Mashtroi për fitimin e një tenderi, pranga 42-vjeçarit

Policia e Vlorës arrestoi një 42-vjeçar nga Novosela, pasi dyshohet se ka mashtruar një shtetas për fitimin e një tenderi të një rruge publike në këtë komunë. Në kuadër të operacionit të koduar “Mashtrimi me Tendera Nr. 2”, nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së këtij Qarku, në bashkëpunim me seksionin Taks-Forcë në Prokurorinë e rrethit, u bë e mundur arrestimi i shtetasit Virjon Barxhaj, si dhe u shpall në kërkim një tjetër person. “Ndalimi i 42-vjeçarit Barxhaj dhe shpallja në kërkim e një tjetër personi u bë pas hetimeve disamujore me metoda speciale, pasi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë të ketë përvetësuar nga shtetasi S.K. shumën prej një milion lekë, me pretendimin se do ta ndihmonte për të fituar një tender publik për ndërtimin e një rruge automobilistike”, bënë të ditur burime të Policisë. Ndërkaq, kreu i sapozgjedhur i komunës Novoselë, Kanan Shakaj, u shpreh se nuk kishte dijeni për zhvillimin e një tenderi të tillë në këtë komunë që ai drejton pas zgjedhjeve vendore të 8 majit. Edhe ish-kreu i komunës u shpreh se prej një viti nuk është bërë asnjë tender në këtë komunë. I arrestuari u akuzua për veprën penale “mashtrim” i kryer në kushtet e bashkëpunimit.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment