Matura, përgjigjet e Matematikës

Në të gjithë vendin, rreth 41 mijë maturantë dhanë dje provimin e dytë të detyrueshëm, atë të Matematikës. Procesi nuk regjistroi incidente dhe pak orë pas provimit, Ministria e Arsimit vuri në dispozicion të nxënësve çelësin e përgjigjeve të sakta.Por, për më shumë se 8 orë, faqja e zyrtare e MASH-it mbeti e bllokuar për shkak të klikimeve të shumta nga maturantët. Gazeta boton të plota përgjigjet e testit për të gjitha profilet e gjimnazeve. Për vetë natyrën e lëndës, prova e dytë e maturës ka qenë disa herë më e vështirë se e para. Për 2 orë e 30 minuta nxënësit iu përgjigjën 25 pyetjeve, prej të cilave 13 më alternativa dhe 12 me zhvillim. Ashtu siç ka bërë me dije Ministria e Arsimit, në tezë ishin përfshirë pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve. Përkatësisht, 40% e pyetjeve kanë qenë të tilla që mund t’u përgjigjeshin saktë nxënësit e dobët. Po kaq ishin parashikuar për nxënësit mesatarë. Në masën 20% të testit ka pasur pyetje për nxënësit shumë të mirë. Testet e grumbulluara do të nisen sot drejt 6 qendrave të vlerësimit, ku do të nisë korrigjimi. Nga sa pohon Ministria e Arsimit, rezultatet do të afishohen në shkolla pasi maturantët të japin lëndët me zgjedhje më 30 qershor. Sot pritet të shpallen notat e Letërsisë. Provimin e kësaj lënde maturantët e dhanë më 1 qershor. Ato do të jenë prova e fundit e maturës për këtë vit. Nëse një maturant nuk merr qoftë edhe një nga provimet, nuk do të ketë mundësi të konkurrojë për në shkollë të lartë. Pas marrjes së rezultateve pozitive, kandidatët do të plotësojnë Formularin A2. Me anë të tij do të rendisin 10 preferencat për degët e universitetit. Afati i fundit i plotësimit të Formularit A2 do të jetë data 30 korrik. Më tej, mbi bazën e pikëve që grumbullon secili maturant dhe kuotave të pranimit të vendosura nga qeveria, do të përcaktohen fituesit. Nga 10 preferencat, kandidati do të shpallet fitues vetëm në një degë, në rast se ka pikët e mjaftueshme. Pikët llogariten sipas një formule të posaçme, e cila merr për bazë 5 komponentët e maturës. Përveç 4 provimeve, llogaritet edhe mesatarja e katër viteve të shkollës së mesme në masën 20%. “Sistemi i meritë -preferencës do të zbatohet edhe këtë vit për përzgjedhjen e kandidatëve fitues. Lista e tyre do të afishohet vetëm një herë, në mënyrë që procesi të mos ketë tejzgjatje”, thanë specialistët e Ministrisë së Arsimit.

KUKES

Ngelës në matematikë, 22 maturantë të shkollës së mesme “Bajram Abdiu” të komunës Bicaj nuk janë lejuar dje të hyjnë në provimin e radhës. Ata protestuan bashkë me prindërit e tyre, duke kërkuar të futen në provimin e matematikës e pohuar se do t’i drejtohen edhe Ministrisë së Arsimit. Në fakt, ka qenë një gabim futja e tyre në provimin e letërsisë, çka u shfrytëzua më pas prej tyre duke kërkuar edhe futjen në provimin e matematikës. Nxënësit thanë se kanë edhe kodet e tyre për provimin e parë. Por në një reagim të saj Drejtoria Arsimore e Kukësit sqaroi se nuk ishin të 22 maturantët që kishin dhënë provimin e letërsisë, por vetëm katër prej tyre.



Per te pare artikullin e plote atehere klikoni mbi: PDF
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment