kuadër të projektit “Modernizimi i shërbimeve komunale” ka filluar projekti “Promovimi i Efiçiencës të Energjisë në Kosovë” , që ndihmohet nga Qeveria gjermane, ndërsa qëllim i tij është ngritja e vetëdijes për përdorimin e teknologjive që kursejnë energjinë.

Projekti është paraparë të realizohet brenda dy viteve dhe përfshin pesë Komuna- Prishtinën, Mitrovicën, Ferizajn, Podujevën dhe Gjilanin. Po ashtu, nga ky projekt do të përfitojë edhe konvikti nr. 4 i Qendrës së Studentëve të UP-së.

(Telegrafi.com)

No comments:

Post a Comment